Nga Prof. Dr. Hulusi Hako/ Denis Didero: “Di të them vetëm të vërtetën, e cila jo gjithmonë pëlqehet”

    571
    Sigal

    Mendja e ndritur dhe vepra e Denis Didero, së bashku me ato të një plejade të shquar mendimtarësh, i parapriu Revolucionit të Madh Borgjez të Francës

    Mendja e ndritur dhe vepra e Denis Didero (1713-1784), së bashku me ato të një plejade të shquar mendimtarësh, i parapriu Revolucionit të Madh Borgjez të Francës (1789), ngjarjes madhore, epokale të historisë botërore, i cili theu prangat politike feudale-kishtare, i çeli rrugën rendit të ri ekonomik-politik-shoqëror, zhvillimit të vrullshëm të forcave prodhuese, shkencës, racionalizmit, iluminizmit e humanizmit. Në kthesën cilësore të rrjedhës së jetës shoqërore që kreu “shtresa e tretë” e kryesuar nga borgjezia, ai u afirmua si iluminist i shquar, militant në betejat për triumfin e arsyes së shëndoshë dhe të vërtetën shkencore, filozof materialist, intelektual poliedrik, figurë qendrore e jetës kulturore të vendit; me kontribute të veçanta në filozofi, shkencë e kulturë, në teatër, dramaturgji e kritikë artistike. I ftuar nga Katerina II e Rusisë, iu dha rasti të rrezatonte edhe në Petërsburg për 7 muaj. Është “njeriu që vuri jetën e vet në shërbim të së vërtetës dhe të së drejtës” (Engels). Korpusi i veprave të tij ka hyrë denjësisht në thesaret e mendimit dhe kulturës franceze e botërore.                                                                               Rrjedha e jetës së tij i përngjan odisesë së të gjitha të vërtetave, të cilat me shumë vështirësi kanë fituar të drejtë qytetarie. E ka thënë në mënyrë modeste se “e vërteta jo gjithmonë pëlqehet”, por kisha katolike, bëhej pengesa më e madhe, kundërshtarja gjakatare e të vërtetave jetësore e shkencore. Ishte i bindur që “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë për rreth është e rreme”! Ndaj filozofit të shquar, iu desh të luftonte për përhapjen e të vërtetës, po me atë vendosmëri që e pohonte.. E ndjeu qartë dhe u shpreh se: “Jemi pranë një revolucioni të madh në shkencë”. Me bindjen e tij “Njeriu s`është as i mirë, as i keq; janë edukimi i keq, shembujt e këqij e ligjet e këqija, që na përçudnojnë”, apelonte për orientime të reja, për parime, norma e ligje reale, transparente, të tilla që i përgjigjen natyrës njerëzore, lirive dhe të drejtave. që atij i takojnë t`i gëzojë. Edhe misionin e dramës e teatrit, e shikonte jo thjesht në “bërjen të qajnë apo të qeshin të ngeshmit”, por në kultivimin e shijes së mirë dhe moralit, përmirësimin e sjelljes dhe personalitetit të tyre, të arrinin të ndikonin deri në shpirtin e kombit.. Kështu, kur i vjen fjala të vlerësojë veprën e bashkatdhetarit të vet, Rasini, thekson se ai “edhe pas njëmijë vjetësh do të vazhdojë t`i bëj njerëzit të qajnë dhe do të ngjallë miratim e admirim të madh në çdo vend të botës, do t`i mësojë njerëzit të jenë humane, mëshirëmëdhenj e të dhimbsur, e Francës do t`i kenë zili”.  Vetëm një shoqëri e prishur s`e do të vërtetën. E ndoqën, e fyen, veprën “Mendime filozofike” ia dogji qeveria. Se, siç e ka thënë dhe vetë tekstualisht: “Hyja në kategorinë e të ashtuquajturve filozofë, që shikoheshin si qytetarë të rrezikshëm, kundër të cilëve qeveria lëshonte dy a tre keqbërës të ulët…”. Kryevepra madhore mbetet “Enciklopedia e shkencave, arteve dhe mjeshtërive”, e hartuar nga një grup i kryesuar prej tij, me gjithsej 28 vëllime tekstesh e ilustrimesh, një manifest i vërtetë i iluminizmit francez, platforma e luftës çlirimtare të “shtresës së tretë”. Shembjes së ngrehinës së vjetër social-politike ai i shërbeu me afirmimin e parimit të humanizmit dhe kundërshtimin e trajtimit të njeriut si “skllav të perëndisë”, pasiv e pa personalitet. Mbrojti denjësisht filozofinë materialiste, që sulmohej egërsisht nga qarqet politike-obskurantiste feudale-kishtare, ngre nevojën dhe rolin e saj si zbuluese e të vërtetës së jetës, për drejtimin e njerëzve dhe mbrojtjen e tyre nga mashtrimet. Vëren se “ka plot njerëz të ndershëm që nuk janë të lumtur, dhe plot të lumtur që nuk janë të ndershëm” dhe apelon që “njeriu duhet të ngrihet mbi fatin” etj. Vepra e tij: “Mendimtarët për interpretimin e natyrës”, u vlerësua si metoda më e mirë e hulumtimit filozofik. Për t`i ngritur himn arsyes njerëzore, mjetit të plotfuqishëm e të pashtershëm në mundësitë e aftësitë njohëse, atij iu desh të kundërshtonte dogmat fetare, besimin e verbër e iracional që sundonin mendjet dhe shpirtin njerëzor, zhveshjen e tyre nga maska e rreme si “qiellore”, “hyjnore”, “të shenjta” e “absolute”, maskë që vazhdon t`u shërbejë si koracim, para së cilës po mallëngjehen e përgjërohen edhe shtetarët e sotëm e që vazhdojnë ta trajtojnë fenë si një “lule mos më prek”!. Shpërndarja e errësirës që shkaktonte mjegulla fetare ishte  një nga drejtimet kryesore ku shkëlqeu pena e tij, me ide e mesazhe, që kanë vlera,  e ruajnë aktualitetin edhe në ditët tona. Vepra e tij është një zë korifeu të mendimit, që i ka lënë thellë gjurmët e veta në Francën iluministe e laike, po që kërkon e pret sot reflektime të thella në vende të tjera të Evropës e më gjerë.                                                                                                                                                                Pasi u zhgënjye thellësisht e totalisht nga shkollat jezuite për t`u bërë prift, nuk u pajtua me urdhrat e të atit, vuajti ekonomikisht, odisea e jetës i shërbeu  si për disa universitete jetësore; nuk u nda nga librat dhe iu kundërvu tiranisë feudale po me atë force që stigmatizoi edhe obskurantizmin fetar, duke përqafuar argumentet ateiste. Feja dhe kisha u vunë në shënjestër shkencërisht e politikisht, si mbështetëse, shenjtëruese e bekuese të rendit feudal. Dogmat fetare janë “nocione që nuk kanë asnjë bazë në natyrë; ato mund të krahasohen me ato pyjet e Veriut, pemët e të cilave nuk kanë rrënjë. Mjafton një goditje ere, një fakt i vogël për të rrëzuar një pyll të tërë pemësh e idesh”. Ai polemizon e bën deduksione të drejta materialiste e ateiste, orienton drejt zbulimit të horizonteve të natyrës pa mjegulla obskurantiste. Me mendje të kthjellët e karakter të fuqishëm për kohën, ai engledisej duke thënë edhe: “Lum si ne për fenë; oh sa na kursen nga shumë  ngatërresa e lodhje! …Sikur feja të mos na mësonte se kafshët kanë dalë nga dora e Krijuesit, sikur të lejohej dyshimi më i vogël mbi fillimin dhe fundin e tyre,  filozofi,…nuk do të dyshonte që bota e kafshëve, nga përjetësia, do t`i kish elementet e veçantë në masën e materies; e që këtyre pjesëve u qëlloi të bashkohen, sepse u krijuan mundësitë që kjo të ndodhte; që embrioni i formuar nga këta elemente të kalonte në një pafundësi organizimesh, transformimesh e zhvillimesh”.                                                                                                                                                         Me këto, ai kish hedhur hipotezën e lindjes së natyrshme të jetës, mbi një shekull para se të bëhej e njohur teoria darviniste e Evolucionit, duke i thënë që atëherë edhe një herë Fesë se është krejt jashtë binarëve.                                                                                                                                         Ishte i qartë e i prerë: “Po qe se mendja është dhuratë  e qiellit dhe i tillë qenka edhe besimi, na del se qielli na ka dërguar dy dhurata që janë të papajtueshme dhe kundërshtojnë e përjashtojnë njëra-tjetrën”. Në romanin “Murgeshat”, përshkruhet odiseja e Suzanës Simonen, adoleshentes as 17 vjeçare që e detyruan të bëhet murgeshë kundër dëshirës së saj, veç përdorimit si kamxhik të të ashtuquajturit vullnet hyjnor se “është shumë e rrezikshme të ngresh zërin kundër thirrjes së zotit”, kurse vetë ajo shprehej: “ Nuk kishte gjë më të keqe sesa të bëheshe murgeshë… Kisha nënshkruar, kështu, vendimin e vdekjes sime me shpirt të brengosur. Ah, ç`fat i zi! Mjerë për mua të zezën; duan të më shtien në dhe të gjallë…Me një stërhollim mizorish që s`ua merr mendja gjen në shpirtrat fetarë! … Ç`krijesa mizore janë këto gratë e mbyllura që besojnë se i shërbejnë zotit, duke u plasur buzën të tjerave? Burgu im i vogël…Një botë që s`ti shmang brengën e hidhërimin, po të imponohet dhe t`i durosh! Më ndëshkuan me mënyrat më ç`njerëzore…Kuvendi është një burg një mijë herë më i llahtarshëm se burgjet ku mbyllen keqbërësit. Vriteni më mirë me dorën tuaj vajzën, sesa ta burgosni në kuvend pa pëlqimin e saj…Jeta e manastirit është ose jetë fanatike, ose jetë hipokrite…U bëra në gjendje që do t`i vinte keq edhe gurit e drurit! Etj. Kemi të bëjmë me një akt-akuzë të fuqishme të një besimtareje reale, e njohur prej autorit, kundër vetë manastirit si institucion fetar.   Për politikanët, ligjbërësit e krerët fetarë të botës mbetet në fuqi pyetja dërmuese e shpartalluese e tij: “Kaq të domosdoshme qenkan kuvendet për ndërtimin e një shteti? Mos vallë Jezu Krishti krijoi murg e murgesha;  po kisha nuk mund të bëjë fare pa to? Ky Krisht bashkëshort, ç`nevojë ka për kaq virgjëresha të çmendura, si dhe gjinia njerëzore për kaq shumë viktima?” Ky është zë i fuqishëm për fatin e mijëra murgjve e murgeshave të mbyllura në manastire e teqe, ajo pamje e zymtë e groteske, tronditëse e rrëqethëse, për të cilën filozofi do të shprehej me habinë më të madhe: “Eh, moj botë, sa vrullshëm po përparon, sa shumë ngadalë dogmën fetare po e lëshon!”