Nikolla: Jo rritjes së moshës së pensionit, në të kundërt do ketë protesta!

    434
    Sigal

    Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë organizon konferencën me temë: “Reforma për pensione dinjitoze”

    Konfederata e Sindikatave të Pavarura është kundër rritjes së moshës së pensionit dhe i kërkon qeverisë që ta rishikojë këtë vendim. Kjo, pavarësisht kërkesave që mund të vijnë nga FMN-ja apo organizata të tjera ndërkombëtare. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla deklaron se, ekzistojnë mundësitë për një reformim të thellë të sistemit, që sipas tij, është i dështuar. “Thelbi i këtij studimi është mosrritja e moshës së pensionit, por ristrukturimi i gjithë skemës së pensionit duke forcuar kapacitetet administrative të shtetit që merren me këtë problem, por dhe duke kryer një sërë ndërhyrjesh të tjera përsa i përket skemës dhe duke luftuar informalitetin në ekonomi, i cili, fatkeqësisht, është drastik. Problemi tjetër është dhe forcimi i shtyllës shtetërore që kemi sot me dy shtylla të tjera, pensioni i detyruar dhe pensioni vullnetar, të cilat duhet të futen me ligj të detyruara me qëllim që moshat e reja të kenë një pension sa më dinjitoz dhe sa më të përshtatshëm kur të arrijnë në moshën e pleqërisë. Qeveria jonë besoj se i ka të gjitha kapacitetet për të argumentuar përpara FMN-së dhe BB-së që nuk duhet rritur mosha e pensionit.”,- u shpreh Nikolla. Kreu i Konfederatës së Sindikatave paralajmëron qeverinë që në rast të një vendimi pro, do t’i duhet të përballet me protesta të sindikatave dhe qytetarëve. “Veprimi do të jetë shumë drastik kundërshtues”,- tha Nikolla. Çështja është diskutuar dhe në konferencën kombëtare të organizuar nga Konfederata e Sindikatave, me përfshirjen e qeverisë, sindikatave dhe biznesit.

    Studimi/Sigurimet Shoqërore, propozimi

    Sistemi i Sigurimeve Shoqërore përfshin tre lloj sigurimesh: Sigurimin e detyrueshëm, Sistemin Vullnetar dhe Sigurimin Suplementar. Sistemi i detyrueshëm i Sigurimeve Shoqërore, përmban pesë degë sigurimi: Sigurime për paaftësinë e përkohshme, për barrë lindje, për aksidentet në punë, për papunësinë dhe për pensionet. Sistemi i Sigurimeve shoqërore Suplementare, ku përfshihen personat që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësit e shtetit, Sigurimet Shoqërore Suplementare të ushtarakëve dhe Fondet e Pensioneve të vullnetarëve. Në kushtet, kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia mesatare e njerëzve po zgjatet,  numri i pensionistëve po rritet me ritme më të shpejta se ritmet e rritjes së të punësuarve. Në këtë kontekst, sistemi i vjetër i pensioneve po shkon gjithmonë e më tepër drejt pamundësisë për të plotësuar nevojat e moshës së tretë. Në kërkim të zgjidhjes së kësaj problematike, organizma ndërkombëtarë si FMN dhe BB etj., udhëzuan ndërmarrjen e një reforme të përgjithshme të pensioneve. Në themel të kësaj reforme qëndron ndërtimi i një sistemi të alternuar (shumë kolonësh). Ky sistem do të përbëhej nga tre kolona: kolona e parë sistemi shtetëror i detyruar, kolona e dytë sistemi privat i detyruar dhe kolona e tretë sistemi privat vullnetar.

    Përfundime

    Si përfundim mund të theksohet se zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe qëndrueshmëria financiare e tij, është një domosdoshmëri që lidhet me tre çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje: Së pari, demotivimi i të rinjve për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve; së dyti, mosfunksionimi i skemave private të pensioneve për një periudhë 12-15- vjeçare ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (raportin pension mesatar/ pagë mesatare); së treti, problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit (32 % e popullsisë aktive) kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit.

    Studimi evidenton përkeqësim të treguesve bazë të sistemit të pensioneve: 1. Të ardhurat nga kontributet në raport me GDP-në zënë rreth 4.7 % .2. Raporti i kontribuuesve me përfituesit në sistem është mjaft i ulët; 1,2 me 1, pra, 1,2 veta kontribuojnë dhe 1 përfiton nga skema. Raporti optimal duhej të ishte 3-4 individë kontribuues për 1 përfitues. 3. Raport shumë i ulët pension-pagë, në nivel mesatar 34-36%, kundrejt 70-75 % të normës ligjore. Në këto kushte, skema e pensioneve në Shqipëri ofron përfitime shumë të ulëta dhe në disa raste nën minimumin jetik.

    Reforma

    Nga studimi rezulton se reforma në fushën e pensioneve duhet të fokusohet në 5 çështje kryesore:

    Së pari, konsolidimi i skemës aktuale shtetërore nëpërmjet reformave parametrike, ku duhet; përmirësuar gradualisht raporti pension-pagë; duhet përmirësuar diferencat e theksuara të pensioneve brenda së njëjtës kategori; të përmirësohet mënyra e llogaritjes së pensioneve, duke përllogaritur më mirë kontributet e derdhura nga individët.

    Së dyti, vendosja dhe vënia në funksionim e sistemeve të alternuara të pensioneve: Të inkurajohet skema e sapokrijuar vullnetare suplementare e pensioneve, e cila kryen dy funksione; jep pensione shtesë dhe jep pensione në kushte më të favorshme.

    Së treti, rishikimi i skemës së pensioneve vullnetare në fshat.

    Së katërti, rishikimi i legjislacionit për skemat suplementare të nëpunësve shtetërorë, e cila është mjaft bujar në krahasim me kontributet.

    Së pesti, rishikimi i transfertave buxhetore për skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore.

    Konkluzioni

    Ka ardhur koha që sistemi i pensioneve në Shqipëri të mos konsiderohet më si një ombrellë financiare për të luftuar urinë dhe varfërinë, por duhet hedhur vështrimi më tej. Zhvillimi i sistemit privat të pensioneve jep zgjidhje për mjaft probleme që janë krijuar në këtë stad të zhvillimit shoqëror.

    Arsyet për mosarritjen e moshës së pensionit

    Së pari, të përfundojnë reformat e ndërmarra në vitin 2002 dhe më pas të studiohet si do veprohet për moshat në të ardhmen.

    Së dyti, Shqipëria nuk e ka problem plakjen e popullsisë, ajo ka moshë të re mesatare 31 vjeç, kundrejt 48 vjeç që e ka Europa. Por Shqipëria ka problem, sepse ka një papunësi të lartë prej 14-18%, ka një informalitet shumë të theksuar, sidomos ajo gri dhe emigracioni që zë 32% të popullsisë aktive.

    Së treti, rritja e moshës së pensioneve ka impakte negative për ekonominë, sepse shton radhët e të papunëve, kryesisht brezin e ri produktiv dhe krijon probleme të mëdha sociale.

    Reformat që duhen marrë në skemën shtetërore janë reformimi i skemës së fshatit, rishikimi i legjislacionit për skemat suplementare të nëpunësve shtetëror, rishikimi i transfertave buxhetore për skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore dhe reformimi i skemës vullnetare të pensioneve.

    Skema e tre kolonave

    Në vendin tonë numërohen rreth 554 mijë pensionistë. Për pensionin e secilit prej tyre, kontribuojnë 1.2 persona. Pavarësisht kësaj, pensioni është shumë i vogël, pasi raporti i duhur kontribuues/përfitues duhet të jetë 2.5 me 3.1. Me dhjetëra pensionistë marrin jo më shumë se 38% të pagës, ndërkohë që me ligj pensioni duhet të llogaritet jo më pak se 75%. Këtë duhet të ofronte një skemë e suksesshme pensioni, por në Shqipëri ajo ka një deficit prej 1.4% të prodhimit të brendshëm bruto, me nevojë urgjente për reformim. Propozimi i parë për skemën e re vjen përmes një studimi të konfederatës së sindikatave dhe kompanive të sigurimeve bazuar mbi tre kolona, një nga të cilat sigurimi privat i detyruar. Reforma e skemës së pensioneve pritet të zbatohet brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste. Aktualisht buxheti i shtetit shpenzon 71.6 miliardë lekë për të paguar moshën e tretë.