Niko FERRO/ Djegia e bibliotekës së Manastirit të Ardenicës, humbje e një thesari të çmuar

    644
    Sigal

    Çfarë ndodhi natën e 12 shkurtit të vitit 1932? A ishte një zjarrëvënie e qëllimshme apo thjesht një pakujdesi njerëzore?         

    Po nisim artikullin me përshkrimin gjeografik të Manastirit të Ardenicës. Ky objekt i rëndësishëm  kulti ngrihet në një vend dominues në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë e 210 m mbi nivelin e detit. Në anën lindore të tij ndodhet qyteza e Kolonjës, në pjësën jugore ndodhet fshati Ardenicë, ndërsa në anën perëndimore gjendet Libofsha. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.

    Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Androniku II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. (Fare pranë nderteses, në anën perëndimore, janë zbuluar gjurmë të rrugës së vjetër Egnatia).

    Thuhet gjithashtu që në këtë Manastir është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika Arianitin, në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës.

    Në lidhje me arkitekturën manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, etj.. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.

    Ngjitur me kishën lartësohet kumbanorja në formë katrore dhe e bardhë, njëlloj si ajo e Pojanit. Në këtë manastir, igumeni Nektar Terpo, me origjinë nga Voskopja, në vitin 1731 shkroi një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip. Kjo ndoshta daton me shkrimin e parë të shqipes. Teksti shqip është shkruar me gërmat e  alfabetit grek: “Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete”, nënshkruar nga autori: Hieromonah – murgu, Nektarit.

    Në vitin 1741, banorët e krishterë të katundit të Ardenicës i kërkuan kazasë së Karbunarës fermanin (autorizim) për restaurimin e Manastirit të tyre, të dëmtuar rëndë gjatë dimrave të viteve të shkuara.  Me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Lushnjë), ne  vitin 1743 u bënë rindërtimet dhe restaurimet në pjesët më të dëmtuara.

    Dekoracioni mural, vepër e artistëve Kostandin dhe Athanas Zografi,  u realizua në vitin 1745. Ai përfshin muret anësore të sallës dhe faqen perëndimore të narteksit, me një program të pasur ikonografik nga historia e Dhjatës së Re. Piktura e ndarë në regjistra përbëhet nga kompozime katërkëndëshe, brezi ornamental me profetët dhe shenjtorët në këmbë me madhësi natyrale. Gjithashtu, programi ikonografik, në faqen lindore përfshin afresket e absidës, Shën Mërinë Platitera me Krishtin e vogël në prehër dhe anash saj, ëngjëjt me ilitot e hapura. Lart mbi hark, “Liturgjia e Shënjtë” dhe figura shënjtorësh të paraqitura në tors, janë piktura në të dy anët e mureve të altarit, poshtë Platiterës. Etërit e Kishës janë paraqitur si hierarkë, dhe në fund Kungimi i Apostujve. Në të dy niket, afreskët paraqesin Krishtin përpara kryqit dhe Shën Theoforin e Martirizuar nga luanët. Në murin jugor trajtohen skena nga jeta e Shën Mërisë, që nga lindja e saj dhe peripecitë që lidhen me jetën e Krishtit, si Ngjallja e Shën Llazarit, Darka mistike, Lutja në malin e ullinjve, Magjistarët dhe përfundon me puthjen e Judës, për të vazhduar më pas në faqen perëndimore. Në qëndër të saj qëndron Fjetja e Shën Mërisë dhe skena të tjera që plotësojnë dekoracionin. Në murin verior, ndonëse një pjesë e afreskeve mungon, piktura vazhdon me ciklin e Vuajtjeve. Vajtimi, Ngritja nga varri, Zbritja në ferr,etj. dhe poshtë tyre ndodhen skena të tjera që paraqesin Krishtin si Kryehierark ose simbolet e Shën Mërisë si tek Dritëdhënësja dhe Hymnizimi i saj si mëmë e zotit, etj.

    Shënjtorët e kishës, me qëndrimet ballore, vendosur sipas rëndësisë së tyrë në bazën e murit, shquhen nga karakteristikat individuale, si Shën Gjergji veshur me gëzofin e leshtë, Minai dinamik, Nestori me shprehjen melankonike dhe Shën e Djela si Virgjëreshë. Në radhën e shënjtorëve është  edhe Johan Kukuzeli, personazh historik i shekullit XII-të. Shohim që i një frymëzimi lokal është peisazhi lirik nga skena e Magës me kafshët që kullosin dhe barinjtë me qëndrimet e lira ose gjallëria e vrapit të kuajve nga kthimi i Magëve, trajtime që tregojnë për të tjera prirje realiste të stilit të këtyre piktorëve.Vepra e Zografëve tregon për nivelin mjeshtëror që arritën piktorët në kulmin e aktivitetit të tyre, të konceptimit estetik të kohës që jetuan, duke u bërë burim frymëzimi për pikturimin e kishave të Myzeqesë gjatë shekujve XVIII-XIX-të.

    Kapela e Shën Triadhës gjendet në pjesën verilindore të manastirit të Ardenicës. Ajo ka përmasa 7.50 x 3.70 m. Hyrja e saj është në anën perëndimore, e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë,  muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapelës është mbuluar me hark guri. Pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një basoreliev qeramike.

    Mbishkrimi më i vjetër gjëndet në hyrjen qëndrore të Manastirit  dhe mban datën 1 maj 1477. Nuk dihet me saktësi se ku mund të ketë qënë më përpara, ose çfarë simbolizon kjo datë edhe sot ngelet e pa qartë.

    Një tjetër mbishkrim lexohet në brendësi të Naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep vitet 1743 – 1744, që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme, që i përkasin shekullit XVII. Njëra pllakë, me vitin 1754 ndodhet në pjesën perëndimore të hajatit të kishës, ndërsa tjetra fikson  vitin 1770 dhe ndodhet në një nga harqet e furrës.

    Biblioteka                  

    Manastiri  zotëronte edhe një bibliotekë të pasur me botime të kohës, por edhe shkrime të periudhave të mëparshme. Gjatë shek. XVII  ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij edhe në Greqi, prej nga vinin me shumicë studiues e fetarë. Mësojmë se gjatë shekujve XVII e XVIII, biblioteka u pasurua me një fond të madhe librash, dhuruar nga “Shoqëria e Manastirit të Shën Mërisë së Ardenicës” me qendër në Poloni dhe me degë në Hungari. Sakaq tjetër ndihmesë në libra dha dhe shoqatat voskopojare. Thuhet që në këtë Manastir ruheshin edhe dy letra të rëndësishme të firmosura nga vetë Ali Pashë Tepelena.

    Mësojmë se natën e 12 shkurtit të vitit 1932, në mjediset e bibliotekës shpërtheu një zjarr  i madhe i papritur.  Të gjitha volumet shekullore u shkrumbuan tërësisht.  Në vetëm pak orë i gjithë “thesar i dijes” u zhduk. Pavarësisht se thuhet se ishte nën kujdesin e 7 kryepleqve të zgjedhur nga fshatrat e nories së Manastirit, shpërthimi i flakëve ngelet ende një mister. Ndoshta qe edhe i qëllimshëm?

    Dëmi ishte i pazëvendësueshëm. U përpinë nga flakët afërsisht 32000 vëllime, duke përfshire dhe dokumentacionin historik dhe objektet e tjera me vlere.

    Për fat të mirë zjarri kurseu vetëm disa volume, saktësisht tre libra të vegjël. Epitafi i vitit 1700-1800, i cili është shkruar shqip me shkronja greke. Bibla e po kësaj periudhe dhe një libër Apostulli. Mbijetoi gjithashtu edhe një koleksion i vogël fotografish.