“Në Qarkun e Beratit, PD-ja do të marrë 3.000 vota më shumë se PS-ja”

457
Sigal

INTERVISTA/Lefter Maliqi, deputet i PD-së: “Kryetari i PS-së, mban peng PS-në dhe integrimin e Shqipërisë”

Qarku i Beratit solli përplasjen e hapur PD-LSI në diskutimin për buxhetin e 2013-s, për shkak të mosdhënies të investimeve për rrugët që lidhin qarkun e Beratit me qarqet e tjera. Qarku i Beratit po bëhet arena e polemikave e tensionit politik, edhe pse shkak të rishpërndarjes të mandateve të deputetëve. Deputeti i PD-së në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi në intervistën për “Telegraf” i përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë pikërisht me këto tema, pasi deri tani është kultivuar ideja e braktisjes dhe e shpërfilljes të qarkut të Beratit nga maxhoranca, si një dënim i heshtur politik. Në kontrast, deputeti Lefter Maliqi jep nuanca të tjera politike, madje shpreh edhe bindjen e tij se në zgjedhjet e 2013-s, PD-ja do të fitojë mbi 3.000 vota më shumë se PS-ja, pikërisht në kështjellën socialiste të qarkut të Beratit.

– Zoti Maliqi, mosmarrja e statusit është problemi i politikës. Mendoni se shkaku i dështimit për herë të tretë është mungesa e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit politik të PD-PS edhe për integrimin?

– Gjatë kësaj periudhe, sukseset e maxhorancës kanë qenë të dukshme, siç është lëvizja e lirë e shqiptarëve, apo  investimet, por edhe plotësimi i kritereve për marrjen e statusit kandidat. Nuk diskutohet që konsensusi politik  duhet të ishte edhe më i madh, sepse integrimi i shërben shqiptarëve dhe jo vetëm maxhorancës, por, sikurse ka thënë edhe Kryeministri. Ne, më 23 qershor do të shembim murin e bllokimit të statusit kandidat. Gjatë këtyre viteve kemi një opozitë që nuk ka pranuar zgjedhjet, një opozitë që ka bërë bllokimin dhe kjo  është për shkak jo të PS-së, por për faj vetëm të Kryetarit të PS-së, që ka mbajtur peng PS-në dhe integrimin e shqiptarëve.

– Ju jeni optimist se më 23 qershor do të shembni murin e bllokimit, mirëpo, a mund të shembet ky mur pa u shprehur vullneti i bashkëpunimit të forcave politike edhe për çështjet me rëndësi jetësore kombëtare?

– Unë jam i bindur se pas 23 qershorit, pas fitores së PD-së, deputetët e PS-së, do të afrojnë konsensusin, duke larguar lidershipin që bëhet pengesë i bashkëpunimit politik të forcave politike për integrimin e Shqipërisë. Ka shumë deputetë të PS-së që duan t’i votojnë këto tre ligje, por, duke qenë se ky sistem zgjedhor është në duart e lidershipit, ata tani nuk mund të guxojnë të votojnë. Dhe, kështu, pas zgjedhjeve, ne do ta marrim menjëherë statusin kandidat. Por, janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me ndryshimet e fundit të bëra në KLD dhe gjetkë, drejtësia më në fund do të veprojnë edhe ndaj politikanëve  për të zbardhur akuzat, për të zbardhur korrupsionin, qoftë majtas, qoftë djathtas dhe kam  bindjen që Kryeprokurori i ri dhe organet e larta të drejtësisë , në bashkëpunim të ndërsjelltë, të vënë para drejtësisë të gjithë të korruptuarit, për t’i dhënë imazh të ri Shqipërisë dhe një provë të madhe edhe faktorit ndërkombëtar.

Opinioni i brendshëm dhe i jashtëm shkaktarë të korrupsionit, që sa vjen dhe thellohet, bëjnë mungesën e vullnetit politik për ta luftuar. Këtu, a ka përgjegjësi maxhoranca?

Përgjegjësia e maxhorancës qëndron në muajt në vazhdim, sepse të gjithë e dinë që Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur qëndrim politik, ka çuar vetëm pjesëtarë të maxhorancës, ndaj shpresojmë që tashmë, organi i akuzës do të jetë gjithëpërfshirës.

– Në raportet e ndërkombëtarëve bëhen fjalë që në Shqipëri akoma nuk janë ndërtuar standardet e kërkuara demokratike dhe nuk është thjesht mosvotimi i tre ligjeve. Këtu përgjegjësia nuk është e baras për forcat politike?

– Jo nuk bëhet fjalë në raportin europian për standardet demokratike, që në Shqipëri ato realisht janë arritur. Nuk ka të bëjë as me çështjet e zgjedhjeve e me radhë, sepse me zgjedhjet janë rekomandimet që jep OSBE/ODIH-i dhe ato u reflektuan në reformën zgjedhore që u votua me konsensus. Por ka një besim të patundur që pengesa kryesore janë mosvotimi i tre ligjeve nga opozita.

Forcat politike a kanë nxjerrë përgjegjësitë e tyre, apo dështimin e mosmarrjes të statusit e kthejnë në konfliktualitet politik?

Kryetari i opozitës nuk pranon asnjëherë dështimet dhe jam i bindur që integrimi do të arrihet pas 23 qershorit.

Zoti Maliqi, nga deputetët e PS-së, por edhe të LSI-së thuhet se qarku i Beratit është lënë në harresë në investime gjatë 8 vjetëve të qeverisjes të PD-së. Ju e kundërshtoni?

Absolutisht, jo, sepse zhurma ka qenë vetëm për rrugën Berat-Lushnjë, pavarësisht se loti i parë ka filluar që vitin e kaluar dhe së fundi, pas disa kërkesave që unë si deputet i qarkut të Beratit, para katër muajsh në grupin parlamentar, i kam kërkuar drejtpërdrejt ministrit fonde për këtë rrugë dhe qeveria akordoi 900 milionë lekë. Unë dua t’ju them që janë mbi 8 herë investimet në Qarkun e Beratit, në këto 8 vjet, e krahasuar nga qeverisjet socialiste, janë mbi 400 km rrugë rurale, që janë ndërtuar, janë 52 shkolla 9-vjeçare e të mesme të rikonstruktuara e të ndërtuara të reja, mbi 40 ujësjellës. Unë si deputet i Qarkut të Beratit kam bindjen e plotë se do të marrim mbi 3.000 vota më shumë se PS-ja.

– Ku e mbështetni ju këtë bindje elektorale?

– Në 2009-n kishim vetëm 1 komunë, ndërsa tani kemi 4 komuna. Dhe tjetra, kjo qeveri ka bërë shumë që të ndryshojë në të mirë mirëqenia e popullit.

– Të gjitha rrugët që lidhin qarkun e Beratit me qarqet e tjera janë në gjendje të mjerueshme? Sipas jush, përse? Të tjerë e lidhin me një “dënim” politik.

– Absolutisht, nuk janë në gjendje të mjerueshme, sepse Berati me Çorovodën janë të lidhur me rrugë të mirë, Berat- Lushnjë çdo vit janë rikonstruktuar rrugët, ka pasur probleme në segmente të caktuar, në Poshnjë, herë pas here, tani janë miratuar fonde të plota, ndërsa, mos harrojmë, që nga Belshi në Kuçovë në mars lidhen me rrugën e re dhe ka filluar edhe rruga me Roskovecin e Fierin, kështu që këto janë tre arteriet që i japin një imazh në prill. Ne kemi se çfarë të ballafaqojmë me popullin si bilanc në këtë fushatë, kemi edhe se çfarë të premtojmë për të përmirësuar më shumë jetesën. Dhe unë si deputet, nuk lë festa, nuk harroj të kontribuoj për të gjithë ata që kanë e janë në nevojë. Unë kam kritika edhe për deputetët e djathtë, edhe për deputetët e majtë, që kanë parë vetëm interesat e tyre. Sa më shumë kontakte të kesh me njerëzit, vlerësimet vijnë, votat nuk shikojmë më tani, të majtë apo të djathtë, por shikojnë personalitetin e përfaqësuesit të tyre. Edhe Kryeministri Berisha, edhe liderët e tjerë duhet të shikojnë listën e kandidatëve, sepse është personaliteti i kandidatit ai që fiton besueshmërinë e elektoratit, është kandidati që vlerësohet sa ka bërë dhe sa ka kontribuar për njerëzit dhe, në qoftë se vihen kandidatë të ftohtë në popull, atëherë, kandidati, që nuk fiton vota, PD-ja dobësohen në elektorat, edhe në proces votimi.

PD-ja në zgjedhjet e 2013-s do të jetë në aleancë me LSI-në?

Ne përgatitemi për çdo rrethanë që do të krijohet, nuk diskutohet që dëshira është që PD-ja të ketë sa më shumë aleatë politikë, di që kjo maxhorancë ka funksionuar më së miri, por ne jemi përgatitur të fitojmë edhe vetëm.

Në listat që përgatiten për deputetë, vendimet do të jenë qendrore, apo do të përmbajnë edhe mendimet e strukturave partiake të bazës?

Nuk diskutohet që baza bën propozimet e veta, por vlerësimi i mbetet kryesisht qendrës, drejtpërdrejt lidershipit, qoftë majtas, qoftë djathtas.

Heqja e mandatit  të deputetit nga qarku i Beratit

Ju si deputet i PD-së në qarkun e Beratit, jeni dakord me heqjen e një mandati këtij qarku? Vetëm ju nuk keni reaguar deri tani.

Absolutisht që nuk jam dakort, mundësisht unë si deputet dua të kem sa më shumë mandate, por unë respektoj Kodin Zgjedhor, respektoj Kushtetutën, respektoj vendimet që KQZ-ja dhe institucionet e tjera marrin. Jam në pritje të vendimit, por nuk jam fare në merak, edhe në qoftë se merret vendim që të hiqet një mandat qarkut të Beratit. Janë të tjera forca politike që janë në merak, sepse jam i sigurt që do të fitojmë mbi 3.000 vota më shumë, me imazhin e krijuar në Berat.

Akuzat e opozitës kanë bazë që nuk përmbushen kriteret, por mandati hiqet me vendim politik. Ju kë bindje keni për këtë çështje?

Edhe njëherë, e përsëris dhe ngul këmbë. Unë do respektoj çdo vendim, dëshira ime është që qarku i Beratit të ketë 8 mandate, por kjo nuk varet në dorën time, as në dorën e deputetëve të PS-së e LSI-së.

 -Faleminderit!