Nga “ferri në parajsë”, futbollisti që luan në Shqipëri: Mbaj familjen në Kamerun me rrogën e Tërbunit

523
Me historinë e tij disa muaj më parë, ai u bë lojtari i huaj më i famshëm në Shqipëri. Një nga ato rrëfime që shtangu jo vetëm opinionin sportiv, por edhe më gjerë. Bëhet fjalë për kamerunasin Janot Tadjong, i cili prej dy sezonesh është pjesë e kampionatit shqiptar të Kategorisë së Parë.
Tadjong erdhi nga Kameruni me ëndrrën e madhe se do të realizonte synimet e tij në futbollin europian, por kur mbërriti te Sopoti kuptoi që gjithçka do ishte realitet i hidhur, pasi Shqipëria nuk ishte vendi që atij i kishin premtuar. Problematika të shumta hasi kamerunasi duke filluar nga lënia në baltë prej menaxherit të tij që nuk i interesua më, vonesa me pagat në muajt e parë dhe mbetja edhe pa ushqim nga fundi i fazës së parë te Sopoti.
Por, historia për atë nisi të ndryshojë pas publikimit në gazetën “Panorama Sport” të intervistës së tij, pasi Tadjong lëvizi te Tërbuni i Pukës, ekip që militon në Kategorinë e Parë dhe stërvitjen e bën në Tiranë. Nga lojtari mësohet se te Tërbuni po kalon shumë më mirë se çfarë hoqi në fillim dhe tani as që i bëhet më të shkojë diku tjetër.
Vazhdoni të dukeni mjaft në formë fizikisht, edhe pse keni kaluar me shumë se 1 vit në Shqipëri. Nuk paskeni shenja “vuajtje”?
(Qesh) Nuk kam vuajtur ndonjëherë se vuajtja është fjalë e madhe, por kam sakrifikuar shumë në atë kohë te Sopoti. Gjithsesi, të shkuara të harruara. Çdo gjë ndodh për një arsye dhe ndoshta dhe për mua ka një arsye që ndodhën gjithë ato gjëra.
Që kur kaluat te Tërbuni për ju nuk kemi dëgjuar më. Si po ecën në Pukë?
Më mirë nga se mund ta imagjinoja. Kam shokë të mirë, trajner të mirëkuptueshëm dhe strehim të mirë. Mbaj regjim siç duhet këtu, në kushte dinjitoze dhe jam shumë i kënaqur. Kam dërguar edhe para tek të afërmit e mi në Kamerun. Kjo është ndjesia më e bukur që kam përjetuar ndonjëherë, pasi në fillim, pas atyre peripecive që kalova te Sopoti, nuk mendoja se do mund të grumbulloja para për t’ua dërguar të afërmve të mi në Kamerun.

Po kampionati shqiptar si ju duket?
Shumë i fortë, sidomos Kategoria e Parë ku luaj edhe vetë. Loja është mjaft agresive dhe e fortë, duhet të kesh stërvitje të mirë për ta përballuar si duhet gjithë ndeshjen.
Edhe sa kohë mendoni të qëndroni në Shqipëri?
Aq kohë sa nuk do mërziten te Tërbuni me mua. Jam mirë këtu. Largimi është gjëja e fundit që mendoj.
Si e vlerësoni këtë sezon?
Ne jemi një ekip me lojtarë cilësorë dhe besoj se nuk do ta diskutojmë mbijetesën në Kategorinë e Parë.
Sigal