Një kujtesë e vitit 1996, (mars) me Kristo Frashërin në Athinë

    463
    Hapja e kufijve krijoi edhe mundësi për shfrytëzimin e bibliotekave të kryeqyteteve evropiane. Bibliotekat e Athinës janë shumë të pasura me dokumente që lidhen me historinë e Shqipërisë, për vetë faktin që jo vetëm jemi komshinj, jo vetëm për faktin se 300 vjet kemi qenë një shtet, por për një gjë më të thjeshtë, se mungesa e institucioneve arsimore në Shqipërinë e pushtimit turk, mungesa deri edhe e gjuhës së shkruar, do të krijonin premisa që shumë shkrimtarë, historianë e gjeografë ekonomistë e gazetarë të shkruanin punimet e tyre greqisht. Ata mbaruan në Athinë studimet e larta dhe mungesa e institucioneve në Atdhe i bëri që të nguleshin aty. Por në bibliotekat e Athinës ka të vendosura edhe shumë studime të autorëve grekë e të tjerë të huaj për Shqipërinë apo Epirin, siç e quajnë disa. Jo vetëm Naim Frashëri shkroi disa vepra greqisht, por qysh nga studiuesja e mesjetës së hershme Anna Komnena, e që fliste për viset e Epirit e deri për të Durrësit, origjina e së cilës mund të jetë nga ky qytet, shkruanin greqisht. Në këto kushte është normale që shkencëtarët nga Shqipëria t’i vizitojnë herë pas here këto “oaze” të kulturës për të përfituar diçka të re. Ishte emocionues takimi im me nga dy shkencëtarët tanë më të mëdhenj profesor Arben Puto dhe profesor Kristo Frashëri në Athinë. Të dy të mëdhenjtë e historisë, por edhe të Helsinikut shqiptar kishin bujtur në Athinë në mars të vitit 1996 për të marrë pjesë në Helsinkun Ballkanik. Pata nderin t’i shoqëroja disa here dhe të shpërndaj në media diskutimet dhe intervistat e tyre. Skrupulozë deri në sëmundje, ata besonin se nuk mund të flitej për histori të vjetër të Shqipërisë pa ditur zhvillimet më të fundit të njerëzve të saj. Dhe donin të dinin gjithçka, gjithçka për emigracionin më të ri, për jetën, vështirësitë, perspektivën…Zoti Kristo Frashëri ndenji ca ditë më shumë se kolegu i tij, sepse në Athinë kishte vajzën e tij dhe mbesat. Por edhe për një punë tjetër: të rrëmonte nëpër biblioteka. E pikasa një ditë në njërën prej tyre. Biblioteka Genatus më e famshmja në Greqi. Punonte gati-gati 10 orë në ditë. Dhe të mendosh që një 75 vjeçar (atëherë) duket se s’mund të shkëputet së fundi nga punët, për të shijuar vitet e fundit të jetës. Por jo: si ajo fjala e urtë shqiptare, “mbollën të tjerë hëngra unë, do të mbjell unë të hanë të tjerët”, profesori i moshuar synonte ende të lindte akoma diçka në librat e tij të shkuara.-Albert, hajde, mor bir, të takohemi e të bisedojmë sot paradite më tha një ditë në telefon (në Athinë). Zëri mu duk i lodhur dhe i trishtuar. Nuk mund t’ia bëja më dysh fjalën. Lashë gjithçka dhe vrapova ta takoja. Ishte nder të pije një kafe me të…
    -Më morën në telefon shokët nga Tirana,- tha pas pak duke gjerbur kafenë…
    -Dikush nuk ka folur mirë për mua…Nuk përmendi as emër dhe as mbiemër. Nuk shau e as fyeu njeri. Por unë mësova më vonë se një gazetë proqeveritare e kishte fyer për të kaluarën e tij komuniste. Modeli i fyerjeve ishte i njëjtë me atë të mijëra njerëzve e intelektualëve që u bëheshin në Shqipëri. Qe ai denigrim që i detyroi të largoheshin nga vendi. Mos donin të largonin dhe profesor Kristo Frashërin? Mos donin të dëbonin njeriun që respektonte gjithë ballkaniada e historiografisë apo ajo e të drejtave të njeriut? Po kush do të mbetej paskëtaj?
    Me gjithë këtë klimë aspak dashamirëse nuk mund të mos nënvizojmë edhe një fakt tjetër: “Janë përherë më të kualifikuarit, më ambiciozët, më energjikët ata që kërkojnë rastin për suksese në jetë në vendin ku kanë zgjedhur për të shkuar në emigracion, duke përballuar çdo rrezik. Të varfrit, ata pa iniciativë, të dobëtit dhe ata që kanë pengesa të këtij karakteri rrinë në shtëpi”. Do të shkruante ekonomisti amerikan Mayo Smith…

    Jetëshkrimi
    Kristo Frashëri është djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në Kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbarë Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli. Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. “Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).
    Botimet
    • Historia e Çamërisë – 2015
    • Principata e Arbërisë: 1190-1215 – 2014
    • Jeta e një historiani – 2014
    • Ahmet Zogu: Vështrim historik – 2014
    • Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik – 2013
    • Historia e Dibrës – 2012
    • Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881 – 2012
    • E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit – (2010)
    • Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike) – (2009)
    • Skënderbeu i shpërfytyruar – (2009)
    • Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809) – (2009)
    • Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore) – (2008)
    • Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë: (28 Nëntor 1912) – (2008)
    • Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941) – (2006)
    • Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve – (2005)
    • Historia e Tiranës – (2004)
    • Skënderbeu – jeta dhe vepra – (2002)
    • Historia e Çamërisë vështrim historik (2015)
    Sigal