Ngjyrosja e karburanteve në Kushtetuese. Sot seanca e parë

907
Sigal

Shoqata e Shoqërive të hidrokarbureve kërkon shfuqizimin e kontratës koncesionare

Sot seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese për ngjyrosjen e karburanteve. Shoqata e shoqërive të hidrokarbureve me anë të një ankimimi kërkon në kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 13 mars 2013 që jep me koncesion dy shërbime të rëndësishme publike në sektorin strategjik të hidrokarbureve për firmat, Global Fluids International si dhe Petroleum Consulting Partners. Pak kohë pas bërjes publik të vendimit dhe kontratave koncesionare, pati reagime të forta nga grupet e interesit të cilat asokohe thanë se ky ishte një veprim aspak transparent dhe qeveria shqiptare me këto dy kontrata do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë si dhe në rritjen e çmimit të karburanteve. Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese është vendosur për më datën 3 tetor ora 10.00, ku kërkohet “shpallja e papajtueshmërisë me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare dhe shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave si dhe pezullimi i zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.200, datë 13.03.2013, deri sa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.” E ndërsa tashmë bashkimi i operatorëve ekonomik ka filluar nga puna me koncesionet e marra, pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse do të pezullojë apo jo vendimin e ish-qeverisë “Berisha”.

Kontrata

Qeveria “Berisha” transferoi një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme dhe përjashton nga vendimmarrja Parlamentin duke shkelur kështu ligjin. Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës. Kontrata parashikon që kompanitë të kontrollojnë naftën që hidhet në treg dhe të vendosin ngjyrën e saj sipas përdorimit. Deri tani, këtë proces e kryenin kompanitë që tregtonin “arin e zi”. Përfaqësues të shoqatës së hidrokarbureve kundërshtojnë vendimin e ish-qeverisë me argumentin se shtesa e një hallke të panevojshme për ngjyrosjen e naftës do të shtojë kostot për ta, e cila padyshim do të pasqyrohet në treg dhe barrën e saj do ta paguajë konsumatori.

Ngjyrosja

Procesi i shënjimit të naftës ka lidhje me injektimin e një sasie shënjuesi në karburant në nivel molekular. Sasia e injektuar është minimale dhe mund të identifikojë saktë ndryshimet e karburantit në një saktësi dhe besueshmëri shumë të lartë. Shënuesi zakonisht është unik, përcakton ngjyrën e naftës për të dalluar cilësinë e tij, injektohet në çdo lloj karburanti, nuk e ndryshon karburantin apo vetitë e tij, është i paimitueshëm, është i padukshëm dhe nuk mund të fshihet ose të ndryshohet, është i qëndrueshëm në të gjitha kushtet klimaterike dhe ka një jetë shumë të gjatë. Shoqata e cilëson të padrejtë këtë monopol, si dhe të panevojshëm shërbimin shtesë të markimit të karburanteve, që rrezikon rritjen e mëtejshme të çmimeve të karburanteve. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve vlerëson se kompania që ka fituar koncesionin, krijon dhe mban një koncesion që mbetet absolutisht monopol në këtë sektor dhe se tarifa e caktuar për këtë shërbim nga 200 lekë/1000 litra që ishte paraqitur nga ofertuesit është finalizuar në shumën 614 lekë/1000 litra karburant, ose e konvertuar në ton, do të thotë 6,5 euro/ton karburant. Kjo tarifë është shumë më e lartë se sa vetë fitimi i kompanive, matur për njësi.

Ngjyrosja e naftës në BE, me kosto zero

Markimi i naftës është një kriter i vendosur nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat e aplikojnë një procedurë të tillë, nisur nga fakti se shkalla e akcizës është e diferencuar. Nisur nga qëllimi i përdorimit të naftës: ndryshe taksohet nafta për makinat, ndryshe për bujqësinë, për avionët, anijet etj përcaktohet edhe ngjyra e saj për të bërë diferencimin edhe në treg. Duke qenë se akciza është e ndryshme (jo si te ne, e unifikuar 37 lekë litri i naftës), vendet e BE-së aplikojnë formën e markimit të naftës, duke i detyruar kompanitë të vendosin një lloj boje, si formë për të shmangur abuzimet, por edhe në këtë pikë, ndryshe nga sa miratoi qeveria “Berisha”, kompanitë në BE e sigurojnë vetë bojën, kundrejt çmimit konkurrues që nuk shkon më shumë se 0.4 cent euro për ton, mjafton të përmbushin standardet e kërkuara me ligj.

Deputeti socialist Erjon Braçe: Konsumatori “rëndohet” me 200 milion euro në 10 vjet

“Qeveria ka kaluar çdo kompetencë të saj, ka vendosur tarifë kombëtare shërbimit të shënimit me VKM. Ka vendosur një tarifë kombëtar të shërbimit në kufijtë e taksës kombëtare pa pyetur Kuvendin, madje pa e informuar fare Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thotë zoti Braçe. Detyrimin për të paguar tarifën prej 7.3 lekësh për litër sipas kontratës bie mbi çdo litër karburanti të tregtuar në vend. Por tregu është zgjeruar duke përfshirë dhe eksportin. “Është skandaloze të shohësh se si një vendim, tregu i shenjimit të karburanteve është zgjeruar përtej çdo logjike. Ka shkuar deri tek eksportet kur ka vende të tjera që kanë komplet standarde të tjera të shenjimit të karburanteve tek e cila adresohet nafta e prodhuar”, shton deputeti socialist. “Nuk e paguajnë kompanitë. Është një iluzion fakti që këtë tarifë do ta paguajnë kompanitë që merren me tregtimin e karburanteve. Në fund fare kjo tarifë do të mbahet tek çmimi i çdo litri naftë që do të paguajë konsumatori shqiptar. Pra për 10 vjet, 200 milionë euro do t’i merren konsumatorit shqiptar”, deklaroi Braçe. Sipas zotit Braçe, kostot e kompanisë janë minimale dhe nuk e kalojnë 1 dollarë për 1 mijë litra të ngjyrosura.