Nexhat Merxhushi/ Harresa e gjenocidit çam, një tragjedi e dytë

    542
    Sigal

    Disa fakte të thëna nga vetë autorët grekë për tragjedinë e Çamërisë

    Prof. Sami Repishti shkruan: “Vështirësia më me madhe në kuptimin e tragjedisë çame rrjedh nga paaftësia jonë për të bindur publikun të besojë të pabesueshmen”. Ai vazhdon: “Të drejtat e çamëve dhe vuajtjet e tyre nuk mund të shtyhen për më vonë. Çamët u dëbuan andej, jo për atë që kanë ba, por për atë që ishin bashkëkombës të padëshiruar.” (gazeta “Panorama “ 20.8.2013)

    Jam plotësisht dakord me këto të vërteta  që shpreh profesori i nderuar. Ato janë si një apel për gjithë botën demokratike, për forumet e njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, për shtetin shqiptar dhe atë grek, të cilët duhet të njohin, në radhë të parë  historinë faktike dhe pastaj atë të dokumentuar të Çamërisë dhe mbi këtë bazë të gjejnë rrugën e zgjidhjes.

    Ligjet, Aktet dhe Konventat Ndërkombëtare, të cilat Republika e Greqisë është pjesë dhe i ka firmosur, nuk mund të parashikojnë diskriminime të padrejta, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, për shkaqe të tilla si gjinia , raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare, statusi i pronësisë etj.

    Ish kryeministri i Greqisë në vitet 1925, Teodoros Pangallos (gjeneral) shprehej : ‘’Në Epir ka mijëra çamë që bëjnë minoritetin. Në qoftë se në të kaluarën kanë ndodhur ngjarje të papëlqyeshme ndaj tyre, kjo nuk përbën politikën tonë. Qeveria është e vendosur të dënojë çdo vepër të keqe ndaj minoritetit çam…”

    Për dëbimin masiv të çamëve dhe gjenocidin ndaj tyre do të flasim më poshtë me gojën e autorëve grekë.

    Si ka vepruar politika greke ndaj çamëve?

    Krimet që bënë grekët ndaj çamëve, i tregojnë vetë, me gojën e tyre, historianët, shkrimtarët dhe intelektualët grekë. Autori përparimtar grek, Jorgos Margaritis, në librin e tij për Çamët, me titull “Bashkëpatriotë të padëshiruar” hedh dritë mbi atë çfarë ishin çamët në Greqi. Ndërsa autori ekstremist grek, Dhimitri Mihallopullo, në librin e  tij “I Çamidhes”, (botim i vitit 1993 në Athinë, nga Shtëpia Botuese “Arsenidhi”), shtron pyetjen: “A ishin çamët minoritet në Greqi, analog me atë grek në Shqipëri?… Dhe vazhdon: “Çamët ishin grup mysliman, që i ka pranuar Greqia si vend tolerant, por ky grup mori armët dhe luftoi kundër Greqisë…”(!)

    Të vërtetën na e zbulon, dashur padashur, kronisti i Napoleon Zervës, Miridhaqi. Citojmë nga libri i tij “Agones Tis Filisi Ethiqi Antistasi EDES-EOEA”, 1941-1944, Athinë 1952,  f.191: “Për pastrimin e gjithë krahinës (Çamërisë) nga çamët u caktuan Komanda e Përgjithshme nën udhëheqjen e Agoras dhe Gallanit, si dhe 11 Batalione të komandës së përgjithshme”.

    Ja si shprehet Jani Sharra, në librin e tij “Istoria tis periohis Igumenicas”, 1500-1950, Athinë 1985. “Pas ardhjes në fuqi të diktaturës së Mataksait, diktaturë shtypëse, shoviniste, me ndjenja instinktive, u mënjanuan çamët nga gjithë veprimtaria politike dhe shoqërore.(faqe 572). Me tutje historiani Jani Sharra vazhdon: “Mobilizimi ushtarak i vitit 1940 gjeti tek thesprotët gatishmëri të plotë për luftë. Ishte e papranueshme që të qëndronin indiferentë. Evropa digjej në flakën e luftës. Çamët këtë frymëmarrje e ndjenin në portat e tyre, familjet dhe shtëpitë e tyre” (faqe 606). “Ditën e parë të shpalljes së luftës, Metaksai i arrestoi gjithë myslimanët çamë dhe i internoi në Ishujt e Egjeut. Ky veprim i tij ishte një gabim i madh, sepse në këtë rast elementin mysliman e vendosi në kampin armik. (faqe 607).

    Njerëzit e ndershëm grekë, nuk ishin dakord për veprimet e ndërmarra nga qeveria greke ndaj çamëve. Ja çfarë u thotë një qytetar grek oficerëve nga Gjiriti:

    Ky vendim (për internimin e çamëve) nuk është i drejtë. Ju jeni të huaj, sot jeni këtu, nesër nuk jeni. Ne do të bashkëjetojmë me ta (me çamët) dhe ne do t’i paguajmë gjithë të këqijat” (faqe 617). Po ky autor vazhdon: “Vendimi se shqiptarët çamë do të bashkëpunonin me okupatorin bazohej vetëm në hipoteza”. (f.618) . “Çamët, që ishin ushtarë në ushtrinë kombëtare greke, kërkuan armë për të luftuar okupatorin, por nuk u dhanë, veçse kazma e lopata”. (f.606)

    Pse veproi Metaksai në këtë mënyrë me çamët? Prapë na ndihmon thënia e Sami Repishtit në fillim të këtij shkrimi kur thotë se “çamët ishin bashkëkombës të padëshiruar”. Dhe kujt ua bënte këtë? Çamëve, me të cilit kishin ndarë kontribute të përbashkëta në histori. Ja çfarë thotë Dh. Ipsilanti, një nga drejtuesit e Revolucionit Grek të vitit 1821, kur përmend dy nga figurat më të shquara të Çamërisë: “Shumë kurajozë, kryetar Pronjo dhe Çapari, gjithë çamët, ju përshëndes!… Unë dhe atdheu ju falënderojmë. Prijës burrërorë dhe aleatë besnikë, tani të bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë”.

    Por vetëm racizmi dhe fryma shoviniste e  atyre që drejtuan Greqinë, bëri që çamët të trajtoheshin si armiq, duke mos i konsideruar bashkëqytetarë me të gjithë popullatën tjetër.

    Vetë ish – kryeministri grek, Jorgos Papandreu, ka pohuar së fundi, nga mesi i viteve ’90, se: “Në vendin tonë vepron një racizëm…por racizmi nuk është gjithmonë manifestim i superioritetit, por në disa raste shfaqet me ndjenjën e inferioritetit, ose të frikës”. (Papandreu: takimi 2 ditor për Racizmin në Greqi, qershor 1995 (Gazeta Telegraf, 1.11.2013).

    -Pse çamët ishin “të padëshiruar”?

    Çamët ishin të padëshiruar në vendin e tyre brenda shtetit grek, sepse ishin autoktonë në tokat e tyre, kurse grekët nuk e duronin këtë. Strategjia e spastrimit etnik ishte e hershme. Grekët u munduan ta realizonin në disa faza dhe në moment të caktuara historike.

    Por kjo strategji e egër dhe djallëzore nuk u realizua plotësisht as me Andallainë (këmbimin e popullsisë çame me grekët e Anadollit), as me internimet në prag të Luftës Italo-Greke (1940). Duhej pritur rasti i duhur, në Luftën e Dytë Botërore, ku qeveria greke bëri, me duart e bandave zerviste, pastrimin më të egër etnik që kish ndodhur ndonjëherë.

    -Dëshmitë rrëqethëse të Niko Zhangos për masakrën e 27 qershorit

     Ja çfarë shkruan shkrimtari dhe historiani grek Niko Zhango, në librin e tij “Imperializmi anglez dhe lufta e popullit grek për liri”: “Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaro-çamëve të Paramithisë që u ekzekutuan në grupe ose veças , sepse në këtë qytet kishin gjetur strehe edhe shqiptaro-çamë të fshatrave përreth, por dua të theksoj atë çka më thanë edhe edhesitët (zervistët) nga ato çka mbajnë mend: “Më 27 qershor mbasdite u përhap nëpër shtëpitë e Paramithisë një hije e zezë. Andartët, me pushkë në dorë, hynin në shtëpitë e shqiptaro-çamëve dhe bënë atë që menduan dhe si deshën… Nuk gjendet kurrfarë dokumenti për të vraret” (f.87).

    Dhe Zhango vazhdon: “Nga sa munda të mbledh mund të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë. Do të duhet të na vije turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit tonë dhe të krenohemi me vepra trimërie. Therjet e grave dhe të fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epiri , i cili do që në histori të mbetet i pastër e trim”.(f.87)

    Me poshtë, po ky autor, thotë: “U ekzekutuan 18 veta tek Përroi i Karjotit, 11 veta në Shën Panaja, 27 veta poshtë vendit të 49-ve dhe shumë të tjerë në shtëpitë e tyre, në rrugë e kudo që gjendeshin. U ekzekutua Hamdi Demi (me tre djemtë), Lih Pronjo (e veja e Azem Pronjos), Isuf Pronjo, Qazim Rexhepi, Salih Hafuzi dhe djemtë (Tati, Nuhu dhe nipi Haki Myftari), Meko Pronjo, motra e Lihut (të cilën e kryqëzuan me gozhdë. Bile vranë lypsarin bari, Dautin, i cili s’ishte në gjendje për asgjë, veçse tregonte mungesën e tij mendore dhe ia bënë rrobat copë e cikë. Ekzekutuan Myftiun (Hasan Avdullanë) me gruan dhe fëmijtë”, (faqe 90-91). “Vranë Muharrem Bollatin me të birin, Brahon 12 vjeçar, dhe me të shoqen. Te shoqen e Rahmi Nurit, Sanijen, e dogjën të gjallë . Ekzekutuan Harun Iljazin, 14 vjeç, Agako Bollatin, Beqir Hysenin, Xhelal Bollatin dhe te birin, Fuatin. Qani Bollatin dhe të birin 11 vjeç. Djalin e Tahir Bilit, 8 vjeç. Rexho Berberin  me gruan dhe vajzat, 8-10 vjeç. Avdo Himen dhe Abedin Bakon, Fejzo Bakiun, Rexhep Breken, Vesel Breken, gruan e Nuhut të Asim Dinos, me vajzën dhe djemtë (13 vjeç Lutfiu dhe 10 vjeç Asimi) fëmijët e vajzës. Omer Muratin, Omer Merxhushin, Vëllezërit Esat, Emin, dhe Enver Elezi. Met Elezin, Haxhi Shehun. Djalin e Agako Beqo Sadikut (Nedinin, 11 vjeç). Malo Kekeçin e therën si në oborrin e shkollës. Çafa dhe Haki Mile, Malo Salicën, Avdulla Salicën 17 vjeç, Hajri Kupin dhe shokun e tij Mustafa, Kupin e Dem Beqirit, Maksut Beqirin me të shoqen, etj. (fq.258-259).

    Në shtëpinë e Sali Hafuzit vdiqën mbi 30 fëmijë nën 3 vjeç. Atje ishin grumbulluar të gjitha gratë dhe fëmijët. Tregojnë për barbarizmat e padëgjuara që u bënë grave të alivanosura nga uria. Asnjë masë nuk u mor nga Dhespoti apo Mirarho , apo nga autoritetet greke. (f.258-259)

    -Ç’thonë Konventat për gjenocidin?

    Kriminelët nuk e pranuan asnjëherë përgjegjësinë, por as qeveritarët grekë në këto 7o vjet, nuk kërkuan falje për ato që ndodhën në Çamëri. Konventa për Gjenocidin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së doli më 11 dhjetor 1946. Vetëm dy vjet kishin kaluar nga koha kur kishte ndodhur tragjedia çame. Por askush nuk tha diçka për Çamërinë.

    Konventa sanksionon se, “Gjenocidi nuk mund të jetë kurrë një çështje e brendshme e cilido vendi qoftë” (The Ëashington Post, me 9.5.1946)

    Ja ç’thotë Konventa tjetër e OKB-së për Gjenocidin, e vitit 1948, artikull 2: “Gjenocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht grupe kombëtare, etnike, raciale ose fetare, duke vrarë pjesëtarë të atij grupi, me qëllim eliminimin fizik të tyre, pjesërisht ose totalisht”.

    Kurse Rezoluta e kohëve të fundit, nr. 1964, e Këshillit të Sigurimit të OKB –së, datë 28.4.2006, “Ngarkon Këshillin e Sigurimit të veprojë në mbrojtje të civilëve në konfliktet e armatosur dhe të mbrojë popullatat nga gjenocidet dhe krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet ndaj njerëzimit ”.

    Por zyrtarët grekë, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të mbajnë një qëndrim racist ndaj shqiptarëve, madje ende nuk kanë shfuqizuar Ligjin e Luftës dhe nuk njohin minoritetet në Greqi. Dhe të mendosh që vetë grekët ishin pakicë në trojet që ata zotërojnë sot. Historiani greko-amerikan, L. Stavrianos, thotë: “Kur Greqia ishte nën perandorinë romake,  ata që banonin në atë territor nuk e njihnin historinë e lashtë greke dhe parapëlqenin ta quanin veten romei (sesa elenas ose grekë), pra e quanin veten pasardhës të Romës. Edhe të krishterët çamë, para vitit 1821, e quanin veten romei”.

    Është koha e dënimit të padrejtësive dhe gjenocidit

    Nobelisti rumun hebre nga Transilvania Elie Uiesel, thotë: “Në shekullin e ri do të gjykohen jo vetëm në anën morale dhe metafizike, të gjitha padrejtësitë e ndodhura në shekujt e kaluar”.

    Ndërkohë që mohohen kategorikisht të drejta e popullsisë çame dhe nuk njihet nga pala greke gjenocidi ndaj saj, Gjykata e Lartë e Greqisë, në vitin 2000 kërkoi që Gjermania duhej të paguante paditësve të fshatit Distomos në krahinën e Beotisë, shumën prej 100 mijë euro për person, sepse gjermanët vranë 218 banorë të fshatit, mbasi partizanët e këtij fshati kishin vrarë 40 gjermanë. (njëlloj si vrasja e të 49-ve grekë nga gjermanët në Paramithi).

    Për këtë vendim të gjykatës greke, qeveria tha se ai ka një karakter simbolik dhe bëhet për respekt të viktimave naziste. Vendimi shkoi pastaj në Gjykatën e Hagës.

    Qeveria Demokratike Gjermane kërkoi falje për krimet e kryera nga nazistet, duke paguar dhe një pjesë të mirë të reparacioneve, kurse qeveria greke, jo vetëm që nuk ka kërkuar falje për krimet e Napolon Zervës ndaj çamëve, por nuk lejon të vizitohen as varret e viktimave të pafajshme.

    -Krimi i padënuar, më i rrezikshëm

    Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë terroriste. Greqia kurrë nuk gjen kurajën të pranojë të vërtetën e kasaphanës kundër popullsisë çame. Ndaj tragjedia çame mund të thuhet se bëhet kështu një problem edhe më tragjik. Ndërkohë që sipas kronikanit të Zervës, Miridhaqi: “Grekët, për të mos dhënë llogari për krimet e kryera, u larguan për në Shqipëri bashkë me gjermanët. (Miridhaqi fq.194)

    Zyrtarët e lartë grekë fshihen pas gishtit, duke u justifikuar ende me të ashtuquajturin “bashkëpunim të çamëve me gjermanët”. Por vetë grekët pranojnë se shumë çamë ishin inkuadruar me ushtrinë e EAMI-it kundër gjermanëve: “Më 22 dhjetor 1944 filloi mësymja e përgjithshme e forcave EA-ELLAS, dhe skuadrat epiriote me batalionin shqiptar sulmuan vijën CAMANDA, LIKO, BARBUR, VORTOP, RAVENI dhe PENDE E KLISJES” (Miridhaqi fq.280)

    -Ende asnjë distancim nga Zerva!

    Ende pas 70 vjetësh nuk ka asnjë distancim nga krimineli Napolon Zerva, i cili udhëhoqi masakrat në Çamëri. Madje busti i tij është atje ku ka qenë, i palëvizur. Kjo do të thotë që shteti i sotëm grek është vazhdues i paraardhësve të tij shovinistë, i mbrujtur me urrejtje racore dhe etnike për shqiptarët.

    Dihet që Napoleon Zerva ishte bashkëpunëtor me gjermanët. Një dokument i shërbimeve speciale gjermane ICA, pasi bën fjalë për relatat e Zervës me gjermanët, konfirmon: “Zerva u soll kundrejt forcave të pushtimit deri më gusht 1944, me korrektësi, sipas marrëveshjes…” . Kurse në dokumentin 00848 të Rajhut Gjerman, shkruhet : “Urdhri i Zervës që të mos bëhet asnjë veprim kundër ushtrisë gjermane të pushtimit vazhdon të jete gjithmonë në fuqi…”

    Një amerikan me origjinë greke, që kishte shërbyer si oficer në ushtrinë amerikane, si agjent special i OSS, akuzoi ashpër Zervën në Senatin Amerikan, si një bashkëpunëtor të gjermanëve të tipit Mihailloviç (agjenti quhej Kuvaris)

    Komanda gjermane kishte marrë në mbrojtje edhe Doroteun, mitropolitin e Paramithisë, i cili i preu në besë çamët para fillimit të masakrave, duke u bërë garant për moscënimin e tyre nga zervistët. Ja urdhri i komandës gjermane të Paramithisë, më 1944: “Komandanti i garnizonit gjerman të Paramithisë, Shvarc, vë në mbrojtje të forcave gjermane mitropolitin Doroteu dhe çdo atentat kundër tij konsiderohet si atentat kundër forcave gjermane dhe do të ndëshkohet rreptësisht”.

    Atëherë, kush ishte “bashkëpunëtor i gjermanëve”, çamët e paorganizuar, apo grekët të organizuar me një qeveri kuislinge? Qeveria greke, pas kasaphanës zerviste, kërkoi të shfajësonte veten nga vrasjet dhe therjet e çamëve, duke thënë: “Çamët nuk u përndoqën dhe u vranë nga ushtri të ligjëruara të qeverisë greke, por nga forcat ushtarake andarte, të cilat dëgjuan dhe u udhëhoqën nga urdhrat e një komande të Frontit të Lindjes së Mesme”. (Historiani grek Dr. Jorgos K.S.Kallanxhis).

    -Harresa e gjenocidit është e dëmshme

    Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame nuk duhet të harrohet kurrë. Harresa që prek një brez, prek gjithë kombin apo etninë dhe është shumë e dëmshme. Duke kujtuar gjenocidin dhe duke dënuar masakrat greke ne ngremë lart ndjenjën e krenarisë sonë historike kombëtare, dinjitetin tonë njerëzor, origjinën tonë, e cila, sipas të gjitha dëshmive, na tregon se nuk kemi qenë një popull që thjesht shtriu kokën për t’u flijuar në tehun e kamës zerviste.

    Mjafton të rikujtojmë përgjigjen që një grua e moshuar i dha një zervisti, kur ai i tha: “Ta vramë edhe Xhelalin!” Nëna, e cila kishte 8 djem, iu përgjigj: “Na marsh të keqen katil, luftë është edhe do të vriten, por një do të mbetet”. Për krimet kundër njerëzimit, Matthev Newman, zëdhënës i komisionarëve të BE-së, thotë: “Ne e marrim shumë seriozisht kërkesën për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, sepse ato janë pjesë e kujtesës  kolektive të Europës ”. Por për krimin duhet të vlejnë të njëjtat norma e standarde ndëshkimi për të gjitha vendet ku kanë ndodhur ato dhe jot ë përkëdhelen hapur vende si Greqia .