Nikollë NDOKU*/ Në kujtim të minatorëve të Rubikut frymëzuesit e “Guri i besës”

    642
    Sigal

    Në çdo 1 Maj transmetohet filmi artistik ”Guri i Besës” realizuar në Rubik dhe që i kushtohet grevës së minatorëve të kësaj treve me besë e burrëri. Ajo bërthamë punëtorie e galerive të Rubikut, në fillim prej më pak se 100 vjetësh, mund të konsiderohet si fidanishtja e parë e klasës punëtore në Shqipëri, bashkë me minatorët e bitumit të Selenicës dhe naftëtarëve nismëtarë të Kuçovës.

    Pak histori

    Në vitet ’30 të shekullit XX në Rubik u kryen kërkime dhe studime gjeologjike nga studiues e shkencëtarë të huaj, u kryen studime të vazhdueshme në kërkim të gurëve të çmuar të mineralit, aty ku sot është miniera, në Vele, Erëz dhe Kulme. Pasi u zbuluan rezervat e mineralit të bakrit, me 30 mars 1938 qeveria e Zogut I-rë dha të drejtën për shfrytëzimin e minierës së re shoqatës italiane ” SIMSA” me kapitalist Pridi Dalfini, ku u morën një sipërfaqe prej 17 hektar tokë për një periudhë prej 99 vitesh. Kjo shoqëri filloi punimet në Rubik e Kulme me sipërmarrës vendas e të huaj italianë. Shfrytëzimi i minierës bëhej me shumë vështirësi, sepse në galeritë dhe puset e thella kishte shumë ujë, madje kishte shembje të fronteve të punës nuk kishte mekanizime dhe shfrytëzohej krahu i lirë i punës. Të gjitha proceset e punës kryheshin me forcën e krahut të minatorëve, drejtuesit e ndërmarrjes nuk jepnin asnjë zgjidhje e pikërisht për këtë gjendje të rënde urrejtja e minatorëve shtohej çdo ditë. Ata paguheshin 5 (pesë) lekë në ditë dhe punonin 13 orë në ditë. Mensa funksiononte vetëm për të huajt. Për të fjetur minatorët shtronin në vend të dyshekut dushk dhe një pjesë e mirë e tyre flinin poshtë këmbëve të urës mbi lumin Fan. Për kuajt e tyre italianët kishin ngritur stalla ku atyre u shërbehej më mirë se minatorëve. Nga ky shfrytëzim i jashtëzakonshëm po rritej ndërgjegjësimi i minatorëve për të luftuar me çdo mjet për të fituar të drejtat e tyre për sigurimin e bukës dhe jetesës për familjet e tyre. Në këto kushte minatorët filluan të organizoheshin duke ngritur këshillat punëtore me një fshehtësi të madhe sipas brigadave dhe sektorëve, në mënyrë që të mos binin në sy të padroneve, pasi ata nuk i lejonin grumbullime të tilla. Minatorët përballeshin me vështirësi të jashtëzakonshme. Duke parë këto kushte u shtua revolta derisa minatorët vendosën të fillonin grevën. Për këtë padronët italianë morën masa ekstreme ndaj punëtorëve duke i gjobitur e larguar nga puna, por me këto veprime ata ngjallen pakënaqësi e urrejtje të jashtëzakonshme te punëtorët shqiptarë ndaj padroneve italianë.

    ……………… dhe greva 

    Kështu më 7 gusht 1938 në mbrëmje minatorët Mark Preng Mark Zefi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Ndue Llesh Ndoka, Llesh Mark Ndoj, Ndrec Ndue Lleshi, Nikoll Preng Nikolli dhe Gjergj Marena u takuan me gjithë minatorët e tjerë dhe iniciuan grevën. Minatorët zbriten nga Kulmja e ranë në Rubik pasi të nesërmen më 8 gusht 1938 u vendos që të fillonte greva. Grupit nismëtar iu bashkuan edhe Ndue Geg Perlala, Gjin Mark Lleshi (Doda), Mark Preng Buba dhe Pjeter Preng Biba nga Lugjajt. Me 8 gusht 1938 në mëngjes, minatorët bllokuan zyrat e drejtorisë së ndërmarrjes, mbasi atë ditë ishin pjesa më e madhe e kuadrove drejtuese sepse ishte ditë që shpërndaheshin pagat e punëtorëve. Drejtuesit italiane u befasuan nga një organizim i tillë i papritur i të gjithë minatorëve ndaj dhe deshën të largoheshin, por minatorët nuk i lejuan pa marrë në konsideratë kërkesat e tyre e për t’i dërguar ato në Tiranë. Nga presioni i minatorëve ata u detyruan të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, të cilat ishin:

    1. Ulja e kohës së punës ditore nga 13 orë në 10 orë në ditë.

    2. Rritja e pagës nga 5 në 6 lek në ditë.

    3. Plotësimi i kushteve të punës dhe të jetesës.

    4.Të drejtën e pushimit javor e mujor dhe festave fetare.

    5. Garantimi për punë të pandërprerë e të vazhduar.

    Gjendja që u krijua tronditi jo vetëm drejtuesit e ndërmarrjes, por ajo befasoi edhe qeverinë e Ahmet Zogut pasi kërkesat e minatorëve ishin të prera.

    Kështu një rol të rëndësishëm luajtën këshillat punëtore që për atë kohë ishin në rolin e kryesive sindikaliste në Shqipëri. Minatorët kishin kërkuar me forcë se nëse përgjigja e ardhur nga lart, nuk do t’ua zgjidhte problemet e ngritura, puna nuk do të fillonte. Të detyruar nga kjo gjendje Prefektura e Shkodrës i bën telegram ministrit të punëve të brendshme me nr.486, ora 19 e 30, të po asaj dite ku thoshte se:

    Nënprefektura e Lezhës na njofton se 400 punëtorë të Rubikut dhe Kulme-Dervenit janë hedhur në grevë.

    Në përgjigje dërguan menjëherë komandantin e Lezhës me 20 xhandarë për të ndaluar grevën, por kjo nuk bëri efekt, pasi minatorët kishin lidhur besën të betuar duke kaluar gurin e vendosur në një kësulë të bardhë dorë më dorë, se derisa të zgjidheshin të drejtat e kërkuara puna nuk do të fillonte. Ata vunë në lëvizje edhe priftin e Rubikut At’ Ceril Cani, i cili thirri Mark Ndue Gegen që ishte në drejtim të kësaj lëvizjeje duke këshilluar se keni bërë mëkat që keni lënë punën dhe duhet të vini dhe të rrëfeheni sa më parë. Por Mark Ndue Gega iu përgjigj se, “ne nuk kemi bërë asnjë mëkat që të vijmë dhe të rrëfehemi. I kemi dhënë besën njëri-tjetrit, 400 burra, dhe Zoti thotë që besa e dhanë nuk thyhet. Me nis ju zotnij me rrëfy 400 burra do të duhen nja dy- tre muaj e nuk do të kesh kohë me ba punë tjetër kishtare. Prandaj ju lutem mos u merrni me punët e te tjerëve, por merru me punën tande fetare. Ne do të ndreqim disa nga problemet tona, ose do të vdesim, dhe ju duhet të ndihmoni jo të frenoni në rrugën që kemi nisur – i tha Mark Ndue Gega priftit të Rubikut.

    Greva jo vetëm që nuk u ndalua, por vazhdoi për 4 ditë rresht. Si shenjë revolte minatorët hodhën makinën e drejtorit nën urën e Rubikut, mbasi nga ana e tij nuk erdhi asnjë përgjigje për kërkesat e tyre. Më në fund nga ngjarjet që po ndodhnin padronet u detyruan që shumë nga kërkesat e minatorëve t’i jepnin zgjidhje me premtimin se do t’i realizojnë ato. Kështu më 12 gusht 1938 greva e minatorëve u mbyll dhe megjithëse mjetet e komunikimit në atë kohë ishin shumë të paketa, jehona e kësaj greve u dëgjua në mbarë vendin. Për këtë ngjarje erdhën përshëndetje nga naftëtarët e Kuçovës, minatorët e Selenicës dhe Mborje-Drenovës së Korçës. Pra ”Guri i Besës”, dorë më dorë, hyri në histori. Një gur bese në trevën e mirënjohur të besës.

     *Mësues, gazetar në ”Lissalba”