Në Kuçovë pusi që nxjerr ujë me gaz përdoret për të pirë

3734
Sigal

Banorët: Uji na kuron sëmundjet. Mjekët: Kjo është skandaloze. DSHP: Pusi ka 70 vjet pa u pastruar e bërë analizat

Në një lagje të Kuçovës banorët respektojnë me fanatizëm thëniet e të moshuarve se pusi që nxjerr uji me erë gazi është kurativ për sëmundjet e stomakut. Madje, për të mbushur uji në lagjen “11 Janari” të qytetit shkojnë edhe banorët e lagjeve të tjera. Por problemi është aq i madh, saqë qytetarët nuk duan ta pranojnë. Ky ujë rrezikon shëndetin e tyre dhe nuk duhet të konsumohet. Alarmin e kanë dhënë specialistët e naftës duke marrë për bazë vendburimin e pusit, mjekët dhe Drejtoria e Shëndetit Publik.

Situata

Në lagjen “11 Janari” të qytetit të Kuçovës ndodhet një burim, i cili është ndërtuar në vitin 1938 nga shoqëria e naftës AIPA. Kanë kaluar 70 vjet dhe njerëzit vazhdojnë ta konsiderojnë si një burim të bekuar, ku mbushin ujë edhe pse në çezmat e tyre ka ujë të rrjedhshëm rregullisht. Banorët e këtij qyteti shprehen se ujë i këtij pusi është me gaz dhe si i tillë shërben për kurimin e stomakut. Kjo është e vërteta për ta dhe kështu banorët vazhdojnë të pinë ujë nga ky pus edhe pse Drejtoria e Shëndetit Publik disa herë ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me këtë fakt. Sipas DSHP-së, pusi ka 70 vjet pa pastruar, pa kryer analizat etj.. Nga faktet e dhëna nga disa naftëtarë të vjetër mësohet se burimi i ujit të pusit të gazit është i përzierë me gaz, i cili është vdekjeprurës. Uji vjen nëpër zonën naftëmbajtëse në këtë lagje, e cila është e njohur për prodhim e madh nafte. Sipas burimeve të Drejtorisë së Shëndetit Publik mësohet se, uji i këtij pusi nuk i është bërë asnjë analizë dhe për këtë arsye mund të shkaktojë probleme në organizmin e njerëzve.

Mentaliteti

Fajin që uji i këtij pusi ende pihet e ka mentaliteti i njerëzve dhe në veçanti i atyre të moshuarve të thyera që nuk hiqet. Ata vazhdojnë me mendimet e tyre se ky ujë është kurues. Por e vërteta është krejt e kundërta, ai nuk duhet të përdoret, sepse as pusit nuk i dihet as burimi. Uji në përbërje të tij është me erë gazi dhe në momentin që ai pihet era është e tmerrshme. “Kjo është skandaloze dhe absurde”, shprehet një mjek i pyetur nga gazeta, sepse sipas tij, po të ishte kurues ai ujë të gjithë doktorët do t’ua rekomandonin të sëmurët që vuajnë nga stomaku. Ujit të këtij pusi nuk i dihet damari, por specialistët e naftës në Kuçovë shprehen se, burimi i ujit të pijshëm ndodhet nëpër damarët e gazit dhe naftës, prandaj dhe ujë del më erën e rënd të gazit. Gjithsesi, është detyra e shëndetësisë ajo që duhet të zbardhë të vërtetën e këtij burimi nëpërmjet analizave, pasi mund të jetë me rrezik për konsumatorët.