Nesër do të lexoni/ Bora e kuqe

538
Sigal

Nga Eqerem Canaj
Atë mot, dimri, si asnjëherë tjetër, në fshatrat e Kurveleshit pati derdhur borë të kuqe. Kjo flamë, çuditërisht e ngjyrosur në të kuq a portokalli allosoji, në fillim pati rrokur majëmalet e më pas, në ditë-netët e qametit ogurkeq, pati pushtuar paq, një pas një, fshatrat malorë, si dhe fshatin e Seri Gurit. Në atë rrëzomë malesh, përfund këmbëve të gurta, tejet stërrallore, gjendeshin katër – pesë pëllëmbë dhe e zhavorrinë, ku njeriu mund të çapiste për t’u ngjitur në fshatin fqinj për hall jetese, gëzim a hidhërimi ose ndo hallexhi mund të ulej më bythë e të merrte paksa frymë për të vazhduar sërish më tej. Ishte “fshati i qershive” një udhëkryq nga ku lidhte dy krahina të rëndësishme, ndonëse i gurtë. Dhe i ndodhur në atë pikë të horizontit, ku bashkoheshin dy vargmale me kahe të kundërt, si dy koka deshësh me brirët kacorrë që, në zemërim e sipër, tërhiqeshin prapa, merrnin forcë e suleshin tërbueshëm ballë njeri – tjetrit, për të lënë kokën në pikëtakimin e përplasjes. Këtë shëmbëlltyrë të jepnin malet ku ngrihej fshati i cili përjetoi, për herë të parë në jetën e tij, borën e kuqe, ndërsa bujqit e paktë e vreshtarët e pikuar me ato çikapikat e motit, e kishin bërë hallin dimëror: patën mbledhur misrat serikoje, arrat, fiqtë, bajamet, qershitë në kavanoza, prerë e sajdisur bletët, madje ëma azgane e Seriut e kishte cytur të shoqin që ta bluante edhe zahirenë e grumbulluar nga ato pak tokë xebërishteje, pse dimrit nuk i zihej besë. Dhe përfund dhomës së fëmijëve truponin dy thasë të çulltë, ai me rripa bardhë – zi, i cili qe mbushur me misër ose elb, tërshërë apo thekër, tjetri me brezare të kuq, qe me miell të bardhë, bluar taze, ashtu siç edhe dëshironte mëma e Seriut. Kështu, mendohej e veprohej në përgjithësi. Ndërkohë mbrëmja e katavasisë i pati vënë fshatit kapakun natar, siç edhe bënin fshatarët me kazanin e rakisë në vaktet e saj, sepse ishte kohë lufte, po prishej dynjaja, gjaku përskuqte dheun, se qe ngritur në këmbë partia e popullit, siç flitej e dëgjohej, se qenë krijuar njësitë partizane, bij bujqish e barinjsh, qytetarë të mendjes e të dyfekut e të tjerë nga ata që armikun e quanin mik… Të gjitha e të tëra këto nuk ishin të panjohura për fshatarët e “Fshatit të qershive”, pse aty e kishin folenë edhe shqiponjat, edhe kukuvajkat. Dhe dimri po binte i zi. Dhe i gënjeshtërt e mashtrues po aq…
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf