Nesër nis plotësimi i formularit A1 nga maturantët

456
Sigal

Matura Shtetërore 2015, aplikimi on-line i formularëve A1 dhe A1Z. Ja kalendari i plotësimit

 Aplikimi on-line me Formularin A1 fillon me datë 10 mars 2015 dhe mbaron me datë 24 mars 2015, sipas kalendarit të publikuar nga AKP. Formulari A1 plotësohet on-line vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2014-2015. Aplikimi on-line me Formularin A1 bëhet në shkollën, ku maturanti vazhdon mësimin. Procesi i plotësimit të Formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Aplikimi on-line me Formularin A1Z fillon më datë 25 mars 2015 dhe mbaron më datë 30 mars 2015, sipas kalendarit të publikuar nga AKP.

Formulari A1Z plotësohet on-line nga:

a) Maturantët para Maturës Shtetërore 2015;

b) Kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme;

c) Kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar;

d) Janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar, vërtetuar nga dekanatet përkatëse me shkresë zyrtare në AKP. Fleta e çregjistrimit origjinale dorëzohet në AKP para aplikimit me formularin A1Z, që të bëhet i mundur çregjistrimi në sistemin e Maturës dhe heqja e numrit të matrikulimit. Fotokopja e fletës së çregjistrimit dorëzohet në shkollën ku do të bëjë aplikimin on-line me formularin A1Z.

e) Kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe aplikojnë për herë të parë në Maturën Shtetërore, si dhe ata që kanë aplikuar më parë dhe plotësojnë kushtet b dhe c.

Aplikimi on-line me Formularin A1Z bëhet në shkollën ku kandidati ka mbaruar arsimin e mesëm të lartë, ose në shkollën që ka caktuar Komisioni i Maturës Shtetërore në DAR/ZA, e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që ka përfunduar është mbyllur. Procesi i plotësimit të Formularit A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Të gjithë kandidatët që duan të plotësojnë Formularin A1Z, duhet të paraqesin te mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla ku ka dhënë provimet. Vërtetimi, veç të dhënave personale duhet të ketë edhe këto të dhëna të tjera:

a) Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

b) Provimet me zgjedhje dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati.

Drafti i Arsimit të Lartë, pedagogët: Agjencitë si “mini-ministri”

Një pjesë e akademikëve janë ende të pakënaqur me ndryshimet e bëra në draftin e ri të arsimit të lartë. Pedagogu, Mark Marku, kordinatori i Forumit për Liri Akademike thotë se ndryshimet nuk kanë qenë esenciale dhe se bordi apo agjencitë që qëndrojnë në ligj janë mini-Ministri të Arsimit që do të ushtrojnë kontrolle mbi Universitetet. “Kështu si janë konceptuar, janë mini-Ministri. Aq më keq p.sh. që Këshilli i Akreditimit apo Agjencia e Kreditimit që do të duhej të ishte totalisht e pavarur, prapë vazhdon të jetë e varur nga qeveria. Me aq sa kam parë unë, nuk ka ndryshime thelbësore. Ka disa ndryshime të cilat i përshëndesim, por nuk janë thelbësore. Autonomia me këtë projektligj dhe me këtë variant të përmirësuar shkohet drejt centralizimit. Unë nuk e kuptoj se ku i gjejnë këto modele”, shprehet për mediat pedagogu Mark Marku.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku, është shprehur se përpara se drafti të shkojë në Komisionin e Medias do të vijojë të marrë sugjerime. Mazniku pohoi se Agjencia për Financimin që i shtohet 3 agjencive ekzistuese do të ndihmojë në financimin sipas performancës, por nuk do të ushtrojë kontroll qeveritar të Universiteteve. “Pjesa më e madhe e sugjerimeve të sjella në formë shkresore nga institucionet e arsimit të lartë është marrë parasysh. Ndryshimet thelbësore të ligjit janë të shumta dhe prekin kryesisht mekanizmin e financimit, duke siguruar që financimi jepet përmes katër mekanizmave kryesorë, ai që quhet grant i përgjithshëm. Granti ndryshon nga ai granti që jepej në mënyrë xhenerike, në një grant që jepet në bazë të performancës. Agjencitë të cilat kemi janë agjencitë të cilat ekzistojnë, por ju përmirësohet funksionimi i tyre me ligj” tha z. Mazniku.

Edhe përsa i takon autonomisë, pedagogët dhe Ministria kanë debate. Akademikët thonë se autonomia nuk është më e garantuar. Ndërsa Ministria thotë se kuotat e pranimeve janë të vetë Universiteteve. Gjithsesi, akademikët kanë dhe një mesazh të fundit: Të mos eksperimentohet me arsimin e lartë. “ Nuk mund të bësh një eksperiment siç bëjmë ne. Sespe rruga e panjohur është një eksperiment, mund të jetë dhe aventurë. Nuk mund të eksperimentosh me një sistem, nuk mund të eksperimentosh me jetën e njerëzve…”, tha Marku.