Një “Altertekst” bashkëkohor për arsimin shqiptar

    534
    Sigal

    Forum/Flasin për “Altertekstin”, Akademiku Jorgaq Kaçani, Prof. Dr. Shezai Rrokaj dhe Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit dhe Shkencës

    Reforma e “Altertekstit” edhe pse po aplikohet prej vitesh në arsimin shqiptar ende lë vend për diskutim. Me këtë reformë është thyer tradita e të pasurit një tekst unik duke bërë të mundur që për të njëjtën lëndë të ketë alternativa të ndryshme. Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, shprehet për “Telegraf” se reforma e altertekstit ka sjellë një përmirësim të vazhdueshëm të tekstit shkollor. Për z. Kristiqi alternativat e librit shkollor kanë sjellë cilësi në mësimdhënie dhe duke qenë se mësuesi është zot i përzgjedhjes së tekstit ka sjellë që korrupsioni në nivel ministrie të jetë zero. Por jo të gjithë e miratojnë këtë reformë. “Tekstet duhet të jenë të unifikuara duke filluar që nga abetarja me të cilën një fëmijë shkon për herë të parë në shkollë e në vijimësi”, shprehet Akademiku, Jorgaq Kaçani, njëherësh Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Gjithashtu nuk mungojnë dhe zërat për ekzistencën e korrupsionit në reformën “Altertekst”.  “Nuk vendos më, teksti më i mirë që rezulton nga konkurrimi, që të jetë teksti më i përthithur në shkolla, por rezulton që të jetë teksti më i tërhequr” shprehet Prof.Dr. Shezai Rrokaj, Dekan i fakultetit Histori-Filologji në UT.

    AKADEMIK, JORGAQ KAÇANI: TEKSTET DUHET TË JENË TË UNIFIKUARA!

    Mendimi im është që tekstet duhet të jenë të unifikuara, duke filluar që nga abetarja me të cilën një fëmijë shkon në shkollë për herë të parë dhe bën përvetësimin e saj, sigurisht me programe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe programe të tilla duhet të jenë në vazhdimësinë e tyre, pra në të gjitha lëndët dhe sidomos po them në lëndë të tilla, që janë shkencat fondamentale siç është: Matematika, Fizika, Kimia, Biologjia apo Historia e Shqipërisë. Duhet të jenë të tilla që të jenë unike dhe mbi bazën e këtyre njohurive, të cilat duhet të jenë programe të miratuara me tekste të unifikuara për mendimin tim, dhe këto do të japin mundësi pastaj, që Matura Shtetërore që ne bëjmë sot,  të ketë mundësi që vlerësimin e maturantëve ta bëjë mbi të njëjtat njohuri që janë marrë në formimet e shkollës fillore, 9-vjeçare, apo të shkollës së mesme. Dhe kjo do të bëjë, që edhe programet e lëndëve të teksteve universitare të jenë të ngritura mbi bazën e këtyre njohurive që merren në formimet e shkollave të mesme, në mënyrë që të ketë vazhdimësinë e tyre dhe piramida e njohurive të vijë gjithmonë mbi një bazë të ngritur dhe të mos kemi boshllëqe. Dhe të mos ndodhë që një tekst i formimit inxhinierik  të kërkojë shtesë të formimit të shkollës së mesme, në mënyrë që të vazhdojë më pas formimi inxhinjerik. Po jap një shembull: Ne kishim një projekt “Tempus” dhe u shtrua problemi i teksteve të matematikës të shkollave inxhinierike dhe duhej të merreshin tekstet e një universiteti, por dilte problemi tani, që njohuritë e shkollës së mesme nuk ishin të tilla që të mbështeteshin këto tekste mbi njohuritë e shkollës së mesme. Pra, këtu duhet të synohet që tekstet të jenë të tilla që edhe njohuritë universitare të ngrihen mbi bazën e njohurive të shkollave të mesme, pa patur nevojë për njohuri suplementare për formimin inxhinierik. Ky është mendimi im dhe kjo do të jetë në të mirë të edukimit të shkollimit dhe mbi të gjitha të cilësisë të shkollimit të nxënësve

    JOVAN KRISTIQI, KËSHILLTAR I MINISTRIT TË ARSIMIT DHE SHKENCËS: E GJITHË EVROPA PUNON ME SISTEMIN ALTERNATIV

    Reforma e “Altertekstit” pavarësisht nga vështirësitë e veta, ka pësuar një ndryshim dhe një përmirësim të vazhdueshëm vit pas viti. Ne jemi kujdesur që duke pasur parasysh të metat e një viti më parë t’i përmirësojmë në paketë të gjitha. Po t’i futemi zbatimit praktik, çfarë ka sjellë ajo deri tani? Unë nuk do zgjatem shumë në teoria, vetëm do të them kaq: po të krahasosh një tekst unik shkollor që ka qenë i vitit 2003-2004 me serinë e alternativave që ka ky vit shkollor, është një  dallim rrënjësor si për sa i përket përmbajtjes, ashtu dhe për sa i përket cilësisë së tekstit. Mos të flas pastaj, kur kemi raste të konfliktit të interesit, kur atëherë të gjithë punonjësit e ministrisë ishin përfshirë në këtë, aq më tepër që teksti ishte unik, kështu që ka një dallim rrënjësor në përmbajtje. Tekstet tani janë shumë më të mira se sa kanë qenë. Sigurisht në katalog mund të ketë dhe tekste të dobëta, që kanë hyrë dhe në vitet e para kur koha e hartimit të tyre ishte shumë e shkurtër. Me hyrjen e kurikulës së re, këto tekste do të dalin të gjitha jashtë loje dhe sigurisht edhe nga viti në vit ne gjithmonë kemi pasur tekste më cilësore. E dyta, mësuesit që përdorin atë tekst; një mësues i mirë e gjykon atë tekst gjatë gjithë vitit dhe shikon vlerat, njëkohësisht ai shikon dhe alternativat e tjera. Po flas për mësuesit, nuk po futem në nivelin e nxënësit, se ka prindër që kujdesen për fëmijën e tyre dhe mund t’i marrin 3-4 alternativa të librave dhe gjithmonë mësimi bëhet shumë më i mirë kur punon me 2-3 libra, sesa me një libër të vetëm. Ty të  hapen dritare për të parë edhe mënyra të ndryshme sesi zhvillohet ajo orë mësimi. Për mësuesit ka një avantazh shumë të madh parimi i alternativave të ndryshme. Do të thuash ti, a i ka mësuesi këto alternativa? Në bibliotekat e shkollave i kanë të gjitha alternativat edhe nëse mësuesi nuk i ka personalisht, por edhe një drejtor i kujdesshëm duhet t’i ketë të gjitha alternativat dhe duhet të ketë një seksion të veçantë në bibliotekën e shkollës pikërisht për tekstet shkollore. Përveç kësaj, komisionet lëndore duke pasur shumë alternativa mund të bëjnë mbledhje me shumë vlera, për të diskutuar për vlerat e këtyre alternativave. Dhe së fundi, e gjithë Evropa punon me sistemin alternativ, kështu që ne, nuk mund të mbetemi me metodat e vjetra të sistemit unik me një tekst. Megjithatë, sigurisht që ne mund ta kufizojmë numrin e alternativave, nëse janë shumë në disa lëndë të veçanta, se në përgjithësi numri i alternativave është 3-4, maksimumi 5, të tjerat mund të qëndrojnë në katalog dhe do vijë koha që dhe ato do të hiqen, se nuk përzgjidhen nga shkollat. Por mund të vijë  që të reduktohet ky numër i alternativave, është çështje e brendshme e Ministrisë së Arsimit pastaj, por MASH, ngaqë nuk ka dashur të përzihet fare, që të mos akuzohet për nivel korruptim, siç ka qenë më parë, e ka decentralizuar komplet dhe ka thënë: pesë alternativa le të qëndrojnë, se po të  zgjidhnim në tre do të na akuzonin pastaj, i zgjodhët vetë ju, pra nga çdo anë që ta kapësh, korrupsioni në nivel ministrie është zero.

    PROF. DR. SHEZAI RROKAJ: ALTERTEKSTI, NË TRYSNINË E POLITIKËS OSE TË KORRUPSIONIT

    Një tjetër problem i shkollave tona është dhe “Alterteksti”. Reforma e “Altertekstit” duhet riparë, sepse teksti me të cilët mësojnë nxënësit që na vijnë në Universitet nuk është rezultativ. Reforma e “Altertekstit”  është deformuar në mënyrë të atillë, saqë nuk vendos më teksti më i mirë, që rezulton nga konkurrimi që është bërë, të jetë teksti më i përthithur në shkolla, por rezulton që të jetë teksti më i tërhequr, ai që vendosin drejtorët e drejtorive arsimore në bashkëpunim me shtëpitë botuese, të cilat vendosin marrëdhënie ndonjëherë, pse të mos e themi, futet në atë që quhet trysni, në trysninë e politikës ose në trysninë e korrupsionit. Në të dyja rastet është korrupsion.