Nga krijimtaria e Rilindësve: FAIK KONICA

    486
    Sigal

    FLAMURI

    Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeri me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë?  Nuk janë kujtime lakmish dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtëse me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lënë gjurmë në letërsitë e të gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit në botë, është edhe një nga më të drejtët.

    LUTJA E SHKRIMTARIT

    …Dhe mbasi fola për shkrimtarët, do t’u them një gjë. Kam vënë re se librat e lutjeve fetare, ndërsa kanë lutje për çdo shkollë e zanat, s’kanë ndonjë lutje të veçantë për shkrimtarët. Unë nuk jam shumë fetar, por ndonjëherë më hipën zjarri për një besim të shkurtër, të cilin iu kërkoj leje ta këndoj. S’ka të bëjë me asnjë fe të veçantë dhe njerëz të çdo feje mund ta pranojnë: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet shtypit. Ashtu qoftë”!…

    ANADOLLAKU NË MËSALLË

    Ka ndenjur si një ka

    Po ha edhe po ha,

    Shembet me pilaf,

    Fryhet me hoshaf;

    S`ka kohë të flasë

    Hedhe sa të pëlcasë:

    Llop një bakllavá,

    Llop një hallvá,

    Llop nje revani,

    Llop muhalebi.

    Thërret:-Hiç jemedum!

    – O burra, bre dudum!

    Kërkon një syltjaç,

    Porosit një kulaç,

    Rrëmben një bugaçe,

    – Të rrëmbeç një kopaçe!

    Të tërë për një darkë,

    Të tëra në një bark!

    Kur lodhet sa ngjinjet,

    Pushon e shtrihet

    Shtrihet dudumi

    Dhe na e zë gjumi.

    Nesër kur të zgjohet

    E, me “bismil-lah”,

    Prapë pilaf

    E prapë hoshaf.

    “Qebap boll-boll

    Koxha Anadoll!”

    More dudum kokëkungull

    Gojëbuall e barkrrumbull

    Thuamë, të rëntë pika!

    Ç`të duhet ty politika?

    Hiq, more dudum dorë, hajde

    Të të kllasëm në një kade

    Plot me mjalt`e me reçel

    Ha pi e kurrë mos del…