Nga 1 tetori hapen praktikat për punëtorë nga Shqipëria

    572
    Ambasada gjermane njoftoi se në dy javët e para të tetorit do të zhvillohet procesi i aplikimeve për Programin e Biznesit Gjerman. “Studioni apo punoni në një profesion që lidhet me ekonominë? Keni dëshirë të kryeni një praktikë 3 deri 6 muaj në një kompani gjermane? Atëherë aplikoni online nga data 1.10. deri 13.11.2017!”, bëri të ditur ambasada, duke njoftuar se informacione të sakta mund të gjeni në faqen: www.stipendienprogramm.org.

    Programi i Biznesit Gjerman ju ofron studentëve ose atyre që janë të punësuar nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia për të zhvilluar një intership në kompanitë kryesore gjermane. Ky intership mund të zgjasë 3 deri në 6 muaj dhe synon të aplikantët të integrohen nga kulturën e kompanive të biznesit në Gjermani, si dhe të përfitojnë rregullat e punës e menaxhimit modern. Gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani, aplikantët do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me kompani të ndryshme dhe më pas, kur të kthehen në vendet përkatës, ata do të kenë mundësinë dhe aftësinë të zbatojnë praktikat e mësuara në intership. Sipas organizatorëve, një synim tjetër është edhe nxitja e bashkëpunimit dypalësh, si dhe e shkëmbimeve ekonomike. Në mënyrë të veçantë, program e vë theksin edhe në bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërsektorial mes profesioneve të ndryshme. 

    Si përzgjidhen aplikantët
    Studentët, të cilët janë në përfundim të studimeve të tyre, si dhe të rinj të sapodiplomuar, mund të përfitojnë nga ky program. Fushat e tyre të studimit duhet të kenë fokus në ekonomi, administrim biznes, fusha të ndryshme të inxhinierë, gazetarisë ose bujqësisë. Përgjithësisht, aplikantët nuk duhet të jenë më tepër se 29 vjeç, ndërsa kërkohet komunikimi shumë i mirë në anglisht. Gjithashtu, zotërimi i gjuhës gjermane është një mundësi më shumë për aplikantët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia. Ndërkohë, personat që kanë kryer studimet jashtë vendeve përfituese nuk mund të përfitojnë nga Programi i Biznesit Gjerman.

    Procedura e aplikimit kërkon plotësimin e formularit online në anglisht apo gjermanisht, një intervistë në kryeqytetin e vendit përkatës (në rastin e Shqipërisë në Tiranë), si dhe seleksionimin e kandidatëve të propozuar nga kompanitë gjermane. Kjo fazë e fundit duhet të përmbyllet në periudhën mars-maj 2018. Kandidatët duhet të aplikojnë për fushat e tyre të studimit dhe jo për vende konkrete në kompani, ndërsa Programi do të bëjë shpërndarjen e profileve te kompanitë e biznesit. Sipas organizatorëve, kandidatët nuk duhet të kontaktojnë kompanitë paraprakisht. “Pjesa më e madhe e kompanive e marrin vendimin e tyre në bazë të aplikimit të shkruar dhe rekomandimit të komitetit seleksionues. Megjithatë, disa kompani gjithashtu realizojnë intervista të shkurtra telefonike me vetë kandidatët e propozuar”, thuhet në kushtet e programit.

    Aplikimi online
    Përpara aplikimit online, të interesuar duhet të përgatisin dokumentet e mëposhtëm:
    1 – Letër motivimi në gjermanisht ose anglisht.
    2 – Jetëshkrim në gjermanisht ose anglisht.
    3 – Foto portret.
    4 – Të dhëna të skanuara për programin e studimit të ndjekur.
    5 – Përkthimi i të dhënave në gjermanisht ose anglisht.
    6 – Dy letra rekomandimi nga profesorët ose mbikëqyrësit.
    7 – (Me dëshirë) Dokumente të tjera të skanuara.
    Mund të aplikoni për këto profesione: 
    1 – Financë, matematikë financiare, kontabilitet, bankë dhe sigurime.
    2 – Menaxhim, marketing, shitje, konsultim, ligj tregtar.
    3 – Logjistikë, inxhinieri industrial, menaxhim cilësie.
    4 – Gazetari, shkenca politike, studim i gjuhës gjermane.
    5 – Inxhinieri mekanike, ndërtim avionësh, mekanik.
    6 – Inxhinieri elektrike, telekomunikacion, shkenca kompjuterike.
    7 – Inxhinieri civile, miniera, gjeologji, kartografi, teknologji mjedisi e klime, arkitekturë.
    8 – Inxhinieri kimike, biologji, teknologji ushqimi, proces inxhinierik.
    9 – Bujqësi (vera dhe frutat).
    Vendi që na “thith” mjekët e infermierët
    Gjermania ka një nevojë në rritje në fushën e infermierisë për punonjës të kualifikuar, një mundësi për punonjës të arsimuar në Shqipëri, për t’u zhvilluar (trajnuar) më tej e për të krijuar përvoja të vlefshme, të cilat do të jenë të tilla edhe pas rikthimit në Shqipëri. Vendi ynë është ndër partnerët e parë për ndërmjetësimin e punonjësve në fushën e infermierisë me Gjermaninë. Infermierët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 18 muaj kualifikim të mëtejshëm profesional e gjuhësor si punonjës “mysafirë“ në Gjermani. Ushtrimi i testuar i profesionit është parakusht për njohjen shtetërore të diplomës në Gjermani. Deri në marrjen me sukses të provimit për njohjen e diplomës, punonjësit do të punojnë fillimisht si ndihmës-infermierë/ndihmës-infermiere. Punonjësit njohin metoda dhe teknologji moderne në fushën e infermierisë – në klinika dhe në institucione të tjera të kujdesit të shëndetit në Gjermani. Për këto mundësi mund të aplikojnë shtetas shqiptarë, mbi 22 vjeç, me studime të përfunduara në fushën e infermierisë në Shqipëri dhe në rastin ideal me përvojë konkrete në profesion dhe me njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane. Kohëzgjatja e marrëveshjes së punësimit është të paktën një vit dhe jo më shumë se 18 muaj. Orari javor i punës është i njëjtë me numrin normal të orarit të punës me kohë të plotë, në përputhje me kontratën kolektive ose pagesës tipike të punësimit me kohë të plotë. Përzgjedhja e kandidatëve fitues bëhet në bazë të shqyrtimit për plotësimin e të gjitha kërkesave të aplikimit, aftësinë profesionale dhe eksperiencën e punës të kandidateve si dhe njohjes së gjuhës gjermane. Kandidatët e përzgjedhur paraprakisht mbi bazën e dokumentacionit i nënshtrohen një intervistë me përfaqësuesit e palës gjermane. Nëse plotësohen kushtet për një marrëveshje të rregullt punësimi, ZAV i Agjencisë Federale së Punës lëshon një leje për punëkërkuesin (aplikantin), i cili e njeh këtë të fundit si “punëmarrës sezonal (mysafir)“. Ky vërtetim së bashku me kontratën e punësimit i dërgohet institucionalisht palës shqiptare, e cila ia përcjell atë aplikantit. Punëmarrësi lejohet të punojë vetëm për punëdhënësin e cilësuar në lejen e lëshuar.
    Sigal