Një deputet dhe një zyrtar i lartë kapen duke vjedhur energjinë nga instaluesi i kondicionerit

    393
    Ka mjaftuar ankesa tek dyqani ku kishin blerë (si për koincidencë) kondicionerët, e një zyrtari të lartë në Elbasan dhe një deputeti, që fare rastësisht atyre tu zbulohej nga elektricisti që u kishte kryer instalimet, se në banesat e tyre vidhej energjia elektrike. Burimet nga dega e OSHEE Elbasan i thanë gazetës “Telegraf”, se “vetëm pak ditë më parë kemi pasur sinjalizime se në dy banesa të dy shtetasve që fare rastësisht kishin bërë ankesat e tyre për “mosfunksionim të kondicionerëve të rinj”, u zbulua nga ne se atje vidhej energjia elektrike, një guxim i madh pasi të dy janë njëri deputet dhe tjetri zyrtar i lartë në një nga institucionet e shtetit në këtë qytet dhe jo hallexhinj”. E ndërsa OSHEE kishte disa ditë që merrej me vjedhësit e vegjël, ata që ndoshta e vjedhin energjinë duke mos pasur vendin e punës dhe paratë për të mbijetuar, ka dalë në dritën e diellit skandali me “peshqit e mëdhenj”. I njëjti burim nga OSHEE tha se, “nga ne po mbahet sekret emri i dy personave VIP, pasi me ata po merren drejtuesit tanë, duke u dhënë afat jo më shumë se 5 ditë për të sqaruar problemin e lindur, i cili përbën krim ekonomik dhe meriton ndëshkim ligjor”. Qysh nga data 1 prill deri sot, OSHEE në Elbasan ka evidentuar mbi 120 persona që kishin kryer rilidhje energjie, apo kishin rinisur abuzimet me energjinë, duke zbatuar ndaj tyre masat më ekstreme që parashikon ligji. Por nuk kanë munguar edhe nëpunës institucionesh, të lidhur me elektricistë e faturistë, për të cilët janë marrë masa administrative e ligjore. Prej vitesh ka zyrtarë të institucionesh që nuk paguajnë dhe abuzojnë me faturat e energjisë elektrike, kjo pasi luajnë me apartamentet, banesat dhe lokalet e lëshuara me qira. Burimet nga OSHEE deklaruan se, “nga zbulimi dy rasteve të fundit me dy personat VIP, ka rezultuar se abuzimet mund të kenë vite që ndodhin, ndaj do të na duhet të kërkojmë edhe ndihmën e organit të akuzës, por pasi të kemi llogaritur vlerën financiare të abuzimit”. Ndjekje penale do të ketë edhe ndaj faturuesve të energjisë, që natyrisht kanë qenë të detyruar të korruptohen. E ndërsa sportelet e pagesave të energjisë mbushen çdo ditë me hallexhinj që paguajnë faturat e kripura, duket se vjedhësit më të mëdhenj të energjisë janë zbuluar tek objektet dhe pronat e personave të kollarisur. Nga ana e saj Prokuroria e Elbasanit ka deklaruar se, “pas sinjalizimeve mbetet detyra jonë nisja e hetimeve, jemi ende në fazën e verifikimeve, por shumë shpejt do të dalim me rezultate konkrete pas fazës së parë të verifikimeve”. Sektori i furnizimit me energji elektrike, respektivisht ndërmarrja që sot mban emrin e ri OSHEE, prej vitesh ka qenë objekt i punës së Prokurorisë dhe kjo natyrisht lidhet me vjedhjen e hapur apo të kamufluar që i kanë bërë këtij produkti hidrik, nga shtresa më e ulët e deri tek shtresa më e lartë e shoqërisë, nga fukarai deri tek zengjini, ku natyrisht këta të fundit gjithmonë kanë dalë “pa lagur” duke mbyllur gjithçka pa zhurmë, kurse pjesa tjetër është kalbur në biruca edhe pse me barkun bosh.
    Sigal