Nikolla: Ligji për arsimin e lartë miratohet pas mbylljes së universiteteve

    350
    Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Komisionin e Mediave, synon të miratojë ligjin e shumëdebatuar të arsimit të lartë pas mbylljes së universiteteve, me qëllim që vala e reagimit dhe protestës kundër draftit të jetë sa më e zbehtë. Drafti i kundërshtuar si asnjëherë më parë nga e gjithë bota akademike dhe studentët, edhe pse ka nisur të shqyrtohet prej disa ditësh në Kuvend ai pritet të miratohet vetëm kur studentët të kenë marrë pushimet verore.
    Qëllimisht, Komisioni i Mediave dhe Edukimit, komision përgjegjës për shqyrtimin e draftit ka vendosur të zhvillojë vetëm nga një seancë në javë për ligjin në fjalë, me qëllim që ky proces të zgjasë deri në fund të sesionit parlamentar. Një tjetër arsye se përse drafti do të shtyhet deri në fund të sesionit parlamentar lidhet me zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Miratimi i ligjit me arrogancë para zgjedhjeve mund të rrisë pakënaqësinë ndaj qeverisë, çka mund të kthehet edhe në votë kundër mazhorancës. Por arsyeja kryesore lidhet me reagimin e fortë të pedagogëve dhe studentëve.
    Kuvendi duket se e ka të pamundur ta shqyrtojë dhe miratojë këto ditë ligjin, pasi të gjithë pedagogët dhe studentët mund të ngrihen në këmbë kundër Ministrisë së Arsimit, dhe mund të provokohen tensione sociale. Ndërkohë gjatë muajit korrik, periudhë kur pritet që drafti të kalojë në seancën parlamentare, pedagogë dhe studentë janë larguar nga universitete dhe në këtë mënyrë shkalla e reagimit do të jetë më e dobët. Një gjë e tillë u paralajmërua më herët edhe nga vetë studentë dhe pedagogët, të cilët i trembeshin këtij skenari, i cili ndodhi edhe një vit më parë, kur ky draft u kthye mbrapsht nga deputetët.
    Sigal