Niazi Jaho/KZAZ-të, organe të rëndësishme në administrimin e zgjedhjeve

454
Sigal

Propozimet për anëtarët e KZAZ-ve brenda datës 8 Mars 2013. Vendimi i KZAZ-ve brenda datës 23 Mars 2013

Fill pas zgjedhjes së KQZ-së, komisionet e nivelit të dytë, por mjaft të rëndësishëm në administrimin e zgjedhjeve janë KZAZ-të. Nga 66 zona që ishin në vitin 2009, në zgjedhjet e 23 Qershorit, do të jenë 89 zona të administrimit zgjedhor. KZAZ-të, krijohen me vendim të KQZ-së në bazë të propozimeve të subjekteve përkatëse zgjedhore. Afati i fundit për ta është data 8 Mars 2013. (Neni 28 i Kodit Zgjedhor). Ky interval 15 ditor, KQZ-së i duhet për të verifikuar nëse subjektet zgjedhore kanë respektuar kërkesat ligjore të parashikuara në nenin 30 të kodit, ku bëhet fjalë për papajtueshmërinë me detyrë të anëtarët dhe sekretarit të KZAZ-së dhe në nenin 31 të kodit, që parashikon kushtet për emërimin e tyre.

Si veprohet kur propozimet për KZAZ-të nuk bëhen brenda datës 8 Mars 2013? Në nenin 29 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar thuhet: “Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e caktuar…kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në kuvend pas të parave brenda grupimit përkatës…” (shih nenin 29 pika 5 të Kodit). Këtë depozitë, mendoj se duhet ta kenë parasysh si partitë politike të shumicës parlamentare edhe ato të opozitës parlamentare me qëllim që propozimet për KZAZ-të të bëhen brenda datës 8 Mars 2013. Madje KQZ-ja ka të drejtë të emërojë kryesisht anëtarët e KZAZ-së nëse ato nuk do të propozohen nga partitë deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Zgjedhjet e mëparshme, kanë vërtetuar se afatet ligjore lidhur me përgatitjen e propozimeve për KZAZ-të janë shkelur si rrjedhim edhe KQZ-ja ka vendosur krijimin e tyre me vonesë. Efektet negative të vonesave të tilla janë vërejtur në dy drejtime. Së pari: trajnimi i anëtarëve të KZAZ-ve nuk ka qenë cilësor, madje pjesërisht ai ka qenë edhe formal. Së dyti, KQZ-ja, nuk ka verifikuar siç duhet nëse kandidati i propozuar përmbushte kërkesat, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Edhe nga KZAZ-të, Kodi Zgjedhor kërkon që ato të zbatojnë ligjin, të jenë të paanshme në qëndrimet dhe vendimmarrjen e tyre. Në fakt ato krijohen në bazë të propozimeve partiake për të ruajtur përbërjen e balancuar politike dhe si pasojë për të rritur besimin e ndërsjellë në partitë propozuese. Por pavarësisht nga kjo kam pasur dhe kam mendimin se në kushtet e vendit tonë, të pabarazimit të tejskajshëm dhe të një atmosfere relativisht të tensionuar politike, vështirë të shmangen elementët e politizimit dhe në veprimtarinë e këtyre komisioneve. E megjithëkëtë ajo mund të minimizohet. Në këtë vështrim mendoj se mund shërbenin sado pak sugjerimet e mëposhtme: 1-Përfaqësuesit e partive politike në deklaratat e tyre janë angazhuar për zgjedhje të lira, demokratike dhe të standardeve që kërkohen. Nëse këto deklarata do të konfirmohen nga politika, vullneti politik, do të duhej të konkretizohej edhe në propozimet që do të paraqitin për anëtarët e KZAZ-ve. 2- Është e kuptueshme që partitë politike që kanë të drejtën e propozimit të anëtarëve të KZAZ-ve, do të preferonin që ata të ishin anëtarë, simpatizantë apo  mbështetës të partive të tyre. Tendenca e mbrojtjes së interesave të ngushta partiake edhe në këto komisione mund të ndikonte që në përbërjen e tyre të përfshihen edhe një numër i caktuar militantësh me presione ekstreme të gatshëm që të vepronin në kundërshtim me ligjin. Kjo, mendoj se do të ishte mjaft e dëmshme, megjithëse është thënë disa herë se pavarësisht nga bindjet dhe simpatitë partiake anëtarët e komisioneve zgjedhore, duhet të zbatojnë ligjin. Në zgjedhjet e kaluara raste të tilla negative janë vërtetuar.

3- Anëtarët e KZAZ-ve kanë përgjegjësi ligjore (administrative dhe kur është rasti dhe penale). Vëzhguesit e subjekteve zgjedhore në këto komisione kanë të drejta të përcaktuara në ligj. Në këtë vështrim, midis anëtarit të KZAZ-së dhe vëzhguesit të subjektit përkatës rolet dhe funksionet janë të ndryshme. Prandaj nuk duhet lejuar ndikimi apo presioni partiak mbi KZAZ-në në tërësi apo anëtarë të veçantë të tij. Nëse do të vërtetoheshin raste të tilla përgjegjësia kryesore do të binte mbi KZAZ-të dhe do të dilte nevoja e ndërhyrjes së aktive të KQZ-së.

4-Mendoj se, krijohen të gjitha mundësitë dhe kushtet që veçanërisht në procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve që mund të bëhen nga anëtarë të KZAZ-ve dhe vëzhguesve, të pasqyrohen në procesverbalin apo protokollin përkatës, pavarësisht nga vendimi që mund të marrë KZAZ-ja. Kemi parasysh se në zgjedhjet e kaluara, në mjaft raste kjo e drejtë nuk është respektuar.

5-Siç dihet, veç të tjerave, një nga kushtet për zbatimin e ligjit është njohja e tij e thellë, jo e përgjithshme, por në detaje. Është kjo arsyeja se sa i rëndësishëm është trajnimi i anëtarëve të KZAZ-ve. Kemi parasysh se ndryshimet e fundit që i janë bërë Kodit Zgjedhor janë të shumta. Ka midis tyre dispozita që nuk kuptohen lehtë dhe si pasojë nuk përjashtohet mundësia e keqinterpretimeve. Do të ishte e pajustifikueshme që për shkak të kohës së pamjaftueshme që trajnimi të mos ishte cilësor. Të mos çuditemi kjo ka ndodhur, jo në një, por në disa zgjidhje. Le të shpresojmë që në këto zgjedhje nuk do të ndodhë e njëjta gjë.

6-Në propozimet për anëtarët e KZAZ-ve që do të funksionojnë në qarkun e Fierit, do të ishte e rëndësishme që si përzgjedhja edhe trajnimi të ishte disi i veçantë. E them këtë sepse për herën e parë në këtë qark, do të zbatohet teknologjia e re elektronike e komunikimit të votave. Pavarësisht se përgjegjësinë për këtë administrimin e kësaj teknologjie e ka personeli teknik, procesi i numërimit të votave do të drejtohet dhe kontrollohet nga KZAZ-të. Ata kanë përgjegjësi të plotë për mbikëqyrjen e veprimeve të personelit teknik, vendimmarrjen në lidhje me fletët e votimit të pavlerësuara nga pajisjet përkatëse, kontrollin e regjistrimit të çdo të dhëne dhe nënshkrimin e tabelave të rezultateve. Për përmbushjen e detyrave të mësipërme në ligj ka edhe detaje të tjera të rëndësishme me të cilat duhet të njihet mirë çdo anëtar, i KZAZ-së. Kështu për shembull në Kodin Zgjedhor thuhet se nëse konstatohen mospërputhje mes rezultatit që ka nxjerrë SEN-i dhe rezultatit të numërimit me dorë dhe përqindja e mospërputhjes është më e madhe se 0,5 për qind KZAZ-ja urdhëron pezullimin e numërimit për atë pajisje. Ky konstatim detyrimisht shënohet në librin e protokollit të mbledhjeve dhe KZAZ-ja njofton për këtë menjëherë KQZ-në. Po nëse i njëjti fenomen ndodh në të gjitha pajisjet? Edhe ky rast është zgjedhur me ligj. Në këto raste KZAZ-ja vendos pezullimin e numërimit deri në një vendim të KQZ-së. Për të mos krijuar vakume të ndjeshme KQZ-ja duhet të vendos për këtë jo më vonë se dy orë nga marrja e njoftimit nga KZAZ-ja. Siç shihet me të drejtë ligjbërësi ka parashikuar si mundësinë e defekteve të tilla dhe mënyrën se si duhet të veprohet në këto raste. Zgjedhja në përputhje me ligjin e rasteve të tilla është sa e rëndësishme aq edhe delikate. Shpejtësia dhe transparenca mendojmë se do të parandalonin keqkuptimet dhe mosbesimin që mund të lindë. Prandaj edhe njëherë e shikoj të nevojshme të ritheksoj se KZAZ-të që do të veprojnë në Qarkun e Fierit duhet të jenë më të përgatitur nga ana profesionale dhe persona që kanë përvojë dhe integritet.