Një ditë në spitalin “Nënë Tereza”, ku në vend të shërimit, sëmuresh më keq

    674
    Sigal

    Mungojnë ilaçet, s’ka kujdes për pacientët! Për një shërbim duhet të paguash ryshfet që nga roja deri tek mjeku

     Është për të ardhur keq që në spitalet tona, sot e kësaj dite kemi një shërbim pak cilësor dhe të etur deri në de humanizëm ndaj shëndetit, për të mbushur xhepat e të rrjepin qytetarët e mjerë. U bë tashmë kohë e gjatë që dëgjojmë për pa pastërtinë në ambientet e Spitalit Publik “Nënë Tereza” si edhe shërbimin mjekësor ndaj pacientëve. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri dhe si institucion shëndetësor akademik është i vetmi i këtij lloji duke u klasifikuar si e vetmja qendër shëndetësore terciare shqiptare, është Institucion Shëndetësor Publik Kombëtar mjekimi, mësimdhënieje dhe kërkimi shkencor. Po si është në të vërtetë ky shërbim?

    TEK ‘NËNË TEREZA’

    Tashmë duket sikur spitalet janë kthyer në parkingje makinash. Postblloku, i cili është panorama e parë që na zënë sytë sapo të afrohemi, ngjan më shumë me një postbllok policie se një shërbim publik kushtuar qytetarëve. Një postbllok që hapet vetëm nëse paguan tarifën që ka caktuar “bujarisht” shteti ynë, pa marrë parasysh që në automjet ka të sëmurë për nevojën e shpejtë mjekësore. Për çfarë arsye, duhet paguar kjo biletë parkimi kur ky është një institucion publik dhe paguhet nga taksat e çdo njërit prej nesh? Përtej  postbllokut, në brendësi, nxitimin për të arritur sa më shpejt ta presin qentë e shumtë, të cilët gërmojnë tek koshat e plehrave të spitalit duke përhapur kështu një aromë të pakëndshme e mikrobe. Gjithashtu, mysafir të përhershëm përveç qenve kemi e lypësit që të ngatërrohen nëpër këmbë për t’iu dhënë ndonjë lëmoshë. Edhe këta e dinë, se këta që vinë nëpër spitale e marrin ndonjë lek me vete për doktorët, infermierët e pastrueset, pasi janë mësuar me këto adete që kanë zënë rrënjë thellë tek punonjësit e spitalit.

    PACIENTËT

    Sipas kuadrit ligjor të QSUT-s, Neni 24, Spitalet publike financohen nga: a)- Ministria e Shëndetësisë; b)- Institucionet e sigurimeve shëndetësore; c)- pushteti vendor; ç)- donatorët vendas e të huaj dhe jo nga xhepi i pacientëve. “Unë kam ardhur këtu për të përmirësuar gjendjen delikate në të cilën ndodhet fëmija im, jo të më vijë pastruesja e pavijonit të më kërkojë llogari e të më thotë në një mënyrë tejet arrogante pse nuk e lanë vetë dhomën kur e ke djalin në gjumë?! Fatkeqësisht, nga halli e kam shtruar disa herë djalin këtu, shpenzimet janë të shumta, tani përveç mjekëve, infermierëve dhe shumicën e ilaçeve që i marrim vetë, pasi na thonë se ky lloj medikamenti nuk gjendet, jemi të ‘detyruar’ t’u japim nga pesë, dhjetë apo njëzet mijë lekë, por duhet ta mbajmë mirë e me pastrueset duke i dhënë nga një dy mijë lekësh herë pas herë, sepse vinë e lajnë dhomën me ujë të ndenjur gjatë. Kjo është sikur të jemi në mesjetë, mos të flasim pastaj për gratë që vinë këtu brenda me thasë në krahë të shesin rroba, është fatale”, deklaron e revoltuar Shpresa. K., për gazetën “Telegraf”. Në portalin e QSUT-s thuhen qartë detyrimet që ka spitali dhe punonjësit ndaj pacientëve, ku thuhet se: “Në shërbimet e urgjencave, kirurgjive, reanimacioneve dhe ato të sëmundjeve pediatrike shërbehet sa herë të jetë e nevojshme ndërrimi i çarçafëve dhe materialeve të tjera. Në pavijonet e tjera, si rregull ndërrimi i përgjithshëm kryhet dy herë në javë dhe në raste të veçanta ndërrimi përcaktohet nga kryeinfermieri i pavijonit. Stafi ynë do të kujdeset çdo ditë për higjienën dhe pastrimin e dhomës ku do të qëndroni dhe në raste të veçanta sa herë gjykohet e nevojshme”.

    MUNGOJNË ILAÇET

    Ku janë ilaçet e nevojshme, që duhet në mënyrë kategorike të furnizohet çdo sektor i spitalit, apo me të bëhet një biznes me fitime marramendëse nga njerëz të paskrupuj të cilët kanë harruar çdo të thotë keqardhje e dhembshuri? Ku për pasojë të mungesës së këtyre ilaçeve humbi jetën një fëmijë para disa kohësh ne spitalin Francez (shërbimi ORL) pranë QSUT- ës. Bëri dhe një bujë të madhe mediatike, fëmija, i cili kishte pesë orë e gjysmë shtrirë në shtratin e vdekjes ende në jetë, por mjekët nuk e kishin atë lloj ilaçi që i duhej fëmijës e për gjatë gjithë kohës që ai rrinte shtrirë nuk kishin mundur ta gjenin. Kjo që i bëhet popullit shqiptar është një shkelje e identitetit dhe e jetës. Shkojmë për të kërkuar shërim në duart e “kasapëve”. Ku e kemi shtetin në këto momente? Jo pa qëllim ata e kanë lënë pas dore në mënyrë të shëmtuar shërbimin spitalor publik, për të ndihmuar shërbimin spitalor privat, nga i cili burojnë fitimet. Pra, shihet qartë se, me sa seriozitet dhe me ç’ farë cilësie punohet në dëm të pacientëve hallexhinj në emër të fitimi! Shumë njerëz nuk kanë mundësi të vizitohen sepse nuk kanë të ardhura dhe jetojnë në një minimum jetik të varfërisë, në luftë me mbijetesën. Po me jetimët, me invalidët me të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, ç’ ndodh!? Ata janë në mëshirë të fatit, rrezikojnë jetën çdo çast, për të mos thënë gjejnë vdekjen sepse asnjë mjek nuk i prek me dorë nëse nuk paguajnë, nëse nuk mbushin egon e tyre të sëmurë me lek. Ja si shprehet për gazetën “Telegraf” një tjetër qytetare, ku tregon se çfarë i ka ndodhur në urgjencën e kardiologjisë, V. Sula një grua rreth të 70-ve se: “Sapo arrita në urgjencë më pritën dy – tre bluza të bardha. Por njëri prej tyre më vizitoi. Thirri djemtë e mi, të cilët ndodheshin jashtë e i’ u tha: “Mamaja juaj është shumë rëndë, është në prag të një infarkti kardiatik. Ka të bllokuar një valvul zemre etj…!” Por sëmundja më e madhe për mua ishte që ky lloj shërbimi sipas mjekut, nuk bëhej në QSUT, por në spitalin privat Gjerman. Pasi i alarmuan, i dhanë dhe çmimin 5000 euro. Ç’të bënin të shkretët djem, – thotë e pikëlluar pacientja. Normalisht lind pyetja, po më parë kur nuk ekzistonin spitalet private, ku organizohej kjo lloj ndërhyrjeje? Problemi fatkeqësisht qëndron në faktin se shumë doktorë janë të lidhur me spitalet private. Në varësi të turneve i çojnë pacientët atje ku punojnë dhe paguhen më mirë. Ndërsa para pak ditësh, i sëmuri Xh. Shera është paraqitur në QSUT ma dhimbje barku dhe kraharori, pasi ka bërë të gjitha ekzaminimet, përveç njërit që nuk bëhej aty, por në spitalin amerikan. Ky shërbim ishte biçikleta dhe kushtonte 50 mijë lekë. “Të gjitha këto më vajtën 200 mijë lekë” – shprehet i sëmuri për gazetën “telegraf”. Gjenden shumë raste të tjera të verifikueshme, të kësaj natyre në regjistrat e QSUT. Gjithmonë, e njëjta situatë, lek kudo, lek tek hyrja, lek tek roja, lek pastrueseve, lek mjekëve e infermiereve, lek për ilaçet që mungojnë. Mendoni se qytetarët tanë, kanë kaq të ardhura mujore saqë të përballojnë një shërbim spitalor në QSUT? Duke parë të gjitha këto, i japim të drejtë një fjale të urtë popullore: “Vesi del me shpirtin dhe në spital mos pafsh as hasmin”. Po nuk pate të ardhura vuan shumë, ose më keq akoma dhe mund të vdesësh!

    Geriola Çaushi