Nënshkrimi i marrëveshjes NATO – CIOR për bashkëpunimin dypalësh

    476
    Sigal

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë merr pjesë në Kongresin e Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë (CIOR)

    Në datat 30 Korrik – 04 Gusht 2012 u zhvillua në Kopenhagen të Danimarkës Kongresi i radhës i Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s (CIOR), ku Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (ShKURSh) është anëtare me të drejta të plota. Gjatë katër ditëve Kongresi diskutoi problematiken e forcave rezerviste në vendet përkatëse, anëtare të NATO-s, si dhe të vendeve pjesëtare të Partneritetit për Paqe e më Gjerë (PfP and Outreach). Kongresi u fokusua kryesisht në sfidat e reja për forcat rezerviste, të cilat të trajtuara mirë, të trajnuara e stërvitura mirë përbëjnë një nga shtyllat e forcave të armatosura të vendeve të NATO-s. Në tre nga ditët e Kongresit, ashtu si gjithmonë, u zhvilluan edhe gara ushtarake nga ushtarakë rezervistë efektivë të shoqatave të ndryshme të Konfederatës, ku garuan 105 ushtarakë në rezervë të ndarë në 35 skuadra. Kongresin e përshëndeti, me një videomesazh, edhe Admirali amerikan James G. Stavridis, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Europë. Në përputhje me sfidat e reja dhe përdorimin e forcave rezerviste në operacione të ndryshme, Kongresi miratoi dokumente të rëndësishme për bashkëpunimin midis NATO dhe CIOR, dokumente të cilat i kanë tashmë jo vetëm shoqatat anëtare të CIOR, por edhe përfaqësuesit ushtarakë të vendeve të NATO-s në Bruksel, përfshi edhe përfaqësuesit ushtarakë shqiptarë. NATO dhe CIOR janë të mendimit se në kushtet e krizave të sotme botërore kur rreziqet janë të karaktereve të ndryshme dhe asimetrike, kur kriza financiare i ka vështirësuar shpenzimet ushtarake, si dhe në  kohën kur vendet anëtare të NATO-s kanë reduktuar forcat e tyre ushtarake, duke kaluar nga shërbimi i detyrueshëm në atë vullnetar e profesional, komponenti rezervist bëhet gjithmonë e më i domosdoshëm. Kështu dokumenti MC 04412 “Kuadri Politik i NATO-s mbi Forcat Rezerviste” (NATO Framework Policy on Reserves), në piken 6 të titulluar Mjedisi Strategjik (Strategic Environement) theksohet se: “Ndryshimet në mjedisin strategjik, politik dhe ekonomik kanë theksuar nevojën për një radhë të re dhe të ndryshme të kapaciteteve të mbrojtjes për të përballuar një mjedis kompleks operacional në rritje. Disa vende të NATO-s i kanë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme Forcat e Rregullta dhe po rrisin implementimin e njësive profesionale, ndërsa e kanë reduktuar ose hequr shërbimin e  detyrueshëm, kapacitetet e vetme të vlefshme nëpërmjet Forcave Rezerviste moderne dhe rezervisteve të specializuar jep mundësi të mëdha për një mbështetje efektive për fuqizimin e Forcave të Rregullta. Këto ndryshime ndihmojnë në balancimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis popullsisë vendase dhe Forcave të Armatosura, po ashtu në lehtësimin e kapaciteteve në tipe të shumta operacionesh. Sidoqoftë, është e logjikshme që në mbushjen e këtij boshllëku të krijuar nga përqendrimi i  Forcave të Rregullta, rezervistët janë tani të një rëndësie të madhe për NATO-n. Ka një kërkesë të detyrueshme tani për të kuptuar dhe shfrytëzuar potencialin rezervist dhe Forcat Rezerviste, për shembull në perspektivë të Konceptit të Përafrimit të Kuptueshëm (Comprehensive Approach).” Ndërsa në pikën 20 të dokumentit, midis të tjerash, theksohet: “Legjislacionet nacionale duhet të kërkojnë të sqarojnë jo vetëm çështje që u përkasin statusit dhe obligimit, të drejtave dhe përfitimeve sociale e ushtarake të forcave rezerviste, por të mbulojnë gjithashtu mbështetjen e familjeve të tyre dhe mbrojtjen e të drejtës së punës nga punëmarrësit”. I citova këto dy pika për të kuptuar rëndësinë që NATO, çdo ditë e më tepër i jep trajtimit dhe përdorimit të forcave rezerviste. Çfarë ndodh në vendin tonë? Duke qenë me një Forcë të Armatosur profesioniste tepër të vogël, me një shërbim të detyrueshëm tashmë të shfuqizuar, resurset në forca ushtarake, në raste rreziqesh, të Forcave tona të Armatosura janë shumë të kufizuara. Prej vitesh, qeveritë e ndryshme, si dhe drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm, janë përpjekur vetëm të cenojnë të drejtat ekonomike të ushtarakëve në rezervë, por asnjëherë atyre nuk u ka renë në mendje t’u japin këtyre rezervistëve paga të pjesshme (pensione të parakohshme) relativisht të mira, dhe, në të pastajmen, t’u caktojnë detyra për kohë paqe dhe kohë lufte. Një gjë e tillë do të fuqizonte mjaft kapacitetet operative të Forcave të Armatosura shqiptare, pa kosto shtesë. Them pa kosto shtesë se, realisht, paga e pjesshme (pensioni i parakohshëm) është pjesë e buxhetit të Mbrojtjes dhe, si i tillë, Ministria e Mbrojtjes ka, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për t’i organizuar e përdorur këto forca. Vetëm oficerë në rezervë (pension të pjesshëm) janë mbi 7 mijë vetë dhe po të shtohen këtu edhe një pjesë e atyre që janë në pension të plotë, por me profesione specifike si inxhinierë, ekonomistë, kimistë, etj., forcat rezerviste arrijnë dhe ndoshta tejkalojnë sasinë e Forcave Profesioniste. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë asnjë listë me ushtarakët e nxjerrë në rezervë ku të kenë adresat e tyre, numrat e telefonave dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me një thirrje të mundshme të shpejte të tyre, në rast situatash të jashtëzakonshme. Ndërsa për t’iu caktuar atyre detyra dhe për të luftuar për të drejtat e tyre jemi ende shumë larg. Megjithëse si Shoqatë Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, anëtare e CIOR, e kemi ngritur disa herë problemin, vitin e kaluar edhe në Bruksel, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm ngurojnë për ta organizuar këtë resurs të domosdoshëm të forcave të armatosura, siç janë forcat rezerviste. Le të kujtojmë këtu mobilizimin e një pjese të oficerëve në rezervë gjatë konfliktit Kosovë – Serbi, por ka dhe mjaft detyra të tjera që këto forca mund të kryejnë në çdo kohë. Realisht ushtarakët në rezervë paguhen, por askush nuk mendon t’i organizojë e përdorë. Këtë problem do ta diskutojmë edhe më tej në të ardhmen, për të realizuar atë çka NATO kërkon në kushtet e mjedisit të ri strategjik, politik dhe ekonomik. Presidencën e CIOR e mori Franca, ku President u zgjodh, Presidenti i Shoqatës Franceze, koloneli i marinës, Richard Doll.

    *President i SHKURSH dhe Zv. President i CIOR