Nikolla: Shteti përgjegjës për katastrofën. Kishim paralajmëruar një Gërdec të dytë

    455
    Sigal

    Tragjedia, 7 të vdekur, brenda një dite, në minierat e Pogradecit dhe të Librazhdit

    Babëzia për të fituar miliona dhe mungesa e shtetit janë përgjegjës për tragjedinë e humbjes së jetës së 7 të rinjve në minierat e Pogradecit dhe të Librazhdit. Të jesh i varfër nuk do të thotë të shkosh për të vdekur. Në qoftë se, shteti do merrte masat për t’i mbyllur në përputhje me rregullat teknike minierat e vjetra, ata nuk kishin përse të futeshin. Fatkeqësisht, minierat e vjetra janë një rrezik mjaft i madh dhe një varr i hapur, nëse shteti nuk vë dorë në mbylljen e tyre. Kjo është papërgjegjshmëri dhe papërgjegjësi e shtetit. Kështu shprehet për gazetën “Telegraf” Kryesindikalisti, Kol Nikolla. Pasi shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, Nikolla u shpreh se “ne kemi kohë që e kemi ngritur zërin për probleme të tilla, jo vetëm në minierën e Pogradecit, apo të Librazhdit, por një aksident i tillë është kudo prezent: Në Pukë, në Mirditë, në Bulqizë e deri në Tepelenë, pasi minierat e vjetra që janë hapur në kohën e komunizmit, janë të gjitha burim aksidentesh, sepse nuk janë mbyllur në përputhje të plotë me rregullat e sigurisë teknike”.  Më tej, z.Nikolla tregon se prej 15 vjetësh Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM-i), Albakri dhe Albkromi, si ndërmarrje shtetërore, që kanë për detyrë për të mbyllë në mënyrë ligjore dhe teknike këto miniera, që ti bëjnë të pamundura për hyrjen e njerëzve, përveçse kanë konsumuar fondet, asgjë tjetër nuk kanë bërë. “Një minierë nuk mbyllet, as me ferra, as me tela dhe as me pllaka betoni, por ka një rregullore: Të gjitha mbyllen duke shpërthyer me dinamit hyrjen e tyre, për të bërë të pamundur hyrjen e njerëzve qoftë edhe me anë të mjeteve mekanik. Fatkeqësisht, nuk është vepruar kështu, por mbyllen formalisht dhe sot këto janë burim rreziku, qoftë për njerëzit që e shfrytëzojnë për të nxjerrë mineral, qoftë për ata që e shfrytëzojnë për të nxjerrë hekurishte” shprehet Kryesindikalisti. Në zonat rurale, varfëria është e tejskajshme dhe njerëzit duke qenë se kanë probleme ekonomike, futen në këto miniera për të nxjerrë qoftë hekur për ta shitur; vagona të vjetra, shina, hekurishte të tjera, por edhe për mineralin e kromit. Nikolla tregon se “nëse një kile bukë sot bën 400 lekë të vjetra,  njerëzit që futen nëpër zgafellet e minierave të vjetra, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, 1 kg krom u blihet për 200-500 lekë të vjetra kilja. Në këtë kuadër, RISHM-i dhe AKBN janë totalisht jashtë loje, pasi janë dy institucione që duhet të marrin masa për ta eliminuar këtë dhimbje”. Një faktor tjetër në krijimin e këtyre tragjedive, sipas Nikollës është mosfunksionimi i Drejtorisë së Minierave në Ministrinë  e Ekonomisë dhe Industrisë, e cila mbikqyr AKBN-në dhe RISHM-in. Këto janë dhe pjesë e problemit, pasi ato duhet të kontrollojnë projeket, të miratojnë dhe të mbikqyrin planin e zbatimit për mbylljen e minierave. “Por ato nuk e bëjnë këtë procedurë, se një pjesë e inxhinjerave që janë pjesë e tyre janë gjithashtu të punësuar si inxhinjera në këto subjekte private dhe kanë konflikt të hapur interesi. Po kështu RISHM-i ka vetëm 36 punonjës ndërkohë që janë 700 licensa të subjekteve që operojnë në tregun e minierave. Është totalisht e pamundur përballimi i kontrollit nga ana e inspektorëve, ku duhen minimalisht 120 të tillë. Plus që këta inspektorë janë mbi moshën 50 vjeç, në asnjë konventë botërore nuk mund që kjo moshë të kontrollojë minierat, se kanë një rrisk të lartë rreziku” shprehet Nikolla.  Gjithashtu për të është fatkeqësi që nuk ka asnjë lloj politike shtetërore për këtë problem. Dhe ky problem, sipas tij, nis që me shkollimin. “Fakulteti i Gjeologji-Minierë nuk prodhon inxhinjerë minierash, por inxhinjerë të gjeoshkencës dhe fatkeqësisht, janë më shumë vajza se djem, në një kohë, kur femrat me konventë ndërkombëtare ndalohen për të hyrë në miniera. Kjo është një politikë e mbrapshtë nga shteti, përsa i përket problemit të  kuadrove të minierave”, përfundon Nikolla.

    Ngjarja

    Ditë tragjike ka qenë kjo e enjte nëntori, për zonat Juglindore të vendit. 7 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e djeshme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit. Në Pogradec, ngjarja është shënuar orëve të mesnatës duke u gdhirë e enjtja, në një minierë të braktisur në fshatin Beragozhd, kurse në Librazhd, ngjarja ndodhi dje pasdite, kur një masiv kromi në minierën e Gurrës zuri nën vete 2 punonjës.

    Pogradec, 5 viktima

    Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit. Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 28 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët. Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë.Në shenjë nderimi për vdekjen e 5 të rinjve, Komuna Dardhas shpall dy ditë zie. Sot dhe nesër komuna do të mbajë zi për vdekjen e 5 djemve nga i njëjti fis që humbën jetën nga asfiksia në Beragozhd, brenda një miniere. Komuna Dardhas ka marrë përsipër shpenzimet për varrimin e të rinjve, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga miniera. Ndërkaq kjo komunë ka bërë thirrje që të mbyllen minierat e nxjerra jashtë aktivitetit zyrtarisht.

    Reagon Ministria

    Ministria e Energjitikës dhe Industrisë ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Dardhas, ose i njohur ndryshe si fshati Beragozhd i Pogradecit, ku 5 të rinj humbën jetën në një minierë duke kërkuar skrap. Në një njoftim për shtyp nga ky dikaster bëhet e ditur se miniera rezulton pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh.

    Reagimi i Politikës

    Rama: Humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria

    Kryeministri Edi Rama reagoi në Kuvend në lidhje me tragjedinë e ndodhur në një minierë në Pogradec, ku humbën jetën 5 djem të rinj. Sipas kryeministrit, “5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria, të cilën nuk e solli kjo maxhorancë, por qeveria e mëparshme”. Kryeministri akuzoi qeverinë e demokratëve për shpenzimin e parave të shtetit për financimin e fushatës elektorale. “Paratë e bukës së gojës i keni harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit. Shkuat deri tek rezervat e shtetit, tek ushqimet që ky shtet duhet ti ketë në dispozicion në raste emergjencash humanitare dhe rrëmbyet, fasule oriz e çizme për fushatën elektorale. Duhet të ulni kokën sepse i keni bërë grosh dhe pilaf ushqimet që i duhen njerëzve në rast fatkeqësie”,- u shpreh Rama.

    Basha: Tronditje e madhe për mua e për çdo shqiptar

    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e 7 viktimave që humbën jetën sot në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit.“Ngushëllime familjarëve të 7 viktimave, ky bilanc tragjik i shënuar sot është një tronditje e madhe për mua dhe për çdo shqiptar, fjalët janë të pamjaftueshme për të ngushëlluar familjet, zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, – ishte mesazhi ngushëllues i kreut të PD, Lulzim Basha.

    Tahiri: Duhet shembur menjëherë trashëgimia e pushtetit të kaluar

    Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e 7 viktimave të minierave. “Ditë e trishtë dhe e rëndë. Qoftë e lehtë për familjarët e 7 djemve që humbën jetën në luftën e tyre të dhimbshme për të vrarë varfërinë”, – është mesazhi ngushëllues i ministrit Tahiri. Sipas ministrit Tahiri : “Kjo që ndodh sot me minierat dhe humbjen e jetës së djemve të pafajshëm, është trashëgimia më e hidhur që na ka lënë pushteti i kaluar, por që duhet shembur menjëherë”.

    PD: Kryeministri të mbajë përgjegjësi

    Partia Demokratike ngushëllon familjarët e viktimave në Pogradec dhe është thellësisht e prekur nga kjo dramë e madhe për të afërmit e tyre dhe gjithë vendin. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha në një deklaratë për shtyp, se “Partia Demokratike akuzon qeverinë si përgjegjëse direkte për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve”. Vorpsi tha se “ne kërkojmë që autoritetet e ngarkuara për sigurinë dhe menaxhimin e minierave të mbajnë përgjegjësi, dhe kërkojmë që drejtësia të vihet menjëherë në lëvizje për këtë tragjedi. Ne kërkojmë që Kryeministri i vendit të mbajë përgjegjësi për këto viktima të pafajshme në minierat tona”.

    Paralajmërimi i Kol Nikollës: Të parandalojmë një Gërdec të dytë

    Në datën 24 tetor, në gazetën “Telegraf” Kryesindikalisti Kol Nikolla parashikoi një Gërdec tëe dytë, përsa i përket numrit të viktimave, për shkak të përdorimit ende të minierave të vjetra. “…Aktualisht, lëshohet sinjali “SOS”. Aty nga 6 subjekte të licencuara në vitet 2001-2008 sot punojnë mbi 30 subjekte të licencuara dhe po aq subjekte të palicencuara apo “subjekte pirate” siç quhen rëndomtë. Aty punojnë shqiptarë në emër të subjekteve të huaja me kontraktim apo me nënkontraktim. Aty punojnë “skllevër” me “kokën në thes” e “barkun bosh” dhe fitojnë kontrabandistë, politikanë, ish- politikanë, agjencitë tregtare e turistike, pushtetarëve vendor etj., etj.. Në zonën D, në Bulqizë dhe rrugës, deri në Durrës deri më sot, ka munguar shteti. Nxjerrja, ngarkimi dhe transporti i kromit që prodhohet nga miniera apo grumbullohet nga trafikantët e shumtë, deri në Durrës bëhet jashtë çdo rregulli teknik e financiar, pa peshore, pa faturë, pa magazinim, shpesh pa licencë, pa pagesë taksash, etj. Për të gjitha këto erdhi koha t’i themi ndal këtij fenomeni vdekjeprurës, të parandalojmë një Gërdec të dytë. Të fusim Bulqizën në hullinë e zbatimit të ligjit…”