Niko FERRO/ Historiku i shkurtër i Nënprefekturës së Lushnjës

    841
    Sigal

    Në vitin 1894, Qendra e Kazasë së Myzeqesë (Nënprefektura), kaloi nga Karbunara në Lushnje. Pikërisht në lidhje me këtë kalim lindin edhe disa pyetje:Përse pikërisht në Lushnjë? Cilët ishin shkaqet e këtij kalimi? Kush ishin Nënprefektët?Për të kuptuar këtë vendimin të administratës osmane, po i referohemi burimeve arkivore të cilat japin një pamje të qartë të jetës në qytetin e Lushnjës. Mësojmë se rreth 120 vjet më parë Lushnja kishte afërsisht 280 shtëpi, me një popullsi të përzier me të krishterë e myslimanë. “Qyteza” kishte rrugë të shtruara me kalldrëm, një kishë, një xhami, dy teqe, tre “vende të mira” si dhe dy puse uji për nevojat e vendasve. Numëronte gjithashtu edhe katër varreza të vogla “publike” të vendosura anës kodrave.Por më e rëndësishmja ishte ekzistenca e një tregu. (motori i jetës së një qyteti).[1] Faktikisht prezenca e tregtarëve dhe e një tregu në qytetin tonë daton në vitin 1870. Duke qenë një qendër banimi midis jugut dhe veriut këtu kalonin kalimtarë dhe reshperë (tregtar) të shumtë të cilët akomodoheshin në hanet më të njohura të qytetit: siHani i Salushes”,  “Hani i Kalifasë” etj.. Pikërisht duke parë zhvillimin që mori kjo qendër banimi, “në vitin 1309 (1893) administrata osmane [mori vendimin për] formimin e nënprefekturës në Lushnjë. Kështu me fondet e saj ndërtoi një godinë ku do të vendosej Nënprefektura dhe Xhandarmëria”.[2] Mësojmë se pjesa më e madhe e dokumentacionit të administratës (që ishte në Karbunarë) u vendos në Lushnjë. Vlen të theksohet se ky kalim nuk u bë menjëherë, por u deshën plot dy vjet (1894-1896) kohë e mjaftueshme që popullsia të përshtatej me të. E thënë më shkoqur, një ndër arsyet e zhvendosjes së Nënprefekturës nga Karbunara në Lushnjë, ishin të natyrës ekonomike-tregtare. Vendosja e Nënprefekturës në Lushnjë pati një ndikim të madh në zhvillimin e gjithë zonës. Mund të themi se ky zhvillim i menjëhershëm “ra në sytë e konsujve austro-hungarezë”. Është me vend të citojmë këtu një dokument të kancelarisë vjeneze i cili na tregon mundësitë reale të zhvillimit të mëtejshëm të zonës së Lushnjës, kjo nëpërmjet ndërtimit të një porti. Aty thuhet: “Në raportin tuaj ju trajtoni projektin që përkrah mytesarifi i Beratit, i cili dëshiron të ndërtojë një port të ri në jug të Durrësit, në Kular në grykë të Shkumbinit, i cili do ishte në interes të zhvillimit të tregtisë së këtij qyteti (Lushnjës) me botën e jashtme. Njëkohësisht Z. Juaj lutemi nga shoqëria e lundrimit të Llojdit Austriak të kandiset që vaporët e saj të ndalen në portin e ri, në rast se qeveria osmane e kërkon këtë prej saj. Por sipas raportit tuaj del se autoriteti kompetent në Stamboll akoma nuk ka marrë një vendim mbi propozimin në fjalë të mytesarifit të Beratit dhe se realizimi i tij ka si premisë pikërisht një rrugë midis Lushnjës dhe detit, si dhe një varg dispozicionesh në vetë Kularin, është herët për të sugjeruar ndërtimin e një stacioni të Llojdit austriak në Kular. Por Zotëria juaj ta kini këtë çështje parasysh dhe, sapo të vijë vendimi i favorshëm nga Stambolli dhe sapo të filloi ndërtimi i rrugës për Lushnjë, ta njoftoni këtë këtu, dhe pastaj neve nuk do të mungojë të përkrahim pranë administratës së Llojdit përfshirjen e portit të Kularit në itinerarin e lënies së saj shqiptar.[3] Megjithatë një port i tillë, (i munguar) nuk u ndërtua kurrë nga administrata osmane. Normalisht një dalje në det e Lushnjës, e prodhimeve bujqësore, do e kthenin atë në një super treg për të gjithë zonën e Adriatikut. Për t’iu rikthyer edhe një herë kalimit të Nënprefekturës në Lushnjë, dhe pyetjes se kush ishin Nënprefektët, po i citojmë më poshtë. Së pari, në lidhje me emërimin e Nënprefektit të Parë në Lushnjë nuk kemi të dhëna. Nënprefektin i dytë citohet të ishte Eman Naili me origjinë armene, një ish- anëtarë- i Lëvizjes Tashnog të Armenisë. Pikërisht në lidhje me figurën e tij kemi vetëm pak të dhëna. Ai përmendet në vitin 1906, ku në krye të xhandarmërisë urdhëroi të shtypte me dhunë Demonstratën e Lushnjës e vitit 1906. Përmendet gjithashtu në vitin 1907, kur në Lushnjë, në hanet e Nebi Sefës ku çelet shkolla e parë shqipe me 26 nxënës. Ai e mbylli me forcë atë, madje dy vëllezërit, Nebiun dhe Abazin i internoi në burgun e Janinës. Mund të themi me pak fjalë se ai ka mbajtur një qëndrim jo të mirë ndaj elementit shqiptar. Por gjatë muajit nëntor të vitit 1912, kur lushnjarët po përgatiteshin për Shpalljen e Pavarësisë së Lushnjës (më 27 Nëntor 1912) ndryshoi qëndrim dhe u bashkua me shqiptarët. Mësojmë gjithashtu se vulën ai ia dorëzoi Gjyqtarit Emin Vokopolës, i cili mbajti edhe postin e Nënprefektit deri në prill të vitit 1913. Më pas, Qeveria e Ismail Qemalit emëroi Nënprefekt në Lushnjë, Qazim Kokoshin, i cili e ushtroi këtë funksion deri në shkurt të vitit 1914, më pas u emëruan Sabit Lulo (1914), Murat Dibra (1915), Abedin Nepravishta (1915), Izet Zavalani (1916), Neki Ruli (1917-1918), Veli Vasjari (1918-1920), Hiqmet Delvina (1920-1921), Zenel Prodani (1921-1922), Veli Vasjari (1922-1924), Tafil Boletini (1924-1925), Shefqet Dibra (1925-1927) gjatë periudhës që ai mbajti postin në Lushnjë u ndërtua godina e re e Nënprefekturës. Et’hem Haxhiademi (1927), Rustem Ymeri (1927-1928), Shefqet Dibra (1929-1930), Omer Rushiti (1930-1931), Sadik Xhare (1931-1932), Nevruz Taçi (1932-1933), Halil Gruda (1933-1935), Tafil Boletini (1935-1939), Jovan Shapo (1939–1944?).