Nikolla nuk e futi dot në “kthetra” Universitetin e Durrësit, fsheh përgjigjen e Nishanit

    366
    Data 15 prill 2015, ka lidhje me një skandal të bërë prej Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, lidhur me qëndrimin e saj zyrtar, ndaj Rektorit të Universitetit Shtetëror të Durrësit, zotit Mit’hat Mema, ndaj të cilit lëshoi urdhrin e shkarkimit. Por urdhri i saj ishte në kundërshtim me fuqinë e saj institucionale e kushtetuese për të shkarkuar rektorin Mema. Pasi i mësuan ligjin, pasi e instruktuan të qetësohej e të mos vazhdonte aventurën anti-institucionale, ministrja Nikolla, iu bind ligjit dhe i kërkoi Presidentit të Republikës shkarkimin e rektorit të Durrësit. Pas kësaj shkrese, “megafonët” e ministres Nikolla nisën propagandën se gjoja “rektori u shkarkua”. Nuk është “ndonjë qamet” se u shkarkua një rektor, apo ministër, mbasi realisht ata janë bërë për t’u shkarkuar, por problemi qëndron në faktin se përse bëhen këto lojëra dhe skenarë shkarkimesh e emërimesh! Problemi qëndron në faktin, se përse bëhet propagandë edhe me skandalet. Psh, kjo propagandë e shkarkimit të rektorit të Durrësit rezultoi tullumbace, mbasi zgjati vetëm 5 ditë. Konkretisht, në të “pestat” e kërkesës së ministres Nikolla, në datën 20 prill 2015, Presidenti i Republikës i ktheu përgjigjen, me të cilën e njoftonte se nuk pranonte kërkesën e saj për shkarkimin e rektorit, si të pa mbështetur në ligj e prova.. 

    Ministrja Nikolla ka zhdukur urdhrin e saj dhe përgjigjen e presidentit Nishani
    Skandali “Nikolla”, përveç faktit që nuk kishte asnjë argument ligjor në kërkesën e saj për shkarkimin e rektorit të Durrësit, vijoji edhe me mungesën e argumentit në kërkesën dërguar presidentit Nishani. E si të mos mjaftonte paaftësia e saj si ministre për të hartuar një shkresë të mbështetur në ligj, ministrja Nikolla fshehu edhe përgjigjen që i ktheu presidenti Nishani. Kjo përgjigje e presidentit Nishani ndaj ministres Nikolla është zbuluar nga gazeta “Telegraf” dhe që po publikohet sot, si një fakt që tregon qartë, se nga cilët drejtohet shteti, konkretisht ministria që ka detyrë të jap njohuri mësimore, shkencore dhe etikë qytetare! Ka qenë Shkresa Nr. 2895/3 prot, datë 15 prill 2015 e dërguar në presidencë, nëpërmjet të cilës zonja Nikolla ka kërkuar shkarkimin e rektorit të Universitetit të Durrësit. Por kjo shkresë është konsideruar pa asnjë vlerë e fuqi ligjore, për t’u pranuar si akt ekzekutimi e dokument vendim-marrës nga presidenti Nishani, mbasi është e pa mbështetur në ligj dhe e pa shoqëruar me prova konkrete ligjore, që të motivojnë këtë kërkesë. Presidenti e ka pezulluar urdhrin e shkarkimit të lëshuar prej ministres. Rektori vazhdon të jetë në detyrë. Edhe ministrja Nikolla vazhdon të jetë në detyrë. Edhe drejtuesit e zyrës juridike të ministrisë që hartuan urdhrin e ministres vazhdojnë të jenë në detyrë. Gjithçka rezultoi një bllof. Pas verifikimeve të bëra prej presidencës, rezultoi se rektori Mema nuk kishte bërë asnjë shkelje në detyrë dhe në ushtrim të funksionit të tij të dekretuar. Këtë refuzim zyrtar të presidentit Nishani, ministrja Nikolla nuk e ka publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Madje ka zhdukur nga kjo faqe edhe shkresën nr. 2895/3 prot, datë 15 prill 2015 që ka hartuar vetë si ministre, drejtuar presidentit Nishani, për shkarkimin e rektorit. 
    Qëllimi i ministres Nikolla, uzurpimi i kupolës së universitetit të Durrësit
    Skenari i përgatitur me universitetin e Durrësit, kishte lidhje me uzurpimin e këtij universitetit, për ta përdorur atë për interesa klienteliste të ministres dhe të një grupi që e kishte piketuar këtë qendër mësimore universitare, për ta gllabëruar e për ta kthyer në biznes privat, në logo shtetërore. Që të arrihej ky synim, duhej shkarkuar drejtuesi i dekretuar nga presidenti Nishani. Ky skenar dështoi, por ministrja Nikolla e kaloi dështimin e saj zyrtar e publik, duke fshehur skandalin që krijoi. Ky nuk është i pari dhe i vetmi skandal që ka “prodhuar” kjo ministre mësuese me “master” të vonuar e të blerë! Siç dihet, në 20 muajt që po drejtohet nga ministrja Nikolla, Ministria e Arsimit është përfshirë në një seri skandalesh të rënda financiare, strukturore, emërimesh, harim e kalkulim kurrikulash mediokre, kualifikime korruptive mësuesish, skandale me tekstet shkollore e jashtëshkollore, me dëftesat e shkollave, me gardat e titujt shkencorw, licensimin, ç’licensimin dhe rilicensimin klientelist të universiteteve private, me Altertekstin, mbushjen e administratës me miq, shokë të emëruar drejtorë edhe pse në nivel të ulët për të qenë drejtues në ministri, mashtrimin e studentëve të universiteteve private, investimet për luks zyrash e makinash, harxhimet abuzive për dieta, shpërblime e udhëtime jashtë shtetit, etj. Gazeta “Telegraf”, disponon 83 dosje skandalesh, që mbajnë firmën dhe vulën e ministres Nikolla, dosje të cilat do t’i publikoj në vazhdim, për të treguar mësuesve, profesorëve, botës akademike, drejtësisë, shtetit, kryeministrit, madje edhe nxënësve e prindërve që harxhojnë për arsimin e fëmijëve, se në çfarë “grope të zezë” është tjetërsuar Ministria e Arsimit Shqiptar. Në numrat e ardhshëm, do të publikojmë çdo dosje skandalesh që mbahen të feshura prej ministres në kasafortë…
    Sigal