Një ditë me ushtarakët për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë

    433
    Sigal

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, kërkon më shumë vëmendje nga politika

    Kënga e Himni Kombëtar të Flamurit i ka dhënë më shumë ngjyra patriotike festimeve të 100-vjetorit nga ana e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë – SHKURSH. Aktiviteti i mbajtur në datën 9 nëntor pak ditë para festimeve të mëdha  kishte si temë aktivitetin e “SHKURSH në 100 -vjetorin e Pavarësisë”. Në këtë aktivitet theksi u vu tek kontributi që kanë dhënë ushtarakët në vite dhe trajtimi që po u bëhet sot. Ndër të pranishmit që e morën fjalën në takim ishin Presidenti i Shoqatës, z. Mehdi Pogaçi, i cili mbajti edhe fjalën e hapjes. Të ftuar të tjerë në konferencë dhe që mbajtën fjalën ishin edhe personalitete nga fusha të ndryshme në vend dhe jo vetëm. Ndër të ftuarit ishin z.Zyhdi Kroj, z.Enver Hajdari, z.Thoma Konduri, z.Zoi Kote, e shumë të tjerë.

    Pogaçi: “Ligjet për ushtarakët janë zbatuar shumë keq!”

    Një ndër pikat mbi të cilat u vu theksi në aktivitetin “SHKURSH në 100 -vjetorin e Pavarësisë” ishin edhe problematikat që kanë pasur ligjet dhe zbatimi i këtyre ligjeve për ushtarakët. Zbatimin e ligjeve keq e përmendi në fjalën e tij edhe Presidenti i Shoqatës, z. Mehdi Pogaçi. Ku ndër të tjera në fjalën e tij ai theksoi se: “Dëshiroj të theksoj se ligjet për pensionet e ushtarakëve kanë ekzistuar, duke filluar nga viti 1996, por asnjëherë ato nuk janë zbatuar ose janë zbatuar keq dhe shumë keq”. Kjo sipas zotit Pogaçi tregon se këto ligje janë hartuar e miratuar sa për të thënë se kemi ligje te mira, por janë zbatuar në dëm të të drejtave të ushtarakëve. Sipas tij, ajo çka mungon është zbatimi dhe jo mungesa e ligjeve, është mungesa e sundimit të ligjit dhe e një shteti të të drejtës. Nuk ka asnjë ligj për të drejtat e ushtarakeve, i cili të jetë zbatuar në ato përmasa që dispozitat e tyre ligjore parashikojnë, sidomos nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e ligjit “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, pasi zbatimi i tij do të përafronte të drejtat e ushtarakëve tanë me ato të homologëve të tyre në vendet e NATO-s. Po ashtu duke u ndalur te Akti Normativ, zoti Pogaçi nënvizoi se: “Mos zbatimi i dy vendimeve te Gjykatës Kushtetuese është një shkelje gjithashtu tjetër e rëndë ligjore dhe kushtetuese”.

    RUSTEM PEÇI: MBRETI ZOG, VODHI FLORIRIN DHE NA LA NË THUNDRAT E PUSHTUESVE

    Në aktivitetin e “SHKURSH në 100 -vjetorin e Pavarësisë”, ishte i pranishëm edhe  kreu i Veteranëve, të LANÇ-it dhe ish partizani, Rustem Peçi. Në këtë aktivitet Peçi hodhi akuza mbi figurën e ish Mbretit Zog, që vodhi floririn dhe shqiptarët i la në dorë të pushtuesve në atë periudhë. Zoti Peçi, u shpreh se: “Mbreti Ahmet Zogu është hajduti më i madh i historisë së shekullit të kaluar. Ai ka vjedhur floririn e shqiptarëve dhe ia ka mbathur duke e lënë popullin shqiptar të pambrojtur në ditën më të zezë të pushtimit”. Sipas tij qe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ajo që bëri rezistencë dhe që bëri që Shqipëria sot të jetë shtet i pavarur. “Nëse nuk do të ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në 7 prill të vitit 1939 deri në nëntor të 1944,  ne nuk do ndodheshim sot të lirë, nuk do të festonim festën e 100-vjetorit, do të ishim në thundrën e pushtuesve të huaj. Do na kishin copëtuar serbi dhe greku siç kanë pasur qëllimet e tyre” shtoi zoti Peçi.