Nesip Kaçi/ Serbia nuk i ka hedhur armët në tokë për Kosovën

    452
    Sigal

     (Si duhet parë nga ne deklarata e Erdoganit)

     *Ish-ambasador në Ankara

     U bënë disa ditë që mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës po lakojnë në mënyra të ndryshme deklaratën “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë” të  kryeministrit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan në mitingun e organizuar në Prizren. Disa prej organeve të medias së shkruar por edhe disa të atyre elektronike, mendoj unë, e shikojnë atë me një farë dyshimi dhe ndoshta nxitohen kur e etiketojnë atë me lloj -lloj epitetesh. Filozofi i shquar Toleran ka thënë: “Në botë nuk ka miqësi dhe armiqësi të përjetshme, të përjetshme janë interesat”. Ne shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të diasporës dhe cilido që i thotë vetes shqiptar, kudo që jeton e ndodhet,  nuk duhet të harrojmë kurrë se Serbia nuk i ka hedhur armët në tokë për Kosovën, ajo thur lloj- lloj plane ogurzeza ndaj Kosovës, të hapura dhe sekrete, duke bashkëpunuar me aleatët e saj tradicionalë, që ne i dimë se kush janë, të cilët na lajkosen me shprehje “miqësore”, kur vinë në Tiranë për vizita  të ndryshme. Po e hamë ne atë kokërr ulliri.

    Situatat e qeta në botë, sot janë,nesër nuk janë. Serbia vazhdon me kokëfortësi të mos e njohe Kosovën, megjithëse, Europa, sidomos Gjermania, ia kanë vënë si kusht Serbisë, se po nuk njohu Kosovën nuk pranohet në Evropë. Tani kur Erdogani deklaron në Prizrenin historik : Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë, kjo veç së tjerash, nëntekstin e ka me hedhje më të largët. Po ta lexosh atë midis rreshtave, ai i thotë Serbisë, kujdes se ne jemi në krah të Kosovës prandaj mos e kruaj shumë me Kosovën se do të kesh të bësh dhe me ne. Po pse i dogji aq shumë kjo deklaratë Serbisë dhe Nikolicit,  i cili menjëherë, sikur e pickoi grenza, deklaroi se, do t’i  rishikojmë marrëdhëniet  me Turqinë. Se çfarë do të beje Nikolici me Turqinë në nuk na duhet, ne na intereson që e ardhmja e Kosovës të mos cenohet. Kjo deklaratë e Erdoganit nuk ia prek aspak Kosovës, as Shqipërisë, vlerat evropiane dhe ardhmërinë tonë.

    Edhe Greqisë i dogji deklarata e Erdoganit  në Prizren, greku e ndjen shume erën e frikës nga turku. Turqia është fuqia më e madhe ushtarake në Ballkan me një popullsi shtatëdhjetë e gjashtë milion turq, ajo është më shumë se gjysma e Ballkanit. Greqia për çështjen e Kosovës mban krahun e Serbisë, nuk e ka njohur Kosovën. Greqia nuk e njeh Kosovën se i trembet rritjes së faktorit shqiptar në Ballkan, i trembet çështjes dhe problemit çam e të tjera.

    Tani, i dashur lexues, reagimet negative nga Serbia dhe Greqia ndaj deklaratës së Erdoganit në Prizren, unë i kuptoj, ajo që nuk kuptoj janë reagimet, në një farë mase kritikat dhe “analizat”   në mediat e Shqipërisë dhe të Kosovës, për këtë deklaratë, si shfaqje të “neootomanizmit” e të tjera, e të tjera si këto. Otomanizmi ka vdekur që në kohën e sulltan pekmezit. Nuk do ti kthehemi kohës së axhemi ogllaneve dhe devshirmese (jeniçerëve). Turqia para pak ditësh festoi 90 vjetorin e shpalljes së Republikës  moderne qemaliste.

    Edhe një gjë tjetër duhet të bëhet e qartë se, këtë deklaratë Erdogani e bëri në prani të kryeministrit të Shqipërisë dhe të Kosovës, po të ishte dashakeqëse Edi Rama dhe Hashim Thaçi, të dy arnautë të fortë, do t’ja vinin në dukje. Veç kësaj, po pse  në atë miting do të gjente kohën të bënte indoktrinim fetar Erdgoani. Në qoftë se ai mori pjesë në inaugurimin e një xhamie, ai mori pjesë edhe në inaugurimin e aeroportit madhështor të Prishtinës, që mban emrin e Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së.

    Unë që po shkruaj këto rreshta kam punuar me detyrën e ambasadorit në Turqi nga viti 1988 deri në vitin 1992 dhe mund të them se Turqia që nga viti 1912 nuk është përzier kurrë në punët e fesë në Shqipëri dhe aq më pak në Kosovë edhe pse rrjedhat e historisë na lidhen aq gjatë me perandorinë osmane, me zakonet, traditat, fenë, mentalitetin, realitetin jetësor e plot e plot të tjera. Duhet ti balancojmë gjërat , t’i shikojmë ato ashtu si janë, sepse në qoftë se në Kosovë apo Shqipëri ka “fanatizëm” islamik, ky nuk na vjen nga Turqia, çdo fenomen,çdo zhvillim, shkakun e ka brenda, nuk mund të fajësojmë për këtë të tjerët. Shqipëria, por dhe Kosova e kanë Turqinë aleatin kryesor strategjik në Ballkan dhe lobi shqiptar në Turqi është i fuqishëm si në asnjë vend tjetër në botë. Kjo duhet mbajtur kurdoherë mirë parasysh.