Neurologu Çikopana: Fruti më i mirë i psikologjisë, është qetësia e shpirtit

    825
    “Bashkëpunimi mes mjekut të familjes dhe mjekut specialist psikiatër, në bashkëpunim me psikologët do të mund të parandalonin vetëvrasjet”. Kështu është shprehur mjeku neuro-psikiatër, Llambi Çikopana, në shërbimin spitalor Korçë. “Studimet më të fundit nga vende të tjera, kanë treguar se 40-60 përqind e të vetëvrarëve nuk kanë arritur të komunikojnë me mjekun specialist”. “Sëmundjet mendore, ka sqaruar më tej, kanë shenjat dhe simptomat e tyre, të cilat bëjnë të mundur që njerëzit me mendime vetëvrasëse mund të evidentohen Vetëvrasja në vetëvetë nuk është një sëmundje, po gjithashtu nuk është patjetër, manifestim i një sëmundjeje, por çrregullimet mendore janë një faktor madhor që shoqërojnë vetëvrasjen”. “Vetëvrasja kuptohet si një çrregullim multidimensional që vjen si rezultat i një ndërveprimi psikologjik, sociologjik dhe ambiental”, ka shpjeguar mjeku neuro-psikiatër LLambi Çikopana. Gjithsesi detaje në lidhje me fenomenin e vetëvrasjeve dhe mundësinë e parandalimit të tyre mjeku neuro-psikiatër, i sjell në këtë intervistë:
    Cilat mund të jenë disa nga shkaqet që çojnë në vetëvrasje?
    Së pari dëshiroj të vë në dukje se Shqipëria është vendi me moshën më të re në Europë, ku mbi 50% e popullsisë është nën moshën 24 vjeç. Ashtu si edhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare, fëmijët dhe të rinjtë kanë përjetuar probleme të shumta ekonomike dhe sociale, të cilat kanë të bëjnë me varfërinë, papunësinë, shërbimet e varfra shëndetësore dhe arsimore, probleme të trafikimit, migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, prostitucionit, drogës etj. Të gjitha këto fenomene ekonomike dhe sociale agravohen më tepër në kushtet e një ekonomie në tranzicion, kur shpenzimet publike për shërbimet sociale dhe shëndetësore mbeten ende në nivele të ulta. Rol në zbutjen e këtyre problemeve po luan edhe sektori jopublik, përpjekjet e të cilëve janë të përqendruara në afrimin e disa shërbimeve bazë, siç është arsimi dhe shëndetësia.
    Ç’rol luajnë droga dhe alkooli në vetëvrasjet?
    Apasionimi pas drogës dhe alkoolit është një sëmundje e trurit. Një sëmundje që çrregullon, desikuilibron mekanizmat që janë përgjegjëse për gjenerimin, mendimin dhe kontrollin e sjelljes tonë njohëse, emocionale dhe atë sociale. Alkoolizmi (varësia nga alkooli) është e shpeshtë ndër ata që kanë kryer vetëvrasje. Ekzistojnë shpjegime biologjike, psikologjike dhe sociale mbi lidhjen midis vetëvrasjes dhe alkoolizmit. Faktorët që shoqërojnë mbirrezikun e shtuar të vetëvrasjes ndër adoleshentët janë:
    fillimi i shpejtë i alkoolit, historia e gjatë e të pirit, niveli i lartë i vartësisë, humori depresiv, shëndeti jo i mirë fizik, rendimenti i ulët në punë etj
    Në ç’mënyrë pasqyrohen sëmundjet mendore?
    Sëmundjet mendore pasqyrohen me shenja dhe simptoma që rrëfejnë aktivitetin e mendjes, kujtesës, humorit, emocionit, frikës dhe ankthit, perceptimit sensor, vëmendjes, kontrollit të impulsit, kënaqësisë, energjisë, dëshirave, veprimeve të vullnetshme, funksioneve ekzekutive, aftësive të të menduarit, të të folurit, krijimtarisë dhe imagjinatës, vetëdijes dhe një numri aktivitetesh të tjera mendore. Dëmtimi i këtyre mekanizmave shkakton sëmundje apo çrregullime mendore. Pra, ajo që ne e quajmë “mendje” është shprehje e aktivitetit të trurit. Studimet e kryera si në vendet në zhvillim, ashtu edhe te ato të zhvilluara kanë treguar se në 80-100% të rastet të vetëvrasjeve të kryera kanë patur prevalencë sëmundjet mendore
    A është i mundur identifikimi i personave me mendime vrasëse?
    Siç e thashë edhe në fillim të bisedës, identifikimi, vlerësimi dhe trajtimi i personave me mendime vetëvrasëse është një detyrë e rëndësishme e çdo mjeku, i cili ka një rol kyç në parandalimin e vetëvrasjeve. Nga studime të kryera në vende të tjera, rreth 40-60 % e atyre që kanë kryer vetëvrasje janë konsultuar në përgjithësi me mjekun e familjes, por jo me mjekun specialist psikiatër. Për këtë arsye shërbimi spitalor në rrethin e Korçës po i kushton gjithnjë e më shumë një vëmendje të posaçme këtij bashkëpunimi. Është vlerësuar se rreziku për të kryer vetëvrasje gjatë gjithë jetës në persona me çrregullime të humorit, humbjes së interesit dhe shijimit të gjërave është 6-15%. Ndërkohë studimet kanë treguar se alkoolizimi kap 7-15 % të rasteve, ndërsa skizofrenia 4-10 % të vetëvrasjeve të kryera. Rritja e rrezikut të vetëvrasjes në depresion janë: pagjumësia e vazhdueshme, neglizhimi i vetes, sëmundjet e rënda, memoria e çrregulluar, axhitimi, ataket e panikut, fazat depresive në çrregullimet bipolare, gjendje e përzier ( maniako-depresive), mania psikotike. Depresioni është një faktor i rëndësishëm në vetëvrasje si ndër adoleshentët, ashtu edhe ndër të moshuarit, por ata individë që kanë një fillim të depresionit në moshë të madhe janë në një rrezik te lartë
    Cilët janë faktorët më presdispozues të vetëvrasjeve
    Gjithashtu mund të them se vetëvrasja është shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve të parakohshme ndër skizofrenët. Faktorët predispozues janë: të qenit i papunë, relapset e shpeshta, frika për përkeqësim, deluzioni, simptoma depresive.
    Studimet e kryera kanë treguar gjithashtu se çrregullimet e personalitetit kanë patur një prevalencë të lartë deri 20-25%., të cilat tregojnë se shoqërohen me impulsivitet, agresivitet si dhe çrregullimet somatikoforme apo çrregullimet e të ngrënit shpesh, të cilat janë të lidhura me sjellje vetëvrasëse
    A është i mundur parandalimi i vetëvrasjeve?
    Sigurisht që vetëvrasjet mund të parandalohen. Vetëvrasja në vetvete nuk është një sëmundje, por gjithashtu nuk është patjetër, manifestim i një sëmundjeje, por çrregullimet mendore janë një faktor madhor që shoqërojnë vetëvrasjen. Vetëvrasja kuptohet si një çrregullim multidimensional që vjen si rezultat i një ndërveprimi psikologjik, sociologjik dhe ambiental. Parandalimi i vetëvrasjeve bëhet duke bashkëpunuar më mirë dhe më me efikasitet mes mjekut të familjes dhe mjekut specialist psikiatër në bashkëpunim me psikologët.
    Sigal