“Ne jemi lënë në mëshirë të fatit kemi më shumë se katër muaj pa pagesa”

    381
    Sigal

    Flet kreu i Shoqatës së Invalidëve të Shqipërisë Abdulla Omuri në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar

     Dita Ndërkombëtare e Invalidëve nuk ka pasur aspak vëmendjen e qeverisë, për aq kohë sa kjo qeveri i ka lënë për më shumë se katër muaj pa u dhënë pagesat e që u duhen për të plotësuar shërbimet bazë. Mosdhënien e pagesave për kategorinë e invalidëve e bën të ditur në një prononcim për “Telegraf”, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Shqipërisë, Abdulla Omuri. “Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, me ministër zotin Ksera nuk ka bërë asnjë gjë për këtë kategori, për më tepër ajo po i poshtëron dhe po i lë të vuajnë më shumë duke mos u dhënë pagesat prej më shumë se katër muajsh”. Sipas tij, edhe pse janë bërë disa ankesa në lidhje me këtë çështje asgjë nuk është marrë parasysh në lidhje me këtë kategori. “Unë gjej rastin që t’i përsëris kërkesën ministrisë që përmenda edhe më lart që të japë pagesat në këtë fundvit për këtë kategori, pasi kjo është mënyra dhe mjeti i vetëm i jetesës për këtë kategori”, tha zoti Omuri.

    Organizimi i protestave

    Nëse nuk do të ketë asnjë lëvizje shumë shpejt kategoria e invalidëve do të dalë në protesta për të kërkuar të drejtat e tyre. “Po përgatitemi për organizmin e protestave nëse nuk do të na jepet pagesa”, sqaroi zoti Omuri. Ai ka shtuar se: “Ky është një vendim që është duke u diskutuar dhe janë duke u marrë masat për fillimin e tyre nëse nuk do marrim pagesat, pasi nuk kjo kategori është në kushte shumë të vështira ekonomike”.

    Invalidët, protestë në Bashkinë e Durrësit

    Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar ka mbledhur edhe në Durrës dhjetëra persona, të cilët janë pjesë e kësaj kategorie. Ata i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit, ku dhe kanë kërkuar përmirësim të trajtimit ndaj tyre, duke nisur që nga problemet me strehimin, shpërndarjen e pagës mujore, krijimin e kushteve për t’u përballur me vështirësitë e  jetës së  përditshme si dhe mundësimi i një infrastrukture më të përshtatshme në qytet e institucione. Ata janë pritur nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako si dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, i cili i  ka mbështetur në këtë tubim shoqatat e invalidëve duke u bashkuar me vështirësitë e tyre në zgjidhjen e këtyre problemeve. Ndërkohë që, vet përfaqësuesit e shoqatave nëpërmjet kreut të Shoqatës së Invalidëve të Punës, Genc Domit si përfaqësuesve te Shoqatës së të Verbërve, Mezejen Xhekës, kanë kërkuar më tepër vëmendje nga ana e instancave përkatës edhe nga Bashkia e Durrësit. Në Durrës numërohen 3200 persona me aftësi të kufizuar, të cilët përballen çdo ditë me trajtim diskriminues. Ata kanë kërkuar përveç të tjerave edhe të përshpejtohet pagesa prej 3 300 lekësh në muaj, e cila ka mbi dy muaj që u është vonuar. Sipas Genc Domit, ndihma e invaliditetit është shumë e ulët në raport me kërkesat dhe koston për përballimin e jetës së tyre të vështirë.

     Para-tetraplegjikët, që në muajin qershor pa marrë kompensimet

    Në Qarkun e Elbasanit rreth 500 para-tetraplegjikë kanë që në muajin qershor që nuk marrin kompensimin për faturat e energjisë elektrike dhe  faturat e telefonisë fikse. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar kryetari i shoqatës në këtë qark, z.Ëngjëll Zotaj ka kërkuar  nga ana e pushtetit lokal dhe atij qendror që t’u jepet kompensimi i energjisë elektrike, nga ku këta invalidë përfitojnë në masën 20%.  Zotaj gjatë fjalës së tij i bëri apel  instancave përkatëse që t’ju japin ndihmën e duhur këtyre personave pasi ky rimbursim është vërtet i nevojshëm pasi dhe ata nuk mund t’i paguajnë dot vet, në masën 100 % faturat e energjisë elektrike, apo ato të telefonisë fikse, ku me një pension invalidi mbahen dhe faturat vijnë me shifra marramendëse, ku këta persona nuk i përballojnë dot. Nga ana e kësaj shoqate i bëhet apel Bashkisë  si dhe instancave më të larta siç është Ministria e Financës që të paguajnë këto rimbursime të këtyre individëve  pasi e përfitojnë në bazë të ligjit, i cili duhet të zbatohet. Në Qarkun e Elbasanit janë rreth 500 para-tetraplegjikë, ku vetëm 330 janë në rang rrethi, të cilët jo vetëm që nuk janë kompensuar për energjinë elektrike si dhe faturat e telefonisë fikse, por bukë kanë marrë as shtesat e përkrahjes sociale që në muajin shtator,  ku përveçse ju duhet të paguajnë faturat e energjisë dhe të telefonit, u duhet të blejnë dhe ilaçet e tyre pasi ka nga ata persona që janë në gjendje jo të mirë nga shëndeti.