Nesër starton faza e dytë e regjistrimit të fëmijëve në kopshte

    539
    Nesër starton faza e dytë e regjistrimi të fëmijëve në kopshtet publike të Kryeqyteti, ndërkohë prindërit do të kenë 12 ditë afat për të kryer regjistrimin në këto institucione. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës (DAR), bëjnë të ditur se data 12 shtator do të jetë dita e fundit e regjistrimit, pasi viti i ri shkollor 2105-2016, nis më datë 14 shtator për të gjithë sistemin arsimor parauniversitar. Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit regjistrimi i fëmijëve në kopshte nuk do të bëhet pranë Drejtorisë Arsimore të Tiranës, por prindërit do të drejtohen pranë drejtorisë përkatëse të kopshtit për të kryer regjistrimin. Gjithashtu sipas DAR në Tiranë, prindërit duhet të tregohen korrektë në dokumentet që paraqesin për të bërë regjistrimin e fëmijëve, me qëllim që procesi i regjistrimit të finalizohet me sukses.
    Ja procedurat për t’u regjistruar
    Procedurat për regjistrimin e fëmijëve në kopshte startojnë me 1 shtatorë 2015 dhe zgjasin 12 ditë. Regjistrimi do të kryhet pranë kopshteve, në drejtorinë përkatëse të secilit kopsht dhe mund të kryhen nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:30. Vitet e kaluara regjistrimi i fëmijëve shoqërohej me radhë të gjata dhe kryhej pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, ndërsa këtë vite specialistët thonë se është vendosur që regjistrimi të bëhet pranë kopshteve, në mënyrë që prindërit të mos bllokohen nëpër radhë të gjata si ka ndodhur vitet e mëparshme. Veç të tjerave, këtë vit kopshtet janë ndarë edhe sipas rrugëve të lagjeve të ndryshme. Bëhet e ditur se nëse kopshti që i përket zonës së tyre është në rikonstruksion, ju mund ti drejtoheni një kopshti tjetër publik po në atë lagje. Edhe pse në faqen zyrtare të DAR renditen si funksionale 43 kopshte, aktualisht në Tiranë janë në shërbim 41 kopshte. Numri maksimal i fëmijëve që pranon çdo kopsht varet nga kapaciteti i tyre, por përafërsisht në këto institucione marrin shërbim rreth 64 mijë fëmijë. Fëmijët, që të regjistrohen në kopsht duhet të kenë mbushur moshën tre vjeç deri në 1 shtator 2015.
    Dokumentet për regjistrim 
    Dokumentet të cilat nevojiten për kryerjen e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe për vitin shkollorë 2015-2016 janë si më poshtë:
    1. Certifikata personale e fëmijës e pajisur me fotografi, e cila duhet të jetë e tre muajve të fundit
    2. Vërtetimi nga mjeku i lagjes për gjendjen shëndetësore që tregon se fëmija i tyre i ka kryer vaksinat e detyrueshme. Kërkimi i këtij vërtetimi shëndetësor bëhet me qëllim që të evitohet përhapja e ndonjë sëmundjeje nga njëri fëmijë te tjetri si dhe që prindërit të jenë të qetë për shëndetin e fëmijës në kopsht. 
    3. Nëse një prind kërkon ta regjistrojë fëmijën në një kopsht tjetër jashtë njësisë së tij bashkiake, nevojitet edhe vërtetimi që tregon se fëmija është banor i kësaj zone të Tiranës. 
    Mbipopullimi i kopshteve, problem i pazgjidhur për disa vjet
    Kjo është faza e dytë e regjistrimit të fëmijëve në kopshte pasi faza e parë u finalizua me 7 korrik, 2015. Ndërkohë që në përmbylljen e fazës së parë u dha alarmi për mbipopullim të kopshteve, për shkak të fluksit të lartë të kërkesave për regjistrim nga ana e prindërve. Faza e parë e regjistrimeve u shoqërua me regjistrime të shumta ku kopshtet me te lakmuara, ishin ato në qendër të kryeqytetit për shkak te infrastrukturës dhe stafit. Numri i larti i regjistrimeve u komentua shumë edhe nga specialistët pas fazës së parë të regjistrimeve, të cilët ripërsëritën herë pas here nevojën për investime, si dhe krijimin e ambienteve të reja edukative. Sipas tyre mbipopullimi i tepërti i grupeve ua vështirëson së tepërmi punën edukatorëve dhe qëndrimin e fëmijëve. Pritet që edhe faza e dytë e regjistrimeve në çerdhet e Tiranës të shoqërohet me fluks të madh, duke rrezikuar kështu përballjen e prindërve me mungesë të hapësirave për regjistrimin e fëmijëve në ambiente edukative. Problemi i mbipopullimit të kopshteve është konstatuar edhe vetë nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, ndërkohë që ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës se si do të përballohet numri i lartë i aplikimeve për regjistrimin e fëmijëve në kopshte për këtë vit shkollor. 
    Nis regjistrimi i nxënësve në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë
    Drejtoria Rajonale e Tiranës ka publikuar proceduarat dhe dokumentet të cilat nevojiten për regjistrimin në Gjimnazin me orientim Gjuhësor “Asim Vokshi” në Tiranë. Kështu sipas DAR për vitin shkollorë 2015-2016 në klasën e dhjetë do të hapen 8 paralele me 280 nxënës, ndërsa regjistrimet mundë të bëhen në degët: Anglisht – Gjermanisht, Gjermanisht – Anglisht, Frëngjisht – Anglisht, Italisht – Anglisht, Spanjisht – Anglisht, Anglisht – Rusisht, seksioni dygjuhësh dhe Frëngjisht-Shqip. Bëhet e ditur se kanë të drejtë të regjistrohen nxënës nga qyteti i Tiranës dhe nga ato qytete apo rrethe ku nuk ka gjimnaze me orientim gjuhësor. Numri i nxënësve për klasë do të jetë 30-35 nxënës. Kur numri i kërkesave për një degë është më i madh se numri i nxënësve të planifikuar, nxënësit përzgjidhen sipas mesatares së notave të provimeve të lirimit, të rrumbullakosur me një shifër pas presjes. Në rast se nxënësi fitues nuk paraqitet në shkollë në fillim të vitit shkollor, njoftohet drejtori para fillimit të këtij viti shkollor. Kur një nxënës fitues nuk paraqitet në shkollë brenda 15 ditëve nga fillimi i vitit shkollor, pa arsye objektive, nxënësi tjetër, sipas radhës në listë, gëzon të drejtën e pranimit në shkollë. Regjistrimet do të bëhen nga data 31 gusht deri më 9 shtator. Listat e nxënësve që regjistrohen shpallen me datë 10 shtator. Nxënësit, të cilët nuk fitojnë të drejtën e regjistrimit, kanë të drejtë të regjistrohen në shkolla të tjera ku regjistrimi nuk parashikon konkurs apo kritere të tjera të veçanta.
    Për të aplikuar nxënësit duhet të paraqesin këto dokumente:
    a) Kërkesa për regjistrim.
    b) Kopje e noterizuar, e njehsuar me origjinalin, e dëftesës së lirimit të nxënësit.
    c) Kopje e kartës së identitetit të nxënësit.
    Sigal