Nebi Çela/ Të anulohet Akti Normativ dhe të rishikohet masa e pensionit

    369
    Sigal

    Ushtarakët e Vlorës, letër Kryeministrit Rama: Mbani premtimet që na bëtë në fushatë elektorale

    Zoti Kryeministër! Këshilli Drejtues i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë (SHKUR), Dega Vlorë, nga një analizë e problemeve të pazgjidhura që kanë ushtarakët e liruar, në rezervë e pension, vendosën që me anën e kësaj letre t’ju bëjmë prezent:

    Problemet dhe shqetësimet tona kanë 22 vjet që lakohen, analizohen dhe trajtohen me ligje, zotime e premtime nga qeveritarët paraardhës, por deri më sot kanë qenë mashtrime e zhgënjime. Për të sjellë në kujtesën tuaj dhe të publikut po theksojmë disa nga momentet e kësaj praktike zhgënjyese që është ndjekur ndaj ish ushtarakëve.

    Zhgënjimet e ushtarakëve

    Në korrik 1991, u miratua dhe hyri në fuqi ligji për “Statusin e Ushtarakut..”, por asnjë nga nenet e tij nuk gjeti zbatim. Në korrik 1992 me të ashtuquajturën reformë në ushtri mijëra ushtarakë u hodhën në rrugë, pa nxjerrë një ligj për trajtimin ekonomiko-social, për mbështetjen e tyre për integrimin në jetën civile; ashtu si u veprua në vendet e lindjes. Të braktisur nga shteti të cilit i kishim shërbyer një jetë të tërë me ndërgjegje e sakrifica të panumërta, për të mbijetuar u detyruam të punojmë në punët më të rëndomta, roje objektesh e shitës cingërimash nëpër rrugët e qyteteve e deri në largimin klandestin në emigracion.

    Ligjet e miratuara që nga Ligji Nr. 8087 i vitit 1996 e në vazhdim kanë qenë më tepër refleksione të kërkesave të vazhdueshme të ushtarakëve, sesa vullnet i qeverive që qeverisnin vendin. Pikërisht mungesa e vullnetit politik për zgjidhjen e të drejtave legjitime të ushtarakëve ka bërë që edhe me miratimin e ligjeve që trajtonin dhe zgjidhnin mjaftueshëm këto të drejta, nuk kanë gjetur zbatim, se Ligji Nr. 9210 datë 23.03.2004, që miratoi “Statusin e Ushtarakut…” fatkeqësisht mbeti  në letër, se Ligji Nr. 9418 datë 20.05.2005, i miratuar për zbatimin e tij, u anulua pa u vënë në zbatim nga Ligji Nr. 9481 datë 16.02.2006, i cili me gjithë shkurtimet që bënte në masën e pensioneve, edhe ky  u pezullua pa u vënë asnjë ditë në zbatim.

    Në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, u miratua ligji Nr.10142, datë 15.05.2009, me fuqi zbatuese më 01.07.2009, kur Sali Berisha me mashtrimet dhe vjedhjen e votës e siguroi sundimin e tij, pezulloi zbatimin e këtij ligji dhe u kujtua ta vërë në zbatim në tetor 2010. Pa kaluar asnjë muaj nga zbatimi i tij nxori Aktin Normativ Nr.5 datë 10.11.2010, i cili u mohoi ushtarakëve dhe ato të drejta të fituara me ligj të miratuara më parë.

    Nga praktika dhe veprimet e theksuara më lart, del qartë loja e ndyrë që është luajtur ndaj interesave të ushtarakëve gjatë këtyre 22 viteve nga qeveritë paraardhëse; por në veçanti nga qeveria e Sali Berishës, që gjatë 8 viteve të sundimit të saj, injoroi të drejtat dhe interesat ekonomike, deri sa me Aktin Normativ, me synim të pastër politik, persekutoi dhe diskriminoi figurën e ushtarakut.

    Ky ligj antikushtetues, me shkurtimet që bëri në masën e pensionit ka bërë që mijëra ushtarakë të jenë debitorë në sigurimet shoqërore; çdo muaj kthejnë diferencën e lekëve të marra nga 1 korriku 2009 e deri në momentin e zbatimit të tij.

    Kërkesat

    Zoti Kryeministër me interesim të madh kemi pritur nga ju për të shikuar problemet tona me një sy tjetër dhe jo me atë syrin qorr që i kanë parë paraardhësit tuaj.

    Ne kërkojmë marrjen e masave për vënien në zbatim të premtimeve që Ju bëtë në takimin paraelektoral me ne ushtarakët në kinoteatrin “Petro Marko”, Vlorë, premtime të pasqyruara saktë dhe në programin qeverisës të Partisë Socialiste.

    Deri tani nuk ju kemi shqetësuar, pasi qeveria juaj ka pasur probleme të shumta dhe emergjente për të zgjidhur, të shkaktuara nga gropa e zezë në të cilën e la vendin qeveria famëkeqe e Sali Berishës; por për disa çështje vonesat për zgjidhjen e tyre, të deritanishme, janë të pajustifikueshme.

    – Së pari, të pezullohet e anulohet Akti Normativ Nr.5 datë 10.11.2010; pasi është një veprim i qëllimshëm politik; për të goditur e diskriminuar një shtresë të caktuar të shoqërisë me ligj; por që s’ka asnjë bazë juridike e mbi të gjitha është antikushtetues sepse “të drejtat e njohura me Kushtetutë e me ligje nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor” (Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë).

    Të gjitha ndalesat e bëra në pensionet e ushtarakëve mbi bazën e këtij ligji duke filluar nga data 1.7.2009, t’u kthehen poseduesve të tyre.

    – Së dyti, ligjet ekzistuese mbi bazën e të cilave trajtohen pensionet e ushtarakëve jo vetëm nuk zgjidhin të drejtat e tyre, por kane krijuar një gjendje kaotike të papranueshme në masën e përfitimeve midis periudhave të ndryshme. Periudha e daljes në pension pleqërie tetor 1993 – janar 1999, për kushte të njëjta vjetërsie, funksioni e grade, ka një diferencë prej 50-100 mijë lekë të vjetra më pak nga ata që kanë dalë në pension pleqërie para dhe pas kësaj periudhe. Ose, duke e shkelur parimin e përfitimit sipas kontributit të derdhur në skemën e sigurimeve shoqërore, ndodh që kapteri merr 20-30 mijë lekë më shumë se koloneli.

    – Së treti, në këtë kaos në skemën e pensioneve ka ndikuar negativisht dhe administrata e Sigurimeve Shoqërore. Qeveria që u largua nuk u kënaq me penalizimin e ushtarakëve me ligjet që nxori, por dhe në shkelje të tyre, administrata e Sigurimeve Shoqërore zbaton urdhrat dhe udhëzimet e eprorëve. Rrjedhojë e kësaj praktike, qindra ushtarakë të ndeshur me këto shkelje ligjore kanë bërë ankesa të vazhdueshme deri në gjykata për zgjidhjen e tyre. Kjo administratë e korruptuar, e paaftë dhe e gjunjëzuar nga presioni i politikës, me të njëjtin qëndrim dhe të njëjtët nëpunës, vazhdojnë të pashqetësuar të penalizojnë e injorojnë interesat e ushtarakëve në llogaritjen dhe rillogaritjen e pensioneve.

    – Së fundi, janë këto arsyet dhe argumentet që ne kërkojmë zgjidhje sa më parë. Ashtu si u veprua me miratimin e ligjit për Policinë e Shtetit, të rishikohen, studiohen dhe korrigjohen gabimet e deformimet, që i janë bërë Statusit të Ushtarakut të vitit 2004; të plotësohet dhe përmirësohet në përshtatje me kushtet aktuale; të përgatitet e miratohet sa më parë një ligj që të pasqyrojë e mbrojë të drejtat morale e juridike të ushtarakëve, e mbi të gjitha të zgjidhë e trajtojë denjësisht të drejta ekonomike në përshtatje me parametrat dhe standardet e trajtimit të ushtarakëve të vendeve anëtare të NATO-s; anëtar i të cilit është edhe vendi ynë.

    Me gjithë respektin që kemi për Ministren e Mbrojtjes, Znj.Mimi Kodheli, shprehim pakënaqësinë për interesin e pakët që ka treguar deri tani ndaj problemeve tona, të cilat janë pjesë përbërëse e detyrës funksionale që ka Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.

    Zoti Kryeministër! Duke përfunduar ankesat dhe kërkesat, ne shprehim konsideratën më të lartë dhe besimin e patundur në angazhimin tuaj dhe të qeverisë që drejtoni, se do t’i gjykoni e zgjidhni përfundimisht problemet tona të akumuluara gjatë 22 vjetëve, por që asnjëherë nuk u është dhënë zgjidhje.

     Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë, Dega Vlorë