Në nëntor gjyqtarët rrezikohen të mbeten pa rroga

531
Sigal

U shkel marrëveshja politike dhe vendimmarrja ligjore për  hyrjen në fuqi në të njëjtën kohë të ligjit për Gjykatën Administrative dhe atë të Lartë

 Sot do të nisë rrugëtimin e saj Gjykata Administrative  e cila do t’i japë fund të gjitha lojërave që individët  dhe grupet e caktuara të shtetarëve bënin ndaj biznesit dhe kompanive për qëllime  përfitimi dhe korrupsioni, të konkurrencës, por edhe të abuzivitetit ndaj shtetit nga disa kompani. Por nga ana tjetër po sot Ministri i Drejtësisë pritet të bëjë prezantimin e kancelarëve në gjykata dhe nëpunësve të tjerë të administratës. Por shqetësimi që ka lindur duket se po fle nën rrogoz dhe se shumë shpejt ai do të shpërthejë nëse ….

KLD: 636 ankesa për gjyqtarët, vetëm në 12 raste ka shkelje

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet një deklarate për mediat ka sqaruar se, gjatë vitit 2013 ka pasur 636 ankesa për gjyqtarët, nga ku në 12 prej tyre ka pasur shkelje. Në total, duke përfshirë edhe ankesat e vitit 2012, KLD ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë 20 kërkesa për 14 gjyqtarë. Për 67 gjyqtarë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, pas konstatimit të parregullsive të ndryshme të kryera, i është tërhequr vëmendja me shkrim. Nga të cilat 19 raste janë bërë bazuar në ankesat e ardhura në vitin 2011, 15 raste janë bazuar në ankesat e ardhura në vitin 2012 dhe siç thamë më lart, 33 raste janë për ankesat e ardhura gjatë vitit 2013. 122 ankesa janë në proces vlerësimi paraprak nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të shqyrtimit inspektorati mund të vendosë:
– kthim përgjigje për qytetarët,
– arkivimin e ankesës pasi nuk ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për të filluar një kontroll
– verifikimin e rastit
Për vitin 2013 Këshilli i ka referuar për kompetencë institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, 5 praktika që konsistojnë në raste të denoncuara nga publiku dhe për të cilat inspektorati i KLD nuk ka kompetencë ligjore t’i hetojë”, – përfundon deklarata e zyrës së shtypit.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Presidenti pret krerët e partive të mërkurën

Në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese si dhe bazuar në ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë,  Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, për të siguruar një përbërje cilësore, fton kryetarët e grupeve parlamentare për të zhvilluar këshillime mbi kriteret konkrete, bazuar në listën e konkurrentëve të publikuar. Konsultimet me krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe Partisë Republikane do të zhvillohen ditën e mërkurë, datë 6 nëntor 2013.

 Genc Pollo

Gjykatat Administrative, qeveria e opozita.
Nesër fillojnë punë gjykatat administrative kudo në vend dhe në të tria nivelet (Fakti, Apeli, e Lartë). Kjo reformë gjyqësore, universalisht e pranuar si tejet e dobishme nga ekspertët vendas e të huaj, biznesi e opinioni publik, u përgatit nga një projekt i mbështetur nga Millenium Challenge Corporation/USAID në vitin 2008 (asokohe unë isha koordinator qeveritar i këtij programi) e u inkuadrua në reformën e përgjithshme të gjyqësorit që mbështetej nga EURALIUS/BE. P/ligji duhej të miratohej në Kuvend me 84 vota (3/5) por PS në opozitë megjithë se nuk kishte kundërshtime për përmbajtjen e p/ligjit, refuzoi të votonte pro megjithë apelet e fushatat e organizatave të biznesit dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë (më kujtohet se tre ambasadorë, Withers/ShBA, Borchardt/Gjermani e Lohan/BE, bënë demarshe të pasuksesshme pranë zotit Rama për këtë çështje). Para dy vjetësh Komisioni Europian na vuri kusht për statusin kandidat miratimin konsensual të tre ligjeve; njëri syresh çelte rrugën e Gjykatave Administrative. Opozita socialiste pranoi ti votonte vetëm në 30 maj të këtij viti. Pra pesë vjet kohë e humbur, e çuar dëm nga një kokëfortësi njerëzore dhe egoizëm politik.
Por le të shohim anët pozitive:  PD në opozitë do të votojë pro cilësdo nisme ligjore që i shërben avancimit drejt BE. Kryetari Basha e bëri solemnisht të qartë pozicionin tonë në hapjen e legjislaturës javën e dytë të shtatorit. Dhe së dyti Gjykatat Administrative fillojnë punën. Le t’i urojmë sukses, sidomos në përftimin e besimit të publikut siç u shpreh kryetari i KLD, Presidenti Nishani.

 Avokati i Popullit,  Igli Totozani

 Institucioni i Avokatit të Popullit ashtu si bëri të ditur dhe në momentin e publikimit të videos, ku disa fëmijë ishin dhunuar nga 2 punonjës policie, ka nisur hetimin mbi  ngjarjen. Eksperti i institucionit të Avokatit të Popullit, z.Albet Pilo është duke hetuar mbi ngjarjen. Në këtë kuadër z.Pilo ka kontaktuar fëmijët e dhunuar dhe ka marrë pëlqimin e tyre dhe të prindërve për ndjekjen e këtij rasti me iniciativë. Fëmijët e dhunuar janë 3,dy prej tyre minorenë dhe një në moshë madhore. Pas kontaktit me fëmijët, eksperti i Avokatit të Popullit, z.Albert Pilo ka marrë kontakt dhe me shefin e Komisariatit nr.2, nga i cili ka kërkuar t’i vihet në dispozicion dokumentacioni i nevojshëm. Nga eksperti Albert Pilo është kërkuar që fëmijëve t’u kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, pasi sipas familjareve fëmijët kanë paraqitur gjendje shëndetësore jo të mirë.