Nis studimi i Waterfront-it. Mendohet krijimi vijës re bregdetare Port-Kallm

    429
    Sigal

    Bashkia, do t’i kërkojë Ministrisë së Turizmit heqjen e licencës për sipërmarrësin gjerman që nuk zbaton projektin

    Ka nisur në Durrës studimi i një vije bregdetare me plazhe dhe miniporte për varkat dhe motoskafët në pjesën perëndimore të qytetit, që do të shërbejë ndoshta edhe për sezonin veror 2014. Ajo do të jetë zona me plazhe për banorët e qytetit, të cilët kanë nisur t’i largohen plazhit të vjetër. Po në këtë studim, bashkia do t’i kërkojë Ministrisë Turizmit edhe heqjen e licencës për sipërmarrësin gjerman, i cili ka 19 që ka marrë truall bregdetar në Currila për të ndërtuar një port jahtesh e që në realitet ka krijuar vetëm një zonë të rrethuar me gurë. Projekti për vijën bregdetare Port-Kallm është i pari në këtë pjesë të Durrësit dhe do të realizohet nga specialistë të këtij institucioni brenda vitit 2014. Projekti quhet “Vvaterfront” dhe ka për qëllim transformimin e kësaj pjese të bregdetit në një kompleks turistik për banorët e qytetit të Durrësit. Bashkia e Durrësit ka parashikuar hartimin e një projekti i cili përfshin studimin e vijës bregdetare që nis nga pjesa e jashtme e portit detar e që shkon deri në Kallm. Vija ka gjatësi 4 km dhe në pjesën më të mirë të saj është ende e pashfrytëzueshme. Qëllimi i këtij projekti është disaplanësh ai synon të shtojë sipërfaqet e plazheve për banorët e Durrësit, të krijojë mundësi për biznesin detar nëpërmjet ndërtimit të porteve për ankorimin e varkave dhe motoskafëve përfshirë edhe jahtet si dhe të ndërtimit të pistave detare si dhe të tjerave elemente që mund të ketë një bregdet. Projekti është konceptuar të realizohet në 2 faza, ku në fazën e parë do të realizohet studimi në letër dhe në një fazë të dytë do të nisë zbatimi i tij pjesë-pjesë në vartësi të sigurimit të fondeve. Ky projekt është ndërmarrë një kohë kur rritja e popullsisë në Durrës si dhe betonizimi i plazhit të vjetër dhe të atij të Golemit kanë evidentuar nevojën për krijimin e hapësirave të reja për plazhe dhe të një infrastrukture të re për banorët. Në vitin 1994 , Ministria e Turizmit në bashkëpunim me atë të Transporteve i dhanë të drejtën e ndërtimit të një porti jahtesh në zonën e Currilave një sipërmarrësi gjerman i cili bashkë me lejen ai siguroi edhe titullin e subjektit të favorizuar që do të thotë më pak taksa si në degën e tatimeve ashtu dhe në doganë. Por edhe pse kanë kaluar mbi 15 vjet që nga ajo kohë, sipërmarrësi gjerman i cili ka marrë jo pak por 8 ha bregdet dhe ujë, nuk ka ndërtuar asgjë. Janë hedhur në det gurë dhe objekte të tjera inerte dhe ende nuk është ndërtuar asnjë metër kalatë duke dëmtuar në këtë mënyrë mjedisin detar. Atij i është hequr titulli i “subjektit të favorizuar” dhe megjithatë gjërat nuk ndryshuan.