Nesip Kaçi/Esat Pasha Janina, mbrojtësi heroik i Janinës(1862- 1952 )

    798
    Sigal

    Edhe sot e kësaj dite nuk flitet për historinë e rënies së Janinës, që është nyja gordiane për mbrojtjen e Çamërisë

    Pak  histori

    Me 9 mars 2O13 mbushen 100 vjet nga rënia e Janinës. Siç dihet historikisht qeveria e Stambollit, që ishte në gjumë shekullor, më 8 gusht 1912 u sulmua prej grekeve, bullgarëve, serbëve dhe malazezëve, të cilët, duke pasur Rusinë cariste nga prapa, kishin krijuar Aleancën Ballkanike që më 8 dhe 9 qershor 1908, në rivalitet kjo midis Rusisë dhe Anglisë. Qeveritarët e Stambollit pa bërë asnjë muaj rezistence më 3 nëntor 1912 kërkuan armëpushimin e turpshëm.

    Në këto kushte në radhë të parë greko- sllavët pushtuan tokat shqiptare, duke përzënë popullsinë autoktone nga trojet dhe vatrat e saj shekullore, duke vrarë, prere e therur deri gra, fëmijë e pleq, duke djegur e shkatërruar fshatra dhe qytete të tëra me metodat më barbare e çnjerëzore që kishte njohur bota.

    Po le të vijmë te mbrojtja dhe rënia e Janinës, te mbrojtësit  heroikë të saj.

    Megjithëse qeveria e Stambollit e Babë Aliut, e udhëhequr nga Partia Ittihat ve Terakki (Bashkim dhe Përparim), hoqi dorë nga rezistenca kundër Aleancës Ballkanike greko-sllave dhe u dorëzua menjëherë. Mbrojtësi i kalasë së Janinës, Mehmet Esat Kaçi, më vonë Bylkati, me ushtrinë që komandonte, bashkë me shqiptarët patriotë, nuk i vuri veshin dhe nuk iu bind qeverisë së Stambollit, por vazhdoi të mbrojë kalanë e Janinës, që sulmohej barbarisht nga greket, megjithëse ushtria shqiptare-turke po ballafaqohej me kushte shumë të vështira të dimrit dhe të mungesës së municioneve.

    Mbrojtësi i Janinës, Mehmet Esat Kaçi në autobiografinë e tij të botuar në Ankara në vitin 1984 në librin “Mbrojtja e Janinës dhe Esat Pasha” nga faqja 97 deri  në faqen 104 shkruan si më poshtë:

    Shkollën fillore dhe të mesme e kreva në Janinë. Me 1879 fitova provimin të vazhdoja gjimnazin ushtarak të Manastirit. Pas një viti kalova në gjimnazin ushtarak “Kuleli” në Stamboll. Turqishten nuk e kisha mësuar dot mirë, atë e mësova më vonë. Në klasat e liceut dola i pari dhe më 1884-n u regjistrova në shkollën e lartë ushtarake. Edhe në atë shkollë dola i pari. Si toger vazhdova Akademinë Ushtarake dhe më 1890, duke u diplomuar, mora gradën kapiten i shtatmadhorisë dhe u emërova profesor i mësimeve të shtatmadhorisë. Pas kësaj shteti me dërgoi në Gjermani ku bëra specializimet e larta. Në korrik të vitit 1893 u ktheva në Stamboll me gradën nënmajor. Më 5 nëntor 1893 u gradova major i shtatmadhorisë. Në vazhdim bëra disa studime profesionale në Francë dhe me 1dhjetor 1895 më graduan nënkolonel. Më 18 prill 1897 u emërova në armatën e Janinës me detyrën kryetar shtatmadhorie. Me 31 janar1898 u gradova kolonel dhe më kthyen në Stamboll, ku fillova të jap mësim si profesor në shkollën e lartë ushtarake, ku pata nxënës mareshall Mustafa  Fevzi Cakmakun, Ismet Pashë Ynonyne, që  më pas u bë Kryeministër e më vonë President i Turqisë.

    Më 1899 më caktuan kryetar të komitetit për mësimdhënie, detyrë që e vazhdova për tetë vjet. Më 27 nëntor 1902 u gradova Pasha-Gjeneral. Më 15 korrik 1907 u emërova zëvendesmareshall, por nuk u pajtova me partinë Bashkim dhe Përparim. Me 13 prill 1909 u emërova zëvendëskryetar i Shtabit të Përgjithshëm, por qeveria e Bashkim- Përparimit më 22 shtator 1909 ma uli gradën. Dhashë dorëheqjen. Më  pas më emëruan Komandant Divizioni në Shkodër. Me të plasur Lufta Italo-Osmane më 10 gusht 1911 me emëruan Komandant Korparmate në Janinë dhe deri në mars 1913 mbrojta Janinën. Mehmet Esat Pasha në mbrojtjen e Janinës kishte pranë edhe të vëllanë, Vehip Pashën.

    Edhe ky bir shqiptari kreu shërbime madhore si komandant i kalasë në mbrojtjen e Janinës. Kur mbronte Janinën ra rob i grekëve. Mehmet Esat Pasha e mbrojti Janinën heroikisht dhe me nder, mirëpo nuk pati fat ta shpëtonte se nuk i erdhën ndihmat ushtarake nga Stambolli. Greqia, që nuk e pranoi armëpushimin me qeverinë e Stambollit, e sulmoi prapë Janinën. Komandanti grek, që zotëronte një forcë ushtarake të madhe, më 30 janar 1913 i dërgoi letër komandantit të kalasë së Janinës, Mehmet Esat  Pashës, që të dorëzohej, por komandantit helen, princ, trashëgimtar, që e njihte nga studimet që kishin bërë bashkë në Berlin, i dha përgjigje se kalaja e Janinës gëzon gjithë mjetet dhe masat ushtarake te duhura për mbrojtje.

    Mehmet Esat Pasha nuk e dorëzoi Janinën pa luftë, siç bëri Hasan Tahsin Pasha, që kishte dorëzuar Selanikun. Esat dhe Vehip Pasha, që ishin vëllezër, janinjote, të lindur dhe rritur në Janine, madje në Kala të Janinës, luftuan deri ne piken e fundit për mbrojtjen e saj.

    Komandanti grek, Kostandin, kur hyri në Janinë më 7 mars 1913 i tha Esat Pashës: nuk ka

    nevojë të dorëzoni armët, shpata heroit nuk i merret.

    Esat Pasha, sipas marrëveshjes me grekët, bashkë me tre gjeneralë, 1148 oficerë dhe 30063 ushtarë u kthyen në Stamboll. Për mbrojtjen e Janinës dhe rënien e saj në Ankara në maj 1984 është botuar dhe një libër monografi me 108 faqe në 5000 kopje, e cila pret një sponsor në Shqipëri për botim me rastin e 100- vjetorit të rënies së Janinës. Siç e thamë më lartë Esat dhe Vehip Pasha ishin shqiptare, mirëpo këta komandante lanë përshtypje se Janinën e mbronin për shtetin osman, por, po të mos harrojmë se qysh nga 28 Nëntori 1912 Shqipëria kishte shpallur Pavarësinë, atëherë kjo përshtypje del se nuk qëndron. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe më parë, në ato katrahura që kalonte perandoria osmane, ushtarët dhe oficeret shqiptare kishin filluar ta braktisnin armatën osmane dhe shkonin në Shqipëri. Esat Pasha disa herë u kishte folur ushtarëve shqiptare: “Ku shkoni more shqiptarë, ju jeni shqiptare, edhe unë jam shqiptar i Janinës. Si harruat që keni luftuar si luanë, pse sot nuk mbroni atdheun tuaj, Janinën e dashur”. Marrë nga libri“Nga Janina në Ankara”,shkruar nga Ismail Haki Oktay, Stamboll më 1975-n faqe55-57.

    Këto pyetje kuptimplote u bënte shqiptarëve edhe vëllai Esat Pashës, Vehip Pasha që mbronte kalanë: “Bashkatdhetarë të mi shqiptarë, ja të ruajmë nderin e Shqipërisë dhe lavdinë e pavarësinë e saj, ja të vdesim të gjithë”. Vlen të vihet në dukje se rënia e Janinës nuk u shkaktua nga dezertimi i shqiptareve, por nga qëndrimi dritëshkurtër i Portës së Lartë, që dirigjohej prej partisë aventuriere pan- turaniste Bashkim dhe Përparim.

    Veç kësaj, suksesin që korri në Shkodër Hasan Riza Pasha duke bashkëpunuar me shqiptarët, mund ta kishin arritur edhe Esat e Vehip Pashë Janina, po të kishin bashkëpunuar me qeverinë e Ismail Qemalit.

    Ç’është e vërteta në Shqipëri është shkruar pak për luftën, mbrojtjen dhe rënien e Janinës si dhe për mbrojtësit e saj heroikë, për komandantët e kalasë së Janinës, për bëmat e tyre. Edhe sot e kësaj dite nuk flitet për historinë e rënies së Janinës, që është nyja gordiane për mbrojtjen e Çamërisë, për zgjidhjen e problemit çam, për rikthimin e të drejtave të tyre. Edhe gjatë 45 viteve të monizmit për Çamërinë dhe Janinën nuk ngrihej zëri siç bëhej për Kosovën dhe kjo i dha Greqisë zemër të thoshte dhe të thotë edhe sot se i kemi mbyllur këto punë. Ne duhet t’i përgjigjemi Greqisë se i mbyll ti, se kështu të leverdis, por nuk i mbyllim ne, se ke bërë krime ndaj çamëve, ke bërë gjenocid në Çamëri dhe mos u përpiq t’i mbulosh këto, mos u fshih pas gishtit, nuk mbulohet dielli me shoshë. Ne jemi të bindur se në Greqi ka njerëz të drejtë, ka forca që nuk e pranojnë shkombëtarizimin e Çamërisë, ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por ne kërkojmë të rikthehen çamët në tokat e tyre, t’u kthehen pasuritë e tyre që ua morën me forcën e armeve më 1945-n kur i dëbuan nga Çamëria, të kthehen ata në shtëpitë e tyre, në vatrat e tyre të lindjes dhe kjo është mese humane, se ndryshe ka dava Janina. Politikanët grekë duhet të kuptojnë se me kokëfortësi nuk zgjidhen këto punë, këto punë zgjidhen me ndershmëri dhe drejtësi sipas Konventave Ndërkombëtare. Sa mirë politikanët grekë i duan të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, sa mirë Janullatosi ngre zërin për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, po meqë Janullatosi është njeri i Zotit, pse nuk e ngre zërin edhe për të drejtat e çamëve dhe të ndikojë te politikanet grekë që të respektojnë të drejtat e çamëve dhe jam i sigurt se zëri i tij do të dëgjohet në Greqi  dhe po bëri këtë do mbetet i pavdekshëm në Shqipëri dhe çamët do t’i ngrenë monument. Mendoj se, politikanët shqiptare dhe diplomacia shqiptare duhet t’i mëshojnë më shumë problemit të të drejtave të çamëve kjo në bazë të normave dhe konventave ndërkombëtare dhe nuk duhet  t’i lihet spontanitetit dhe as vetëm partisë së çamëve sepse hekuri rrihet sa është i nxehtë.