Nesër do të lexoni/ Prefekti i Korçës: Dëmshpërblim të shpejtë për emergjencat civile

824
Sigal

Nga Vepror Hasani
Dëmshpërblimi i banorëve të qarkut Korçë të prekur prej fatkeqësive natyrore ose faktorëve të tjerë, nuk do të jetë më një “odise” pa fund. Dëmshpërblimi do të jetë i shpejtë, i miratuar në mbledhjen më të parë të Këshillit të Bashkisë, fill pas shkaktimit, verifikimit dhe përllogaritjes së dëmeve. Për këtë arsye, Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, u kërkoi kryetarëve të bashkive që për emergjencat civile të planifikojnë 3% të buxheteve të tyre. (Përqindjen maksimale që kërkon ligji).
Kërkesa e Prefektit
Në lidhje me këtë çështje Prefekti i qarkut Korçës, Dhori Spirollari tha: “Emergjencat janë të vështira për t’u parashikuar, por mund të them që sivjet janë parashikuar fonde më tepër nga viti i kaluar. Këmbëngulëm që bashkitë të kenë fondin e mjaftueshëm, sepse është saktësisht në konceptin e vet të qeverisjes, që të shlyejnë të gjitha detyrimet e rasteve që mund të ndodhin. Ka shumë banorë që nuk kanë marrë dëmshpërblimin që u takon sipas ligjit për dëmet që u kanë ndodhur prej rrymës elektrike, përmbytjeve e rasteve të tjera. Pra, nisur nga kjo, u kërkuam bashkive të rrisin fondet. Bashkitë e mirëpritën kërkesën tonë, sigurisht duke marrë parasysh buxhetet që kanë. Gjithsesi, kërkesa u realizua”. Gjithashtu, prefekti Spirollari, mori si shembull edhe bashkinë e Pustecit (një bashki e vogël me 9 fshatra), e cila për emergjencat civile ka parashikuar një fond prej 500 mijë lekësh (të rinj), por kjo bashki ,- tha ai, – nuk ka qenë e rrezikuar prej përmbytjeve apo rrëshqitje të tokës, ndaj fondi shihet si i mjaftueshëm. Në rast regjistrimesh të dëmeve të mëdha, shlyerja e dëmshpërblimeve mbetet detyrim i Prefekturës përmes ndihmesave me fondet e përqendruara. Deri më sot, bashkia që ka pasur dëme më të mëdha, krahasuar me bashkitë e tjera, ka qenë ajo e Pogradecit. Kryesisht dëmet janë shkaktuar nga rrëshqitjet e tokës dhe djegia e banesave prej zjarreve. Gjithashtu qytetarëve duhet t’u vihet në ndihmë në çdo rast emergjence që vështirësojnë jetën e tyre. Si shembuj të mirë po sjell riparimin e shpejtë të transformatorit të Bilishtit në dhjetor të 2017-ës, i cili furnizonte me energji zonën e Devollit dhe riparimin po kaq të shpejtë të shtyllave të dëmtuara të tensionit të lartë që furnizonte me energji Maliqin Kjo bëri të mundur që shkollat spitalet, furrat e bukës, banesat e qytetarëve etj, të mos mbeteshin pa energji elektrike.