Nikollaj: Ministrat e Ramës bëjnë sehir

    419
    Sigal

    Përsëritet tragjedia, vdesin 2 minatorë në Martanesh. I vihen prangat pronarit të minierës

    Ende pa u mbushur të dyzetat e 3 punëtorëve që humbën jetën në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës, tragjedia përsëritet. Dje humbën jetën tragjikisht 2 punëtorë në minierën e Fushë Lopës, në Martanesh, duke e çuar në 6 numrin e viktimave të minierave, vetëm në këta dy muajt e fundit. 21 Janari përsëritet çdo muaj në realitetin shqiptar, ku viktimat nuk vdesin nga plumbi tashmë, por mbulohen të gjallë nga dheu i galerive të pasigurta të minierave tona. “Dhe kështu do të ndodhë, nëse nuk zbatohet rregullorja e sigurimit teknik. Shteti ynë nuk është eficent dhe këto tragjedi ndodhin pikërisht për këtë shkak”, shprehet për “Telegraf” kreu i Konfederatës Kol Nikollaj. Edhe pse tragjedi të tilla po i lënë vendin njëra-tjetrës, ministritë e linjës të qeverisë “Rama”, Ministria e Energjitikës dhe Industrisë me në krye Damian Gjiknurin dhe Ministria e Mirëqenies Sociale  dhe Rinisë me në krye Erion Veliaj po luajnë rolin e sehirxhiut. “Sot askush nuk kontrollon dhe ndjek zbatueshmërinë ligjore të sigurisë dhe ruajtjes së jetës e shëndetit të punëtorëve në asnjë tunel apo punim tjetër xhenjero-teknik civil. Inspektoriati Shtetëror i Punës kontrollon vetëm sipërfaqen dhe jo punimet nëntokësore (vakum ligjor). Avari Shpëtimi i Minierave ka prioritet vetëm sigurinë teknike në miniera. Agjencia e Burimeve Natyrore (AKPN) merret gjoja me mbrojtjen e të gjithave dhe të asgjëje dhe si përfundim me jetën e punëtorëve, me sigurinë e tyre në nëntokë apo mbi tokë, me shëndetin e tyre askush nuk merret… Të gjithë jemi dëshmitarë se si punohet në këtë vepër koncensionare apo dhe në të tjera, të gjithë kemi parë informalitet, abuzim, shkelje të drejtash elementare, jo vetëm të marrëdhënieve të punës, por dhe njerëzore”, shprehet Nikollaj.

     Tragjedia

    Tjetër tragjedi në minierat shqiptare. Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:00 në minierën e Fushë Lopës, në Martanesh. Raportohet se dy minatorë kanë humbur jetën teksa punonin brenda në galeri. Grupi i punës prej 7 minatorësh ndodhej në frontin e punës, në një galeri rreth 200 metra në thellësi të tokës, kur u shkëput një masiv shkëmbor dhe zuri poshtë dy minatorët, të cilët gjatën vdekjen e menjëhershme. Mësohet se viktimat janë një 30 vjeçar i identifikuar si Denaid Barçi dhe një 53 vjeçar i identifikuar si Xhemal Sela, nga Komsia e Matit. Në ‘galerinë e vdekjes’, u punua për disa orë me qëllim që të nxirren që nga gërmadhat, trupat e dy minatorëve. Kolegët që nxorën minatorët thane se mundësitë për shpëtim ishin të pakta, pasi viktimat qëndruan mbi 3 orë të mbuluar me dhe e gurë. Ndërsa bëhet me dije se bëhet fjalë për një minierë të licencuar, sipas rregullave të Ministrisë së Energjetikës.

     Arrestohet pronari i minierës

    Pronari i minierës së Fushë Lopës, në Martanesh ka rënë në pranga të policisë. Arrestimi i Shemsi Ballabanit ka ardhur fill pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në ambientet e minierës, ku humbën jetën dy minatorë. Mësohet se Ballabani është njëkohësisht dhe administrator i minierës. Ndërsa pronari shqiptar është arrestuar (dhe shumë mirë është bërë), ligji nuk vepron njëlloj për të gjithë. Tragjedia e ndodhur në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës ende nuk ka një autor. Pronari turk gëzon liri të plotë, ndërsa ende familjet mirditore vajtojnë viktimat e tij.

    PD: Bilanci më dramatik në miniera, ku kanë humbur Rama e Veliaj?‏

     Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në minierën e Fushë Lopës, në Martanesh, ku dhe për pasojë dy minatorë humbën jetën. Në një deklaratë drejtuar mediave, Koordinatorja e PD-së, Silvi Bardhi theksoi se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për përmirësimin e kushteve të minatorëve. Sipas PD-së, numri i aksidenteve në miniera është rritur shumë gjatë muajve të fundit. “Partia Demokratike është e shqetësuar për gjendjen e sigurisë në minierat tona. Në krye të vitit pas ardhjes së kësaj qeverie në pushtet, ka sot një bilanc lufte, më dramatiku në vitet e fundit, me mbi 13 viktima. Duke i shprehur ngushëllimet familjeve të dy viktimave të sotme në minierën e Martaneshit, Denain Barci e Xhemal Sela, duam të denoncojmë përkeqësimin në gjendjen e sigurisë në miniera, paaftësinë e qeverisë, mashtrimin epokal që kanë bërë e bëjnë çdo ditë me minierat e me minatorët. Zero reforma, përkeqësim në kushtet dhe trajtimin e minatorëve. Gënjeshtër e pashembullt me moshën e pensionit”, -theksoi gjatë fjalës së saj Bardhi. Sipas PD-së, të vetmet ndryshime të kësaj qeverie janë largimet e profesionistëve nga puna. “Të vetmet ndryshime të bëra, janë largimi i profesionistëve të repartit të inspektim-shpëtim minierave dhe zëvendësimi i tyre me militantë, si dhe trafikimi i licencave minerare për interesa klienteliste. Të gjithëve iu kujtohet se çfarë bënte në opozitë, Edi Rama dhe Erion Veliaj kur ndodhte ndonjë incident në miniera. Nxirrnin vrer nga nëntoka e drejtonin gishtin nga qeveria. U përbetuan se me ta, minatorët do të ishin të sigurt, do të dilnin në pension 55 vjeç, e do të ishin të lumtur.

    Ku janë sot Edi Rama dhe Erion Veliaj? Duke gërmuar në resorte turistike dhe nuk gjejnë asnjë sekondë kohë, as për të shprehur ngushëllime, teksa mbi supe nuk iu rëndon aspak përgjegjësia që kanë për humbjen e jetëve, për mungesën e sigurisë në punë, dhe për mashtrimin e turpshëm që kanë bërë për minierat dhe minatorët”, – thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

    MEI ngushëllon familjarët e viktimave të ngjarjes tragjike në Martanesh

     Ministria e Energjisë dhe Industrisë ngushëlloi dje, familjarët e dy minatorëve që humbën jetën mëngjesin e sotëm në minierën e kromit në Fushë Lopë të Martaneshit. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se me të marrë njoftimin, drejt vendit të ngjarjes janë nisur grupet e posaçme të Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave ndërsa paralelisht, grupet e tjera të ndihmës që ndodheshin në zonë kanë ndërhyrë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të dy viktimave. Ngjarja ka ndodhur në minierën e kromit, në galerinë nr. 7 të objektit Fushë Lopë, ku operon subjekti “Alba-Co”, me lejen nr.548, datë 06.04.2000. Pas nxjerrjes së viktimave nga galeritë, drejtuesit e Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.

    Nishani: Qeveria të garantojë më shumë siguri fizike për minatorët

     Për ngjarjen në Martanesh ka shprehur ngushëllimet e tij edhe Presidenti i vendit Bujar Nishani. Me anë të një njoftimi për familjarët, të afërmit e miqtë e minatorëve që humbën jetën dje në krye të detyrës, Kreu i Shtetit shprehet se është i pikëlluar dhe i tronditur, ndërsa shton se ju gjendet pranë atyre në këtë ditë të vështirë. Por njëkohësisht, Kreu i Shtetit iu bën apel autoriteteve qendrore të marrin masa dhe të punojnë më shumë përsa i përket sigurisë fizike të minatorëve. “Kërkoj nga autoritetet qendrore të punojnë pa u ndalur për rritjen e sigurisë fizike të minatorëve si dhe për shtimin e kujdesit social ndaj familjeve të kësaj kategorie që shpesh janë ballafaquar me rreziqe të larta, deri në humbjen e jetëve të të dashurve të tyre”, shprehet Nishani.