Nga Starova te Preiti, kujt i dhimbset Partizani?!

583
Nga Agron KAJA
KOMENT/ Ja pse situatën te skuadra e kuqe, brenda dhe jashtë saj, e shohin dhe e lexojnë ndryshe protagonistët
Pas barazimit 0-0 që Partizani shënoi në javën e katërt me Lushnjen, kanë dalë në skenë mendime, kundërmendime, vlerësime e kundërvlerësime, nga të cilët nuk është e vështirë të kuptosh se çfarë duan të thonë. Ka folur pas ndeshjes trajneri Iuliano, duke thënë se nuk e sheh situatën kritike, ndërkohë duket se tabelën e renditjes e ka lexuar për së prapi. Foli më pas edhe “arkitekti” i këtij Partizani të vendit të fundit në renditjen e katër javëve të para të Kategorisë Superiore, ish-i dënuari për trukime ndeshjesh në Itali, Luçiano Moxhi, i cili hidhet nga dega në degë, pa nxjerrë thelbin. Dhe dje, si për ti vënë kapak “kulisave” që ekipi italian te Partizani ka bërë me skuadrën, doli Drejtori Sportiv Antonelo Preiti, i cili e pranon situatën e keqe, por për këtë gjendje, nuk e mendon të ketë masa. Natyrisht, se masa e parë është për Moxhin, e dyta për Iulianon, e më pas vjen vetë drejtori Preiti. Ndaj edhe kjo situatë kalohet e tillë, që në kohët e kaluara në Shqipëri quhej një “autokritikë e shëndoshë dhe revolucionare”. Sepse ju dhimbsen paratë, jo Partizani, kjo është e qartë për këdo. Gjithsesi, deri këtu, duket se situata paraqitet e njëanshme, por përballë tyre është vënë njeri nga drejtuesit e Partizanit, i cili është i vetmi në aktivitet që kur Partizani ka dalë për herë të fundit kampion në sezonin 1993-1994. Fjala është për Sulejman Starovën, këtë herë jo si personalitet në futbollin shqiptar, por për deklaratat e tij të guximshme që ka bërë këto ditë në mediat sportive shqiptare. Sot këshilltar i Presidentit të Partizanit, Gaz Demi, Starova që dy muaj më parë ishte trajner i kësaj skuadre, me profesionalitet e personalitet ka folur pa dorashka, duke i quajtur “mollë të kalbura” ata që kanë sjellë gjatë kësaj merkatoje. “Ka disa arsye për mendimin tim, por mbi të gjitha është merkatoja jo e mirë që u bë gjatë verës, pasi u larguan futbollistë me cilësi si Ekuban, Ramadani, Torrasa, Mazrekaj, Cetkoviç dhe u afruan lojtarë mesatarë, ose më keq akoma “mollë të kalbura”. Për mendimin tim është gabuar shumë në merkato, sepse lojtarët që ikën jo vetëm nuk u zëvendësuan si duhet, por u krijuan edhe ndasi me pjesën tjetër”, janë këto fjalët e Starovës, të cilat nënkuptojnë se, këto janë disa nga arsyet që Partizani ndodhet i fundit në renditjen e Superiores pas katër javëve të para. Po përgjegjësia e kujt është me këtë situatë? Moxhi e hedh topin te Preiti, ky ja kalon Iulianos, ndërsa si “trio italiane” kërkojnë ta pasqyrojnë një gjendje normale. Turp! Nga dolën këtë “limonë të shtrydhur” që të fyejnë kaq banalisht Partizanin, 15 herë Kampion i Shqipërisë, më shumë se një “Ikonë” e gjallë e historisë së futbollit shqiptar. Duke e paraqitur kështu situatën, shtrohet pyetja: Nga Starova te Preiti, kujt i dhimbset më shumë Partizani?! Ndoshta tifozët e kanë një përgjigje reale, le ta thonë.
Sot këshilltar i Presidentit të Partizanit, Gaz Demi, Sulejman Starova që dy muaj më parë ishte trajner i kësaj skuadre, me profesionalitet e personalitet ka folur pa dorashka, duke i quajtur “mollë të kalbura” ata që kanë sjellë italianët gjatë kësaj merkatoje 
6 largime
Nga skuadra e Partizanit e sezonit të kaluar, u larguan gjashtë futbollistë, mes tyre Ekuban, Ramadani, Torrasa, Mazrekaj, Cetkoviç
10 afrime
Në merkaton e verës, te skuadra e Partizanit janë afruar 10 futbollistë, ndër ta Edgar Çani me një pagë mujore 20 mijë euro
Sigal