Në vitin 2013, Paraguai do të jetë në listën e vendeve naftë- mbajtëse

    384
    Sigal

     Intervistë me Presidentin e Paraguait, Dr. Federiko Franko Gómez,

     I nderuar z.President si ndiheni tani që Paraguai shumë shpejt do të jetë një vend me burime të konsiderueshme nafte?

    Shumë shpejt, Paraguai do jetë jo vetëm vendi i parë në botë për prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe të renovueshme për frymë, por gjithashtu, presim të jetë në listën e vendeve prodhuese të naftës, që nga muaji maj i vitit që vjen. Pa dyshim që ndjehem i gëzuar veçanërisht kur kemi parasysh se nxjerrja dhe përpunimi i naftës në vendin tonë është po aq i rëndësishëm sa edhe hidrocentrali “Itaipu”, më i madhi në Botë, që prodhon energji të mjaftueshme për të gjithë vendin, i cili administrohet nga Paraguai dhe Brazili. Përfaqësues të kompanisë President Energy ndërmorën këto ditë eksplorimin dhe studimet e nevojshme në Çako Paraguai për të verifikuar rezervat naftëmbajtëse në këtë zonë të vendit tonë, ku paraprakisht mendohet se, ka rezerva të mjaftueshme të një cilësie të lartë. Studimet e para të kompanisë President Energy në bashkëpunim me Pirity Hidrocarburos tregojnë fare qartë se zona e Çakos është e pasur edhe me gaz natyror. Ndjehem i privilegjuar që nën mandatin tim të shkurtër – që do të zgjas deri më 14 gusht, 2013 – Paraguai do të futet shumë shpejt në listën e vendeve që jo vetëm e nxjerrin dhe e përpunojnë naftën, por edhe e eksportojnë atë në vendet përreth. Mendohet që këto rezerva të arrijnë më shumë se 150 milionë fuçi. Paraguai është një vend mesdhetar plotë me mundësi për zhvillim, javën që vjen unë do të udhëtoj personalisht për të vizituar nga afër territorin, ku janë duke u bërë studimet përkatëse gjeo-sizmike në zonën e Pirity, Çako, provinca Bokeron. Ky investim nga President Energy L.L.C., do të kushtoj më shumë se 92 milionë USD, duke filluar nga inspektimet që po zhvillohen konkretisht deri në ndërtimin e impiantit modern për përpunimin e naftës dhe gazit natyror. Javën e kaluar jam takuar me guvernatorin e Provincës Bokeron, Walter Stoekel, i cili u shpreh se, “ndjehet krenar që [ai] do bëhet pjesë e kësaj iniciative për të garantuar më tej sovranitetin ekonomik të Paraguait”.  Me arin e zi ne do të kemi një vlerë tjetër të shtuar në ekonominë tonë, në fushën e burimeve energjetike. Këtu gjej rastin të falënderoj dhe vë në dukje partneritetin e ngushtë që kemi patur me disa shoqëri aksionere ndërkombëtare, kryesisht Amerikane. Populli ynë është gjithmonë mirënjohës ndaj ndihmës së madhe dhe asistencës ekonomike që qeveria e SHBA i ka dhënë Paraguait. Gjithashtu theksoj se jemi të hapur dhe mirëpresim investime strategjike në fushën e energjetikës dhe minierave nga kompani të interesuara në Europë dhe Azi.  Mendoj se, regjimi i favorshëm fiskal dhe taksa e sheshtë prej 10 për qind për të gjitha llojet e biznesit e bënë Paraguain një vend shumë atraktiv në rajon për investimet e huaja; vendi ynë është i dyti në Amerikën e jugut për nivelin e ulët dhe qëndrueshmëri të borxhit të jashtëm

     Çfarë mendoni për zhvillimin e rajonit të Çakos?

    Nuk ka dyshim se eksplorimi i naftës në Çako është një burim i rëndësishëm për zhvillimin e zonës dhe për të ulur sasinë e naftës që aktualisht importohet nga vendet e rajonit. Paraguai ka një pozicion të privilegjuar në qendër të Amerikës së Jugut, dhe kapaciteti i prodhimit në këtë zonë do të bëj të mundur që nafta e nxjerrë në Çako të eksportohet në Provincën e Mato Grossos në Brazil, veri të Argjentinës dhe Santa Kruz, Bolivi, me një kosto më të ulët se kostoja e transportit që këto dy vende paguajnë aktualisht. Zona e Çakos do të jetë qendra e përmirësimit të jetës sociale dhe ekonomike për vendin tonë. Kjo zonë, ku aktualisht jetojnë grupe të ndryshme indigjenase do të jetë bërthama e zhvillimit kombëtar. Lufta e Çakos (1932-1935) u bë sepse prania e naftës dhe gazit natyror atje ishte e sigurt dhe vdekja e 30 mijë ushtarëve Paraguaian nuk mund të shkoj kotë, Sot ne i bëjmë homazhe më shumë se kurrë këtyre patriotëve, të cilët dhanë jetën e tyre për të siguruar integritetin territorial të atdheut.

     Në çfarë mase është prania e fiseve indiane në Çako?

    Kjo është një zonë, e cila ka një diversitet të gjithanshëm jo vetëm në lidhje me bimësinë dhe kafshët që janë atje, por edhe me praninë e fiseve të ndryshme autoktone apo amer-indiane, si për shëmbull: Abipón, Agjoreo, Çamakoko, Ebëtoso, Çané, Çiripa, Lengua, Nivaklé, Maka, Sanapaná, Zamúko, dhe disa të tjerë; të gjitha këto fise flasin gjuhën e tyre, pra Paraguai është një laborator i vërtetë për etnografët dhe antropologët e ndryshëm që kanë si qëllim studimi gjuhët e fiseve indigjenase në Amerikën e Jugut.  Studiues të ndryshëm e kanë cilësuar këtë zonë si njërën prej dy vendeve me diversitetin më të madh linguistik në Amerikën Latine. Paraguai ka dy gjuhë zyrtare, Spanjisht dhe Guaranisht, gjithashtu fliten edhe 28 gjuhë të tjera nga fise të ndryshëm të shpërndarë në të gjithë vendit.

     Si janë marrëdhëniet e Asuncionit zyrtar me shtetet fqinj?

    Paraguai, aktualisht që prej 29 Qershorit, 2012, është përjashtuar nga Blloku Tregtar i Përbashkët i Jugut, i ashtuquajturi MERCOSUR si dhe – disa jave me vone – nga Organizata e Unionit të Vendeve të Amerikës së Jugut, UNASUR. Vendet anëtare të këtyre dy organizatave vendosën të mbajnë këtë qëndrim diskriminues ndaj Paraguait sepse Kongresi Kombëtar vendosi të largoj nëpërmjet gjyqit politik me një herë nga posti i presidentit para ardhësin tim, Fernando Lugo, i cili nuk e menaxhoj siç duhej, situatën pas masakrës së 15 Qershorit në Kuruguaty, ku humbën jetën 6 oficerë policie  dhe 11 fshatarë të varfër që kishin pushtuar tokën bujqësore të një fermeri, prej disa muajsh, në mënyrë të paligjshme.  Që prej këtij incidenti, ish presidenti Fernando Lugo, u tregua i pa-aftë për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit që ngritën armët kundër forcave të policisë; madje Lugo ka dhënë prononcimin e parë për media vetëm pesë ditë më vonë.

    Megjithëse vendi ynë është i izoluar politikisht nga UNASUR dhe MERCOSUR, veçanërisht nga Argjentina Brazili dhe Uruguai, tre vende që bëjnë pjesë tek të dy organizatat në fjalë, ne përsëri vazhdojmë dhe jemi të vendosur që ta shndërrojmë ekonominë tonë nga një ekonomi bujqësore, me fokus agraro-ushqimor, në një ekonomi të industrializuar ku të rritet edhe niveli i eksporteve tona jashtë vendit.

     Cila ka qenë shuma e investimeve të huaja në Paraguai, gjatë këtij viti?
    Këtë vit që është duke u mbyllur, duke përfituar nga ligji 60/90, qeveria e Paraguait, ka mundur të tërheq investime që arrijnë më shumë se 800 milionë USD nga investitor të ndryshëm ndërkombëtar. Aktualisht sapo ka filluar ndërtimi i një fabrike alumini në qytetin Luke me një investim kanadez prej 60 milionë USD. Qyteti Luke ka patur edhe një rritje të konsiderueshme të turizmit, vetëm këtë vit, aeroporti ndërkombëtar Silvio Petirosi ka pritur më shumë se 30 mijë turist gjatë këtij viti. Krahas turizmit jemi në një fushatë të pandërprerë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe bonifikimin e ujërave nëpër qytete të ndryshme.
    Në fillim të vitit që vjen, pres të bëjë një vizitë zyrtare në Liban, ku do më jepet rasti të ndaj me komunitetet lokale të biznesit, potencialet e mëdha dhe avantazhet makro ekonomike që Paraguai i ofron investitorëve të huaj.
    Të falënderoj për intervistën!

    Gazeta.  Ju faleminderit edhe ju!