Në “Tropikal” mediat bëhen “gardh”, Memushaj e Balaj presin fitoren ndaj Izraelit

601
Sigal

Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Është zhvilluar dje seanca e radhës stërvitore, mediave u vihet “gardh” në stadium

UEFA ka zgjedhur një arbitër me eksperiencë në arenën ndërkombëtare, i cili do të gjykojë takimin në Ligën e Kombeve, Shqipëri-Izrael. Hungarezi 42 vjeçar është arbitër i FIFA-s që prej vitit 2003, ndërsa kulmin e karrierës e ka pasur në vitin 2011. Kasai, gjykuar shumë ndeshje në Ligën e Kampioneve, si dhe finalen e këtij kompeticioni, ndërsa ka drejtuar edhe në Evropian dhe Botëror. Ky është arbitër i njohur për kuqezinjtë, pasi në eliminatoret e Kampionatit Evropian “EURO 2016”, ai ka gjykuar takimin Shqipëri-Danimarkë, që përfundoi me rezultatin 1-1. Ndihmës të Kasait në këtë sfidë do të jenë dy hungarezët e tjerë Gyorgy Ring dhe Vencel Toth, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Peter Beretian.

Ndeshja e Ligës së Kombeve kundër Izraelit më 7 shtator, e ka vënë në alarm sigurinë në kompleksin “Tropikal”, ku është akomoduar Kombëtarja. Me forca të shtuara sigurie, ndalohet cilido, madje dhe gazetarët, të cilët edhe dje hasën vështirësi në kryerjen e detyrës. Edhe pse bëhej fjalë për minutazhin fillestar të seancës stërvitore, ku është njoftuar leja për qëndrimin e mediave, atyre nuk iu krijuan kushte për të filmuar momentet e para stërvitore. Ndërkohë, në konferencë për shtyp, më parë dolën mesfushori Ledjan Memushaj dhe Sulmuesi Bekim Balaj, të cilët përforcuan mes të tjerave edhe synimin që Kombëtarja ka për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Izraelin e Skocinë. “Mendoj se e njohim mirë kundërshtarin e radhës. Ata e dinë forcën tonë, por edhe ne të tyren. Objektivi ynë është i vendi i pare në grup. Si Izraeli, si ne, ashtu edhe Skocia do të luftojmë për këtë vend, por kjo vendoset në fushën e lojës. Duhet të harmonizohemi mirë dhe ta gjejmë golin në mënyrë më të mirë. Shpresoj të jem pjesë e formacionit kuqezi dhe të jap më të mirën për kombëtaren. Por, mbetet për t’u parë në fushë, se çfarë zgjidhjesh do të bëjë trajneri. Fakti që janë dy sulmues shkodranë në ekipin kombëtar, për mua është diçka mjaft e mirë. Për të tjerat mendon dhe vendos vetëm trajneri. Përveç raportit personal që kam me Roshin dhe Sadikun, mungesa e atyre ndihet dhe u uroj shërim të shpejtë që të dyve”, kështu deklaroi dje sulmuesi shkodran Bekim Balaj, ndërsa mesfushori që luan në radhët e Peskarës, Ledian Memushaj, për këtë ndeshje theksoi se Shqipërisë i duhen të gjithë. “Do të jetë një ndeshje më e vështirë se sa ajo në Izrael, por ne do duhet të luajmë më shumë në sulm, dhe ata duhet të mbrohen. Tashmë në skuadër ka shumë djem të rinj që janë edhe më të fortë, por mendoj se nuk duhet parë mosha, duhet të shikojmë kualitetin dhe formën. Gjëja më e rëndësishme është të shikojmë momentin, sepse Shqipërisë i duhen të gjithë, nga ky ekip varet nga grupi. Më vjen keq që nuk është Roshi dhe Sadiku, janë shumë të rëndësishëm, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj”, ishte kjo deklarata e djeshme e mesfushorit të Kombëtares, Ledjan Memushaj. Ndeshja me Izraelin që do të luhet më 7 shtator në Elbasan, do të gjykohet nga arbitri hungarez Viktor Kasai.