Një çaj i ftohtë sherebele nga malësitë e Shqipërisë

642
Në Shqipëri sherebela është një kulturë me shumë rëndësi. Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe, por edhe në malësi të tjeta të vendit të Veriut dhe të Jugut, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës.
Dhe nuk është çudi që amerikanët, gjermanët, francezët e duan dhe kërkojnë kaq shumë sherebelën tonë, për shkak të vlerave unike.
Diçka është e sigurt, asnjë vend në botë nuk prodhon këtë cilësi bime, si kjo jona. Sherebela shqiptare eksportohet shumë në disa kontinente, duke e lënë tregun vendas pothuajse bosh dhe duke i lënë të apasionuarit e çajit të varen tek bustinat me pluhur çaji të zi apo jeshil apo me gjithfarë shijesh e ngjyrash që vetëm natyrale nuk janë.
Për të mos folur për çajin pudër plot me kimikate aromatike!
Por sherebela mund të gjendet në treg, njëlloj siç gjendet çaji i malit dhe me siguri pasi të mësoni mbi vlerat e saj do të nxitoni të gjeni sherebelën e jugut e të veriut. Sidomos në stinën e verës, preferohet shumë çaji i ftohtë i i sherebelës, i cili përgatitet njëlloj si çaji i malit dhe i nënshtrohet procesit të ftohjes dhe servirjes me akull.
Sherebela ka aftësi anti-inflamatore, antioksiduese and anti-mikrobiale, por gjithashtu ndihmon në hapjen e oreksit. Për shkak të këtyre cilësive, çaji i sherebelës ka shumë veti të mira shëndetësore.
Efekte antioksiduese
Antioksiduesit shërbejnë si pastrues për të hequr radikalet e lira të metabolizmit dhe toksinat e tjera nga trupi. Antioksiduesit ndalojnë radikalet e lira që të sulmojnë indet qelizore, duke ndaluar në këtë mënyrë plakjen e parakohshme dhe rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës.
Çaji i sherebelës është për këtë arsye një burim i fuqishëm me antioksidantë, që ndihmon për t’i mbajtur larg efektet shkatërruese të radikaleve të lira.
Parandalon zhvillimin e qelizave të dëmshme
Çaji i sherebelës mund të ndihmojë në parandalimin e disa formave tumorale të qelizave të dëmshme. Sipas një studimi të publikuar nga “Revista e Bujqësisë dhe Kimisë Ushqimore” përbërësit fenolikë të sherebelës sigurojnë vlera antioksidante, të cilat mbrojnë ADN-në nga dëmtimet në zorrën e trashë.
Ekstraktet e sherebelës sigurojnë riaftësim të menjëhershëm të ADN-së. Një studim i publikuar në vitin 2009 nga revista “Të ushqyerit dhe sëmundjet serioze” zbuloi që acidi, i cili është një nga përbërësit më aktivë në çajin e sherebelës, shkakton shkatërrim të parakohshme të qelizave dhe bllokon riprodhimin e qelizave malinje.
Mëlçi më e shëndetshme
Efektet antioksiduese të çajit të sherebelës mund të përmirësojnë funksionet jetësore të mëlçisë. Një studim i publikuar nga revista “Ethnopharmacology” tregon se çaji i sherebelës u përdor në vend të ujit për 14 ditë. Rezultatet treguan një rritje prej 24% të nivelit të antioksidantëve në mëlçi. Çaji i sherebelës gjithashtu tregoi efekt pozitiv në mbrojtjen e lipideve të mëlçisë nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat e mëlçisë. 
Ndihmon kundër ankthit
Çaji i sherebelës mund të ndihmojë në reduktimin e ankthit dhe në përmirësimin e humorit. Në një studim të kryer, një grup të rinjsh të shëndetshëm morën 300-600 miligramë suplemente të gjetheve të sherebelës përpara dhe pasi u bënë pjesë e një testimi për vlerësimin e nivelit të stresit. Të dyja sasitë përmirësuan humorin. Sasia më e ulët e përmirësoi ankthin përpara testit por jo gjatë tij. Ndërsa sasia më e madhe përmirësoi vigjilencën dhe qetësinë dhe performoi rezultate më të larta të testeve.
Për të mos u neglizhuar
Çaji i sherebelës shkakton kontraktim të traktit urinar dhe këshillohet të mos përdoret tek gratë shtatëzëna. Sasi të mëdha të sherebelës mund të shkaktojnë kriza, marrje mendsh dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Nëse vuani nga diabeti, përdoreni vetëm me këshillimin e mjekut.
Të mira plus
Çaji i sherebelës është shumë i mirë për uljen e temperaturës dhe të ftohtët, për zbutjen e acarimit të fytit, dhimbjen e kokës si dhe për problemet e tretjes.
Sigal