Ngrihet Inspektoriati që kontrollon “Shëndetësinë”, këtë verë në terren

    391
    Sigal

    Tiranë – Të gjitha institucionet e shëndetësisë publike dhe private do të vihen nën “sitën” e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, i cili del për herë të parë në terren këtë sezon turistik për të vijuar më tej me kontrolle gjatë gjithë vitit. Ditën e sotme u organizua takimi i parë publik i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) me strukturat lokale të shëndetit publik për inspektimin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i pranishëm në këtë takim, u zotua se ISHSH-ja do të bëjë inspektimet e duhura dhe do të monitorojë, dhe përtej sezonit turistik, gjatë gjithë vitit dhe institucionet publike e jo-publike shëndetësore. “Inspektimi i institucioneve publike dhe jo-publike shëndetësore, të cilat deri më sot, kanë qenë jashtë këtij kontrolli, do të jetë fokusi kryesor i Inspektoratit, në mënyrë që të garantojmë dhënien e një shërbimi cilësor dhe të kontrollueshëm, në themel të të cilit, qëndrojnë dijet e mirëfillta dhe të certifikuara shkencore.”- u shpreh konkretisht ministri Ilir Beqaj.

    Deda: ISHSH, ende fazë transitore
    Kryeinspektori Eltar Deda prezantoi komponentët dhe procesin e ngritjes së këtij institucioni të porsakrijuar të inspektimit shtetëror shëndetësor. Gjithashtu çështjet e diskutuara në takim u foksuan në rolin e zyrës së ISHSH-së dhe raportit me strukturat lokale të shëndetit publik. Kjo është një fazë tranzitore, pasi ende nuk janë ngritur Degët Rajonale të ISHSH-së.

    Beqaj: Kjo nismë për të siguruar kujdes shëndetësor në sezonin turistik
    Kreu i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili mori fjalën për të theksuar masat e marra nga qeveria për të përballuar verën sa i përket sëmundjeve sezonale. “Organizimi i një takimi të tillë, në kulmin e sezonit turistik, nuk është gjë tjetër, veçse një tregues i qartë i vëmendjes së veçantë që Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria shqiptare, i kushtojnë mbarëvajtjes së këtij sezoni si dhe kujdesit cilësor të standardeve më të larta të shërbimit shëndetësor që meritojnë qytetarët vendas edhe të huaj, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet verore në vendin tonë”, -tha ministri Beqaj gjatë këtij takimi.

    Beqaj: Forcojmë fuqinë parandaluese të sturkuturave shëndetësore
    Ministri i Shëndetësisë foli përtej dhe ISHSH-së, për një forcim të të gjitha strukturave shëndetësore në vend me qëllimin për të paraprirë çdo lloj sёmundjeje me diagnostikim tё hershёm dhe situatat e mundshme epidemike. “Ne jemi tё vendosur qё t’i forcojmë strukturat shёndetёsore nё tё gjithё vendin, por njёherazi, tё jemi tё gatshёm qё t’i pёrgjigjemi edhe lëvizshmёrisё apo dinamizmit tё kёtyre nevojave gjatë vitit, sepse vetvetiu, edhe pse jemi njё vend i vogël, nё stinё tё ndryshme kemi pёrqёndrime shumë mё tё mёdha tё njerёzve nё territore tё caktuara, duke rritur potencialisht edhe faktorët e rrezikut nё mёnyrë qё jo vetëm t’i paraprijmë çdo lloj sёmundjeje me diagnostikim tё hershёm, por sidomos, t’i paraprijmё çdo lloj situate epidemike.”- deklaroi Beqaj për këtë temë në takim.