Ngjarja e Lazaratit, pasqyrohet dhe nga mediat e huaja

548
Mediet e huaja kanë raportuar gjerësisht lajmin e konfliktit të sotëm në Lazarat, si pasojë e të cilit humbi jetën një polic i forcave RENEA dhe u plagosën dy të tjerë.
Një shkëmbim zjarri i ndodhur sot në fshatin e njohur si kultivuesi më i madh i marijuanës ilegale, i mori jetën një polici 31-vjeçar dhe la dy të tjerë të plagosur, shkruan “ABC News” duke iu referuar deklaratës së Policisë sonë për lajmin.
“Fox news” citon zëdhënësin Ardi Bida, të sjellë në vëmendje se të shtënat erdhën nga një grup i dyshuar kriminal, pozicionuar në një shtëpi në Lazarat dhe më tej sjell ndërmend se ky ishte shënjestra e aksionit të vitit të kaluar të policisë, për të ndaluar prodhimin e marijuanës së Lazaratit.
Të shtënat nisën në momentin që policia ndaloi një makinë, që transportonte armë, citon më poshtë portali, e si pasojë u sekuestruan dy pushkë dhe një armë automatike, që çuan në arrestimin e shoferit të makinës.
Policia – thuhet më tej, – kishte nisur një operacion mëngjesin e sotëm për të arrestuar të dyshuarit, që qëlluan gjatë natës mbi të, por që fatmirësisht nuk rezultoi me të plagosur.
“Reuters”, në artikullin e saj sjell në vëmendje vlerën monetare të prodhimit të marijuanës në Lazarat, vetëm gjatë vitit 2013, që arrinte shifrën e 4.5 miliardë eurove, të dhëna që – sipas saj, – dolën në dukje nga policia financiare italiane. Ky fakt, – vijon më tej shkrimi, – përbënte një peng të madh për Shqipërinë, e cila është një anëtare e NATO-s dhe që aspiron edhe Bashkimin Europian.
“Associated Press” përmend edhe vizitën e kryeministrit Rama, shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe ai i Shëndetësisë, në Spitalin e Traumës, ku u interesuan për shëndetin e dy policëve të plagosur, që u trasportuan aty me helikopterë dhe tani ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sigal