Në vendlindjen e Sterjo Spasses

524
Sigal

Librat e hershëm të Sterjo Spasses i kam
lexuar qëkur kam qenë nxënëse shkolle

Meri Lalaj

 

 Librat e hershëm të Sterjo Spasses i
kam lexuar qëkur kam qenë nxënëse shkolle. Shkrimtarin tonë të madh nuk e kam
njohur nga afër, vetëm e kam parë rrugëve të Tiranës kur isha studente dhe,
pikërisht nga këto vite sjell ndërmend figurën e tij, të një burri të gjatë me
kokën krenare dhe flokët e thinjura kaçurrela që ia merrte era. Shumë vite më
vonë jam njohur me të birin e Sterjos, Ilindenin (edhe ky shkrimtar) dhe kështu
ndodhi që planifikuam një vizitë për në Prespë. Ne ishim katër: Myzafer Berberi,
mjek shkrimtar, Edmond Papa, mjek dentist, Ilindeni dhe unë. Ishte një ditë e
shkëlqyer me diell e qiell të kaltër, 1 tetor kur udhëtuam drejt Prespës, pasi
lamë rrugën kryesore që të shpie për në Korçë u kthyem majtas drejt fshatrave
të minoritetit maqedonas. Dhe mbërritëm në Gllomboç, vendlindja e Sterjos dhe e
Ilindenit. Në sheshin e fshatit duke pasur përballë liqenin është vendosur
busti i shkrimtarit Sterjo Spasse aty bëmë disa fotografi në krah të
shkrimtarit, ndërsa më tutje lart ndodhet shtëpia e tij e lindjes e cila tanimë
është në një gjendje thuajse të rrënuar. Duke kundruar fshatin, liqenin
përballë, shtëpinë e Sterjos më kalojnë para syve si në një film fëmijëria dhe
rinia e shkrimtarit, prindërit e tij, kushërinjtë, dimrat me dëborë pranë
vatrës me zjarr, të gjitha përshkruar aq bukur në librin e Ilindenit “Im atë,
Sterjo”. Dhe vizitën e parë e bëjmë tek shtëpia e Gjermanit, kushëriri i parë i
Ilindenit, kujtoja se ai ishte thjesht personazh libri, por na shfaqet dhe na
jep dorën një burrë pak a shumë në moshë, i cili ka qenë mësues  (tani në pension) dhe në shtëpinë e tij të
bukur, në korridorin e madh ballë për ballë është një bibliotekë deri lart e
mbushur me libra në gjuhën shqipe dhe maqedonase. (Emri Gjerman nuk ka lidhje
me gjermanët, por me një shenjtor). Aty pimë raki të bërë vetë, rreth e rrotull
shtëpisë na përshëndet një kopsht i mrekullueshëm me pemë dhe perime. Gjithçka
rritet aty, mjafton të zgjatësh dorën, të këpusësh çfarë të duhet dhe të
gatuash drekën. Prej aty shkuam në fshatin Goricë e Vogël, aty është ngritur
një obelisk kushtuar dëbimit të goricarëve në vitin 1933 nga beu i fshatit. Kjo
ngjarje është e pasqyruar aq bukur në librin e Sterjo Spasses “Ata nuk ishin
vetëm”. Është një mot i bukur me diell të ngrohtë me qiell të kaltër pa një re,
kështu marrim një varkë me motor dhe fillojmë shëtitjen nëpër liqen, bashkë me
ne vijnë e na shoqërojnë dy vendasit kushërinjtë e Ilindenit Gjerman Kristo dhe
Jovan Male, të dy janë shumë të kulturuar nuk lenë libër pa lexuar. Dhe biseda
rrjedh e këndshme me ta. Në bregun përtej zbresim dhe drejtohemi tek Manastiri
i Kishës së Shën Marenës e ndërtuar në vitin 1926 dhe për çudi më kujton
Manastirin dhe Kishën e Shën Marenës në malet e Llëngës tek buron Shkumbini.
(Siç më kanë rrëfyer gjyshet në vogëli, Shën Marena ishte e motra e Shën Naumit
dhe u përndoq nga kundërshtarët e fesë, kështu iku nga liqeni i Ohrit dhe u fsheh
në shpellën lart në male). Më 30 korrik të çdo viti në këtë kishë vijnë e
kremtojnë besimtarët edhe nga vendet e largëta, në manastir ka disa konakë të
ndërtuar si dhuratë nga njerëz që kanë emigruar nëpër botë. Hipim sërish në
varkë dhe lundrojmë nëpër liqen përballë shkëmbinjve ku përveç shpellave
natyrore ka edhe guva të gërryera nga dora e njeriut në të cilat kanë jetuar
murgj eremitë, të cilët rrinin gjithë jetën aty, në guvat që ngjasojnë si
kishëza janë gdhendur shkallë dhe janë pikturuar figura shenjtorësh. Kthehemi
në fshat dhe ulemi në klub ku na pret një darkë e shijshme me peshk nga liqeni
i Prespës dhe jo vetëm kaq, por edhe biseda mikpritëse sipas zakoneve të vendit
me dolli e me rrëfenja e dy miqve tanë të çmuar Gjeros dhe Jovanit.. Në mëngjesin
e ditës tjetër pasi kemi bërë shumë fotografi të peizazhit të bukur përqark
liqenit vijojmë rrugën e kthimit dhe vëmë re fshatarë që shesin prodhimet e
tyre, prodhimet e begata të vjeshtës: mollë, patate, qepë, arra, ftonj e të
tjera. Kështu përfundoi ky udhëtim i këndshëm.