Në etiketat e 75% të ushqimeve që hanë shqiptarët, ka cilësi, siguri, përbërje, skadencë e origjinë fallco

1717
Investigimi i “Telegraf”, do të vazhdoj të publikoj skandalet dhe abuzimet që bëhen me ushqimet dhe produktet teknologjike të importit e ato vendase, që u çohen për konsum shqiptarëve. Mund të duket një “thërrmijë” kjo puna e etiketave, por faktikisht tek reklama dhe të dhënat e tyre në lidhje me të dhënat identifikuese të produkteve, fshihet dhe vepron krimi ushqimor që vret gradualisht shqiptarët. Duke përdorur “lulet” e etiketave e ambalazheve të llojit “ekspozitë”, nisin e vazhdojnë krimin ushqimor prodhuesit dhe tregtarët. Ligjërisht, etiketa dhe ambalazhi me të dhënat identifikuese të llojit të produktit në cilësi, sasi, vlera ushqyese, risk rreziku prej kritereve dhe kohës së përdorimit, janë tregues të sigurisë e shmangies së riskut të rrezikut jetik prej konsumatorit, risk të cilin e monitoron dhe kontrollon e shmang shërbimi i AKU. Por në Shqipëri, etiketat trajtohen si një “copë letër”, si një kornizë të dhënash që stampohen e printohen sa për të qenë “në rregull me ligjin”. Çfarë ndodh faktikisht?

AKU miraton etiketat, pa kontrolluar më parë të dhënat e produktit

Mjafton të mësosh se çfarë profesioni janë ata që shërbejnë në AKU, sidomos nën drejtimin dhe “ushtrinë” e mbi 400 drejtuesve e inspektorëve në qendër e në qarqe që merren me menaxhimin dhe kontrollin e riskut. Por risku i rrezikut prej ushqimeve vrasëse “nuk ka brirë”, nuk “ulërinë” as në tregje, as në dyqane, as në super-markete, as në fabrika, as në “Kafe-Fast-Fod”-in e AKU ku edhe aty thuhet se hahet e pihet pa… asnjë kontroll! Rreziku dhe veprimi i krimit ushqimor, qëndron i stamposur dhe legal e i heshtur në etiketat e produkteve me “herioglife” shpjeguese në shqip. rusisht, kinezçe, turqisht, spanjisht, serbisht, greqisht, arabisht e në çdo gjuhë prej nga vjen “llumi” ushqimor që hanë shqiptarët e braktisur edhe në sektorin e kontrollit ushqimor, jo se shefat dhe inspektorë “birbot” e AKU që paguhen nga taksat e shqiptarëve nuk kanë sy e nuk kanë forcë ligjore, por sepse “ua kanë zënë sytë” ryshfetet që marrin duke hedhur firma e vula fiktive nëpër kontrolle fiktive, madje edhe të paralajmëruar. Vetëm 3 ditë më parë, një shef sektori ka njoftuar disa subjekte prodhime brumi, se “do të kontrolloheshin”, por do “t’i njoftonin përsëri, prandaj të ishin në rregull”! 

Çfarë ndodh me etiketat? ta thonë troç në AKU qendrore e në AKU rajonale, që etiketat janë fiktive për shumë produkte. Këto etiketat janë kthyer në monopol prej një dore në kupolën e AKU, me urdhër të të madhit të AKU! Mijëra biznese duhet të paraqiten me etiketa tek zyrat qendrore të AKU dhe prej andej duhet të presin me temena “bajraktarët” e AKU për miratim, duke i nisur drejt rretheve me “viston” nëse miratohet apo jo! Ndoshta ky është një rregull që ka vendosur drejtuesi i ri i AKU, por ka një absurd alogjik në këtë procedurë. Konkretisht, ndodh kështu: AKU mbledh, kontrollon e miraton etiketat e produkteve ushqimore, pa kontrolluar e pa certifikuar më parë dhënat faktike të produkteve ushqimore. Sipas praktikës që ka instaluar kupola drejtues e AKU, etiketat bëhen me vetë-deklarim nga subjekti privat, pastaj miratohen në zyrat e AKU si “copa letre”, si të dhëna e konfiguracion. Pastaj, bëhet një plan kontrolli risku, që hartohet e menaxhohet nga shefi i menaxhimit te riskut. Ky plan firmoset dhe vuloset nga kreu i AKU qendrore dhe nis kontrolli nëse etiketat janë reale sipas të dhënave të produktit, apo jo!!!!. Por ky kontroll produkti në prodhim e në treg, mund të bëhet (siç thuhet) pas 3 muajsh, 6 muajsh, e madje edhe pas 1 e 2 vitesh dhe rezulton, që nëse subjekti privat ka paraqitur të dhëna fallco të cilësisë, sigurisë, sasisë e përbërjes gjobitet me vlerë sa një pako konserva, sa një qese patatina e sa një kofshë pule, ndërsa shqiptarët i kanë ngrënë këto produkte që rrezikojnë jetën e që shpesh kanë marrë edhe jetë, ose kanë çuar dasmorë, fëmijë shkolle, çerdhe e kopshti dhe klientë në spitale me helmim! A ka vlerë ky rregull? Sepse kësaj, i thonë: “Mbush stomakun, pastaj të bëjmë analizat”! Në vijim, gazeta “Telegraf” do të publikoj fakte nga batërdia dhe krimi që bëhet në tregun e prodhimin shqiptar me produktet e tjera të vendit e të importit, sidomos në produktin e mishit të importuar e të përpunuar nga 30 kompani të investiguara. Do të publikojmë të dhëna konkrete, lidhur me nepotizmin dhe nivelin profesional të administratës së AKU në qendër e në rrethe. Do të publikojmë skandalin që shumë drejtues e zyrtarë të AKU kanë biznese e kanë detyrë t’i kontrollojnë vetë ato, ose me kolegët në “mirëkuptim” me njeri-tjetrin. Do të publikojmë fakte korrupsioni të drejtuesve e inspektorëve të AKU në qendër e në rrethe! Do të publikojmë skemat dhe praktikat e (ç)organizimit të punëve në kupon e AKU etj….

Shtetarët i sjellin ushqimet familjare, me avionë e anije nga vendet e BE

Dhe këto ushqime me etiketa që kontrollohen pas produktet konsumohen, nuk përfundojnë as në tavolinat e as në stomakun e shtetarëve. këto ushqime që nuk kontrollohen paraprakisht për të dhënat e etiketave, i hanë shqiptarët që nuk kanë lidhje me qeverinë e jo ata zyrtarë e shtetarë, që biznesin e bëjnë me ushqimet e skaduara që sjellin, prodhojnë e tolerojnë për shqiptarët, ndërsa ushqimet e tyre i sjellin me avionë, anije vetura nga vendet e BE, ku ushqimet kanë cilësi e siguri të garantuar! “Rregullsia” për ushqimet që hanë shqiptarët, është ajo firma dhe vula fiktive që vihet mbi akte kontrolle fiktive, duke lejuar paraprakisht futjen në treg të produkteve me etiketa mbi të cilat vetë-deklarohen numra , përqindje, adresa, logo fabrikash dhe elementë kimik që shkruhen sa “1 majë gjilpëre”! 
Ja çfarë duhet të përcaktojë dhe sqarojë etiketa e produktit ushqimor
Etiketa e një produkti ushqimor duhet të përmbajë të dhënat vetëm në gjuhën shqipe
Të ketë emrin me të cilin shitet produkti
Të ketë listën e përbërësve
Të ketë sasinë e përbërësve të veçantë, ose kategorive të përbërësve;
Të ketë deklarimin e sasisë neto;
Të ketë datën e jetëgjatësisë minimale, ose, në rastin e ushqimeve të cilat, nga pikëpamja mikrobiologjike, paraqesin rrezik duhet të deklarohet “ data e përdorimit…’;
Të ketë Çdo kusht i veçantë i ruajtjes, ose kushtet e përdorimit;
Të ketë emrin apo emërtimin e biznesit dhe adresën e prodhuesit apo ambalazhuesit, ose e tregtuesit. (Edhe kur prodhohet për të tretët deklarohet adresa e prodhuesit, ambalazhuesit, tregtuesit dhe eksportuesit)
Të ketë detaje të vendit të origjinës, ose prejardhjes për produktet ushqimore të importit (mosdhënia e këtyre veçantive mund të ngatërrojë konsumatorin për një produkt tjetër dhe për origjinën e vërtetë, ose prejardhjen e produktit ushqimor);
Kufizime të përgjithshme
Ligji për ushqimin, detyron
Komunikimi i riskut 
Komunikimi i riskut bëhet nga AKU-ja, për t’i siguruar një informacion të shpejtë, në kohë, objektiv dhe të kuptueshëm, për ushqimin, dëmtuesit dhe risqet: 
a) Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; 
b) Ministrisë së Shëndetësisë; 
c) operatorëve të biznesit të ushqimit për njerëz dhe kafshë; ç) konsumatorëve; d) institucioneve të tjera përgjegjëse; dh) grupeve të interesit; e) pushtetit vendor. 
Menaxhimi i riskut 
1. Menaxhimi i riskut siguron që masat parandaluese dhe ato të kontrollit, të marra për të parandaluar, zvogëluar ose eliminuar rreziqet për shëndetin e njerëzve, të lidhura me konsumimin e ushqimeve, të bazohen në rezultatet e vlerësimit të riskut. 
2. Menaxhimi i riskut kryhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Kërkesa të përgjithshme të etiketimit të ushqimit 
1. Ushqimi, që nxirret në treg, pajiset me etiketën, ku shënohen: 
a) emri i produktit; b) lista e përbërësve; c) sasia e përbërësve të veçantë ose e kategorive të përbërësve; ç) sasia neto, në rastin e ushqimeve të paraambalazhuara; 
d) data e jetëgjatësisë minimale ose, në rastin e ushqimeve që nga pikëpamja mikrobiologjike paraqesin rrezik, shënohet “të përdoret deri më…”; 
dh) çdo kusht i veçantë i ruajtjes dhe/ose i përdorimit; e) emri apo emërtimi i biznesit dhe adresa e prodhuesit, ambalazhuesit dhe/ose e tregtarit; ë) vendi i origjinës; 
f) udhëzimet e përdorimit, kur ushqimi nuk mund të përdoret pa të; 
g) grada alkoolike për vëllim për pijet, që përmbajnë më shumë se 1,2 për qind të vëllimit alkool; gj) përmbajtja ose përbërja e OMGJ-ve, si dhe OMGJ-të që përmban. 
2. Etiketa duhet të shkruhet në gjuhën shqipe, të jetë e dallueshme, e lexueshme dhe e kuptueshme. 3. Mënyra e etiketimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Sigal