Nishani në Mal të Zi me Kryeministrin Dukanoviç: Kemi vlera të përbashkëta

484
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi zhvilloi një takim të veçantë edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Milo Dukanoviç. Nishani në bisedën me Kryeministrin e Malit të Zi vlerësoi kontributin personal të Kryeministrit Dukanoviç në krijimin e marrëdhënieve shumë të mira e miqësore mes Shqipërisë me Malin e Zi, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta.
Presidenti Nishani i shprehu Kryeministrit Dukanoviç mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në zonën e jugut të Shqipërisë. “Ndihma në raste fatkeqësish dhe katastrofash natyrore meritojnë gjithmonë mirënjohje, por kur ato vijnë nga një vend fqinj e mik ato janë të paçmueshme.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.
Presidenti i Republikës vlerësoi interesin e përbashkët të të dy vendeve për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar duke theksuar se ky bashkëpunim është ende larg marrëdhënieve shumë të mira politike. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se falë kuadrit ligjor të përbashkët, ekzistojnë të gjitha mundësitë që institucionet e të dy vendeve të evidentojnë, vlerësojnë dhe shfrytëzojnë sa më mirë potencialet dhe burimet natyrore dhe njerëzore, për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, në fushat me interes të ndërsjellë. Në mënyrë të veçantë, të dy bashkëbiseduesit trajtuan edhe mundësinë e nxitjes së projekteve konkrete, si në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmes përmirësimit të infrastrukturës në lidhjet mes dy vendeve dhe nxitjes së turizmit në Liqenin e Shkodrës, por dhe përmes mundësisë së përmirësimit të lidhjes së linjës hekurudhore mes dy vendeve.
Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit, telekomunikacionit dhe bujqësisë kanë një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. “Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal, duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani edhe në takimin me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Đukanović trajtoi çështjen e pakicave kombëtare, duke vlerësuar rolin e tyre si ura lidhëse të rëndësishme e të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi duhet të ndihen të mirëpërfaqësuar si dhe duhet të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj.
“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin e gjuhës shqipe, si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare” – u shpreh Kreu i Shtetit
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e një vizitës shtetërore në Mal të Zi, u prit sot nga Presidenti, Filip Vujanoviç, me të cilin bisedoi dhe shkëmbeu mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal, evropian, por edhe global. 
Sigal