Nënat shqiptare me numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të lejelindjes

    62

    Tregues mbi kriteret dhe masën e përfitimit të Lejelindjeve. Shqipëri, Kosovë dhe vende të Europës korrik 2014

     Në një studim të Open Data Albania zbulohen përfitimet që vijnë nga leja e lindjes në Republikën e Shqipërisë, Kosovë dhe vende të Europës. Në vendin tonë përfitimi për barrëlindje i jepet një gruaje të siguruar, lidhur me barrën dhe lindjen e fëmijës. Kusht për përfitim është që të ketë jo më pak se 12 muaj sigurim për çdo rast barrëlindjeje dhe të jetë e siguruar në momentin e lindjes së kësaj të drejte. Përfitimet që vijnë nga leja i lindjes në rastin e Shqipërisë paguhen tërësisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kohëzgjatja maksimale e lejes së lindjes në Republikën e Shqipërisë është 365 ditë dhe gjatë kësaj periudhe gruaja me leje lindje merr përfitimet që vijnë nga leja e lindjes në varësi të statusit të saj të punësimit. Aktualisht, masat e përfitimeve janë:

    -Për gruan e punësuar, në periudhën e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes është 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik; Për periudhën tjetër në vazhdim, deri sa të plotësojë 12 muaj gjithsej sipas kushteve të përfitimit është 50% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik;

    -Në momentin e lindjes së të drejtës e vetëpunësuara në qytet përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal bazë të qytetit;

    -E vetëpunësuara në bujqësi, në momentin e lindjes të të drejtës, përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal të fshatit.

    Numri i përfituesve dhe shpenzimet për leje lindje në vitet 2009-2013

    ODA ka marrë në shqyrtim numrin e përfitueseve nga leja e lindjes, si  dhe shpenzimet e kryera nga ISSH për pagesat e lejes së lindjes në vitet 2009-2013.

    -Viti 2009 ka numrin më të madh të përfituesve nga leja e lindjes, numër ky që arrin në 15 001 përfitues, ndërsa viti më numrin më të ulët është viti 2010, me 9 554 përfitues.

    -Në vitin që lamë pas ky numër ishte 12 014 përfitues, nga të cilët 1 557 përfitues nga institucionet buxhetore; 889 nga institucionet jobuxhetore; 2 796 nga shoqëri private; 706 nga të vetëpunësuarit në qytet dhe 6 066 nga të vetëpunësuarit në bujqësi.

    -Pavarësisht ulje-ngritjeve të numrit të përfituesve nga leja e lindjes, shpenzimet e bëra për pagesat e lejes së lindjes kanë ardhur në rritje vit pas viti. Në vitin 2009 këto shpenzime ishin rreth 1.23 mld lekë, ndërsa në vitin 2013 këto shpenzime ishin rreth 2.33 mld lekë.

     Numri i ditëve të paguara për leje lindje

    Sipas Kodit të Punës të Republikës së Kosovës, punëdhënësi rëndohet të paguajë 180 ditë të lejes së lindjes me 70% të pagës bazë, ndërsa shteti paguan 90 ditët e tjera me 50% të pagës mesatare në Kosovë, duke treguar pozitat jo shumë të favorshme të punëdhënit në Republikën e Kosovës. Krahasuar me vendet e rajonit dhe të Europës, vendi ynë renditet në vendet që aplikojnë një sistem përfitimi nga leja e lindjes. Të vetmet vende që nuk aplikojnë një sistem përfitimi nga leja e lindjes janë Norvegjia, Suedia dhe Portugalia. Në vendin tonë, ashtu si në shumicën e vendeve të Europës, pagesa e lejes së lindjes përballohet nga fondet e shteteve përkatëse, me përjashtim të Kosovës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, vende në të cilat pagesa për lejen e lindjes përballohet si nga fondet e shtetit ashtu edhe nga punëdhënësi. Diferencat më të mëdha mes vendeve i gjejmë në numrin e ditëve të lejes së lindjes.

    -Vendi me numrin më të madhe të ditëve të paguara të lejes së lindjes është Bullgaria, me plot 410 ditë. Pas tij renditet vendi ynë dhe Bosnje-Hercegovina me 365 ditë. Më pas renditet Britania e Madhe me 273 ditë, pasuar nga Kosova dhe Maqedonia me 270 ditë, Sllovakia me 238 ditë dhe Kroacia me 208 ditë. Të gjitha vendet e tjera kanë më pak se 200 ditë leje lindje të pagueshme.

    -Vendi me numrin e ditëve më të ulëta të lejes së lindjes është Mali i Zi me vetëm 45 ditë.

     Masa e përfitimit për leje lindje

    Ndryshime të tjera mes vendeve vijnë nga masa e përfitimit të marrë nga leja e lindjes, ku ky përfitim është llogaritur si përqindje mbi pagën.

    -Vendi me përqindjen më të lartë dhe si rrjedhojë masën e përfitimit më të lartë është Serbia me 106% të pagës. Pas saj renditen vende si Austria; Kroacia; Gjermania; Greqia; Maqedonia; Mali i Zi; Hollanda; Polonia; Rusia; Sllovenia dhe Spanja me një masë përfitimi 100% të pagës.

    -Vendet e tjera kanë një masë përfitimi më të ulët se 100% e pagës, ku vendi me masën e përfitimit më të ulët është Britania e Madhe me 29%. Pas saj vjen Danimarka me 50%; Finlanda me 51%; Bosnje Hercegovina me 60% dhe më pas renditet vendi ynë dhe Sllovakia me një masë përfitimi prej 65%.

    Krahasuar veçanërisht me vendet e rajonit, të cilët aplikojnë të gjithë një sistem përftimi të lejes së lindjes, vendi ynë renditet i pari së bashku me Bosnje-Hercegonivën për numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të leje së lindjes. Mali i Zi sikurse e theksuam është vendi me numrin më të ulët të ditëve të pagueshme të lejes së lindjes si në Europë dhe rajon. Serbia kryeson listën e vendeve të rajonit me përqindjen më të lartë të përfitimit prej 106% të pagës. Pas saj renditen Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia me një masë përfitimi prej 100%. Pas tyre renditet vendi ynë me 65%, më pas Kosova me 63% dhe në fund Bosnje Hercegovina me 60%. Në të gjitha vendet e Ballkanit përfitimi nga leja e lindjes paguhet nga shteti, me përjashtim të Kosovës, ku kjo pagesë përballohet si nga shteti edhe nga punëdhënësi.