Një 9-vjeçar shkon në bashkinë e Fierit, kërkon 5 mijë lekët e lindjes

    424
    Sigal

    Pas një telefonate në ‘News 24’ dhe ankesës së një fëmije në ‘Telegraf’

    Për fëmijët që linden, prej 9 vitesh, prindërve nuk u jepet 5 mijë lekëshi, i caktuar me ligj. Gazeta ‘Telegraf’, nxitur prej një telefonate në mëngjesin e datës 5 janar 2015, bërë prej një qytetareje në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’, drejtuar në ‘News 24’ nga publicisti dhe shkrimtari i njohur Bashkim Hoxha, po i rikthehet sërish problemit të trajtuar lidhur me pagesat ligjore, që duhen dhënë për fëmijët e lindur. Sipas vendimit të qeverisë, për çdo fëmijë të lindur, jepet 5 mijë lekë të reja shpërblim. Ky shpërblim, jepet ditën që fëmija i lindur regjistrohet në gjendjen civile të qendrës ku banon. Sipas vendimit, këtë shpërblim prindërit e tërheqin në zyrat e bashkive dhe komunave ku janë banorë. Por ky shpërblim lindjeje, nuk po jepet që prej vitit 2006, kur është miratuar nga qeveria. Qytetarët paraqiten në zyrat e pushtetit lokal me letrat e fëmijës së lindur për të marrë shpërblimin 5 mijë lekë që u jep ligji, por zyrat e financës nuk ua japin, me justifikime absurde, si ‘nuk ka fonde, nuk janë miratuar fondet nga qeveria, nuk i ka firmosur fondet Ministria e Brendshme…’. Këtë shqetësim e kanë aktualisht shumë familje, të cilat prej disa vitesh (sipas të drejtës ligjore) po kërkojnë lekët dhe nuk ua japin. Ata fëmijë që kanë lindur në vitin 2006, tani janë bërë 9 vjeç dhe ka ndodhur, që 9, 8 e 7-vjeçarë të bërë ‘burra’, kanë shkuar edhe vetë në zyrat e bashkive e komunave për të kërkuar 5 mijë lekët që u takojnë me ligj! Rasti më i fundit, ka ndodhur 10 ditë më parë në bashkinë e Fierit, ku një 9-vjeçar ka shkuar vetë në zyrën e financës për të tërhequr 5 mijë lekët që i jep ligji, por që bashkia nuk u ka dhënë prindërve të tij në ditën e lindjes. Disa kohë më parë, këtë shqetësim ma bëri prezent edhe qytetari Agim Xhaliaj nga Memaliaj, të cilit prej 7 vjetësh nuk i japin 5 mijë lekët e nipit të lindur. Sipas një burimi nga pushteti lokal, 8782 familjeve në Shqipëri nuk u është dhënë 5 mijë lekëshi për fëmijët e lindur, disave edhe për 2 e 3 fëmijë të lindur. Ky mohim të drejte dhe shkelje ligji, po vazhdon të ndodhë ende në të 387 bashkitë dhe komunat e vendit, të cilat nuk japin shpërblimin ligjor. Sipas një informacioni nga Ministria e Financave, për vitin 2015 nuk është planifikuar fondi për pagesat e këtij shpërblimi, ndërkohë që në vitet 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012 e 2013, ky fond është tërhequr nga bashkitë e komunat në masën 60 %, por është shpenzuar për pagesa të tjera, deri edhe për blerje kolltuqesh e shtesë karburanti për kryetarët dhe për ‘dreka pune’, ndërsa 40 % e fondit të nuk është akorduar prej qeverisë në llogaritë e bashkive dhe komunave.