Nipërit u kërkojnë gjyshërve ndihmë për të blerë librat, të moshuarit u japin lekët e ilaçeve

    347
    Sigal

    BERAT/ Skicat e Migjenit dhe romanet e Hygoit janë prezente në Berat, ku varfëria arrin kulmin

    Librat e Viktor Hygoit të madh për mjerimin njerëzor, nuk janë asgjë fare përpara tragjedisë së disa fëmijëve shqiptarë, që nuk kanë lekë për të blerë librat e shkollës. Atyre u dridhet buza kur shohin prindërit, që nuk kanë lekë, as për të blerë bukë dhe nuk guxojnë të hapin gojën për të folur mbi kërkesat e tyre shkollore. Sepse, tanimë, ata janë të rritur dhe e dinë fare mirë se çdo të thotë në ditët e sotme, që prindërit të jenë të varfër dhe të mjeruar deri në atë pikë, saqë të mos guxojnë të shohin në sy, fëmijët e tyre. Kjo panoramë e frikshme, që dikur shfaqej në tablotë e Migjenit, sot ekziston në lagjen “30- Vjetori” të Beratit, ku gjyshërit nuk blejnë ilaçe, vetëm për të kursyer paratë që të blejnë librat e nipërve të tyre. Këta gjyshër dhe gjyshe fisnike, i durojnë me vështirësi dhimbjet e trupit, vetëm për të blerë një abetare për nipërit e vegjël, apo një libër aritmetike. Dhe fëmijët, shohin të tronditur se si të moshuarit mbeten pa blerë barnat mjekësore për ta. Madje, për të përballuar situatën e kërkesave shkollore, ata kërkojnë ndihmën e gjyshërve për të blerë librat. Megjithëse, e dinë fare mirë se sa nevojë kanë gjyshërit, çdo muaj për ilaçet.

    Varfëria në familjet beratase ka bërë që një numër i madh fëmijësh të kërkojnë ndihmën e gjyshërve për të blerë librat shkollorë, pasi prindërit e tyre nuk kanë mundësi financiare.

    Fakti

    Ky fakt i dhimbshëm bëhet i ditur për gazetën “Telegraf”, nga disa pensionistë, të cilët kanë ngelur të shtangur përpara kësaj kërkese jo të zakonshme. Asllan Myrto, 69 vjeç, banorë në lagjen “30- Vjetori” është shprehur: “Jam tronditur pa masë kur më ka ardhur nipi shumë i shqetësuar dhe më ka kërkuar ndihmë duke më thënë: Gjyshi më ndihmo të lutem që me pensionin tënd të më blesh librat, se babai nuk ka asnjë qindarkë në xhep…edhe motra është pa libra gjyshi, të lutem na ndihmo. Nisur nga ky diskutim i vogël që pata me nipin tim sapo mora pensionin menjëherë kam shkuar së bashku me të dhe mbesën për në shkollë, për të marrë librat. Por si unë kishte shumë pensionistë të tjetër, të cilët me pensionin e tyre në duar kanë shkuar tek shkolla për të blerë librat e nipërve apo mbesave të tyre. Gjendja financiare ka bërë që edhe fëmijët të jetojnë me ankth, jo vetëm për bukën, por dhe për tekstet që janë të detyruara që të vazhdojnë shkollën. Vërtet ua bleva librat, por tani mbeta pa blerë ilaçet e muajit që më kushtojnë 5 mijë lekë të reja”, tha Myrto. Por edhe 78-vjeçari Sabedin Musta, i cili pasi mori librat e nipit nuk ka blerë ilaçe, e kështu këtë javë është ndjerë keq nga gjendja shëndetësore. “Por më mirë le të vuajë se sa të lija nipin pa tekstet shkollore. Jeta jonë iku, por jeta e fëmijëve vazhdon dhe ata kërkojnë ndihmën tonë”, tha Musta. Sipas pensionistëve bëhet me dije se, rreth 70 për qind e tyre i kanë harxhuar pensionet për blerjen e librave, të nipërve apo mbesave. “Ne nuk kemi mundësi më, që të blejmë ilaçet, të pimë ndonjë kafe apo të blejmë ndonjë gazetë, pasi mosha që kemi, na i do të gjitha, por më mirë të mbetemi pa bukë sesa të lëmë fëmijët pa dije”, janë shprehur disa pensionistë të lagjes “28 Nëntori”. Në Qarkun e Beratit, ka shumë fëmijë që nuk arrijnë të marrin tekstet shkollore, pasi shumë familje jetojnë me përkrahje sociale, e cila nuk mjafton për blerjen e librave, pasi shumica e familjeve ka 3 apo 4 fëmijë që vazhdojnë shkollën, në klasa të ndryshme. Shumë prindër si gjithmonë kanë shkuar në shkollë duke shënuar emrin për të marrë librat dhe më pas me kismet të zotit, mund të shlyejnë ato. Ndërsa nëpër zonat rurale gjendja është më e rënduar. Varfëri ka ndikuar shumë në jetën e këtyre fëmijëve të pafajshëm.