Në QSUT nuk ka ngrohje në këto ditë dimri, pacientët sëmuren nga të ftohtit

    344
    Para disa ditësh, pacientët e QSUT u zbuan nga spitali për t’u kuruar në shtëpitë e tyre, pasi shiu i ditës shkatërroi sistemin e ujësjellësit të spitalit dhe drejtoria nuk kishte asnjë mundësi tjetër, për të përballuar situatën. Edhe pse këto 2 vjet që qeveris shëndetësinë publike ministri Ilir Beqaj, ka dhënë me dhjetëra e dhjetëra koncesione të shërbimeve shëndetësore, me kosto financiare dhjetëra miliona euro çdo vit, ministri Beqaj nuk ka mundur të gjejë disa mijëra euro për të riparuar sistemin ujësjellës të amortizuar për QSUT, i cili është spitali kryesor i Shqipërisë. 
    Në QSUT nuk ka ngrohje për të sëmurët
    Ditët e dhjetorit kanë sjellë edhe uljen e ndjeshme të temperaturave, mirëpo në QSUT ende nuk janë ndezur kaldajat e ngrohjes. Të sëmurët, që janë shtruar në QSUT përballojnë temperaturat e dimrit duke hedhur mbi kokë 3-4 batanije secili, ndërsa mjekët dhe infermierët e spitalit “Nënë Tereza” nuk kanë asnjë mundësi që të ngrohen, duke rrezikuar edhe shërbimin shëndetësor për pacientët. Siç pohojnë vetë mjekët e QSUT, çdo vit në të kaluarën, kaldajat e spitalit janë ndezur që në mes të muajit nëntor. Të mos harrojmë që në spitalin kryesor të vendit, në QSUT në shumë pavijone duhet të ruhet temperatura konstante, si në sallat e terapisë intensive, etj, por mosndezja e kaldajave të spitalit vë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e pacientëve. Shumë mjekë në QSUT, pohuan për gazetën “Telegraf” se janë ankuar në drejtorinë e spitalit për mosndezjen e kaldajave, por përgjigja që kanë marrë nga drejtoria e QSUT është se mungojnë fondet dhe nuk ka lekë për blerjen e naftës. Askush nuk mund të japë një zgjidhje të problemit, ndërkohë që ministri Beqaj “ka harruar”, që ngrohjen e QSUT ta japë me koncesion, për t’u siguruar pacientëve dhe personelit mjekësor ngrohjen në ditët e acarta të dhjetorit. Asnjë nga drejtoria, pohojnë për gazetën “Telegraf” mjekët dhe infermierët, nuk mund të japë ndonjë përgjigje se kur do të ndizen kaldajat e QSUT, ndërkohë që nëpër korridoret e spitalit flitet për tenderët që do të jepen me koncesion, si edhe cilët do t’i marrin ato. 
    Reklama e punësimit të infermierëve për në …Gjermani
    Në QSUT, mund të mos ketë ngrohje, ngaqë nuk ka më lekë për t’u blerë nafta e kaldajave, sepse miliona euro u dhanë për koncesione, në QSUT, mund të mos ketë ujë, nëse bie shi, ngaqë prishet menjëherë sistemi i ujësjellësit, por këto ditë qarkullojnë në të gjitha mjediset e QSUT, karrocat-reklama, ku njoftohen të gjithë infermierët e QSUT si mund të punësohen në …Gjermani. Siç na tha me sarkazëm një mjek, derisa ministri Beqaj, planifikon që në 2016 të shkurtojë me dhjetëra e dhjetëra infermiere nga QSUT, mbase tërthorazi, ministri i Shëndetësisë interesohet që të punësojë në Gjermani infermierët që do të zbojë nga QSUT. Ndaj edhe karrocat-reklamë që qarkullojnë nëpër mjediset e QSUT janë “zyrat e reja të punësimit” për infermierët që do të zbojë Beqaj nga QSUT. Infermierët me ankthin e pasigurinë e vendit të tyre të punës në QSUT, regjistrojnë numrat e telefonit që mbartin karrocat-reklama, me shpresën e punësimit të ri, pasi të flaken në rrugë nga ministri Beqaj në 2016. 
    Somario
    Shumë mjekë në QSUT, pohuan për gazetën “Telegraf” se janë ankuar në drejtorinë e spitalit për mosndezjen e kaldajave, por përgjigja që kanë marrë nga drejtoria e QSUT është se mungojnë fondet dhe nuk ka lekë për blerjen e naftës. Askush nuk mund të japë një zgjidhje të problemit, ndërkohë që ministri Beqaj “ka harruar”, që ngrohjen e QSUT ta japë me koncesion, për t’u siguruar pacientëve dhe personelit mjekësor ngrohjen në ditët e acarta të dhjetorit
    Sigal