Në Egjipt, Muhamed Ali Pasha njihet si themelues i Egjiptit modern

    596
    Sigal

    Intervistë me Dr. Pakinam Al-Sharkavi, ndihmëse e presidentit aktual të Egjiptit, Muhammed Mursi

     Intervistoi: Dr. Hatixhe Ahmedi

     Në mundësinë e takimit tonë me Dr. Pakinam Al-Sharkavi, takim të cilin na e mundësoi Prof. dr. Beqir Ismaili, përfaqësues i qeverisë së Kosovës në Egjipt, pata rastin të takohem me një zonjë të rëndë, të mençur, aktive dhe shumë modeste, profesoreshë në Universitetin e Kajros dhe tani ndihmëse e presidentit aktual Muhammed Mursi. Në këtë delegacion ajo ishte e shoqëruar nga përfaqësuesi i qeverisë së Kosovës, Prof. dr. Beqiri dhe Dr. Saadi. Ajo po qëndronte në hotelin “Svviss Diamond”, ku edhe shkova ta takoja por në ato momente nuk e gjeta aty, dhe recepsionistët më porositën që të ulesha dhe ta prisja pak, meqë pas pak do të kthehej. Unë u ula dhe po vështroja përreth çdo gjë, kur për një moment e pashë tek vinte nga jashtë, dhe pa e njohur njëra-tjetrën na shoqëruan buzëqeshjet tona që i lidhte një miqësi shumë e vjetër, dhe kjo vinte nga kultura. Menjëherë u ngrita në këmbë, i tregova se kush jam dhe përse kisha ardhur, dhe ajo më priti me shumë ngrohtësi, thuaja kishim qëndruar me vite së bashku, dhe pas bisedave që shkëmbyem e luta që ta intervistoja, me ç’rast ajo pranoi me shumë kënaqësi. Pasi i tregova se isha edhe specialiste për dokumentet osmane, ajo ma ktheu se ishte edhe më shumë kënaqësi për të meqë edhe ajo po ushqente një dashuri të madhe për njohjen e këtyre dokumenteve, e që kuptohet se ia dinte vlerën sepse prej kohësh ishte politikane dhe që nga bankat e fakultetit kishte mësuar se osmanishtja dhe latinishtja ishin gjuhë të shkencës.

    A mund të na thoni diçka për jetën tuaj, shkollimin, aktivitetet dhe pozitën që ushtroni?

    Quhem Pakinam Al-Sharkavi, jam doktore e shkencave ekonomiko-politike, kam studiuar në Universitetin e Kajros, dhe tani punoj në rezidencën e presidentit të Republikës Arabe të Egjiptit, Muhammed Mursi, si ndihmëse dhe këshilltare e kryetarit të vendit. Jam gruaja e një gjyqtari suprem dhe nënë e një vajze dhe një djali. Sot puna ime zhvillohet dhe përbëhet në ngritjen e bazave të demokracisë pas revolucionit të Pranverës Arabe të 25 Janarit. Ne sot në Egjipt jemi dëshmitarë të fillimit të lulëzimit të një periudhe të re, dhe shpresojmë se kemi filluar një nismë të mbarë, e cila do të na shpie në një shpëtim dhe përfundim të sigurt dhe me hapa të shëndoshë, sepse jemi duke hedhur hapat e para demokratike dhe besoj se me ndihmën dhe urdhrin e Allahut kjo nismë shpëtimi do të jetë sihariq jo vetëm për Egjiptin por për mbarë shtetet arabe dhe popujt myslimanë. Unë besoj se kur të ecë përpara Egjipti do të ecin edhe të gjitha shtetet e tjera arabe, dhe kjo do të jetë një mundësi që e gjithë bota ta rifillojë civilizimin dhe kulturën e saj të drejtë dhe frytdhënëse, duke prezantuar të gjitha modelet e saj njerëzore në një formë të përgjithshme. Uroj dhe jam e sigurt se Egjipti dhe të gjitha shtetet arabe do të prezantojnë një model dhe formë meritore të qeverisjes dhe menaxhimit të drejtë shtetëror.

    A mund të përshkruani gjendjen e popullit të Egjiptit dhe atij arab në përgjithësi pas Pranverës Arabe, ose më thjesht cili ishte roli dhe ndikimi i Pranverës Arabe tek populli egjiptian dhe arab në përgjithësi?

    Pranverat Arabe kanë bërë një transformim të madh në rajonet e tokave arabe. Unë mund të shprehem personalisht se ne jemi kthyer në histori për herë të dytë, sepse para këtyre revolucioneve kemi qenë jashtë historisë, gjithmonë kemi biseduar për veçimin ose të skajuarit e arabëve, dhe gjithmonë shtetet arabe kishin nevojë për një demokraci. Ata kishin nevojë për një zbutje të qeverisjes ndaj tyre, sepse këto shtete ishin rikthyer në një mori brengash dhe mizorish, dhe besoj se revolucionet arabe kanë hapur shumë dyer përpara një kthese të një humanizmi njerëzor, i cili do të fillojë pas kësaj periudhe, sepse ne jemi kthyer në vlerat tona, kemi lulëzuar si një popull i dytë i cili u zgjua nga gjumi i dhunshëm, dhe gjithashtu besoj se kjo do të jetë etapa e dytë e historisë e cila do t’i mundësojë popullit arab të jetojë një periudhë të ndritur dhe sipas preferencave të veta. Kjo do të ndikojë në historinë arabe dhe në historinë islame në një formë të përgjithësuar, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj vëllezërve tanë kudo qofshin ata, dhe besoj se Egjipti tani do të mundësojë që shtetet e tjera të marrin modelin e tij për të qeverisur dhe udhëhequr. Kjo ndodhi kur edhe të gjitha shtetet arabe filluan të dëshmojnë forcën e vet e cila na jep të kuptojmë se ky popull posedon mundësinë e ndërrimit të gjërave jo të përshtatshme dhe shkatërrimtare që iu kishin mbjellë pa dëshirën e popullit. Ky popull po dëshmon forcën e tij mu ashtu si i sëmuri, i cili ngjallet dhe shërohet plotësisht nga sëmundja e rëndë që i ka rënë, dhe ky i sëmurë beson dhe mbështetet te Allahu se do të vazhdojë të ecë në binarët e ardhshëm të jetës së tij duke ia ditur shumë më shumë vlerën e shëndetit të tij në këtë kohë.

    Është hera e parë që ju e vizitoni Kosovën. A mund të na thoni se cilat janë mbresat tuaja dhe cilat shtete të tjera keni vizituar para se të vizitoni Kosovën?

    Po, kam vizituar shumë shtete duke filluar nga të gjitha shtetet arabe, Turqinë, Iranin, shtetet europiane pothuajse të gjitha, dhe para se të vija në Kosovë isha në një konferencë në Etiopi. Kuptohet të gjitha vizitat e mia kishin të bëjnë me profesionin tim të politikanes dhe të lidhura me shkencat politike që ishin bazë dhe bosht studimi për mua.

    Si e gjete veten në Kosovë dhe si e pe popullin e Kosovës?

    Unë jam shumë e gëzuar që kam ardhur këtu. Kam hasur një risi të madhe, sepse ky popull është shumë i dashur, aktiv, i aftë, shembullor etj. Rininë gjithashtu e pashë shumë aktive dhe të gjallë, të frymëzuar për një të ardhme, dhe mendoj se kjo do të ndikojë për një të ardhme të tyre të mirë. U habita shumë se ky popull i kishte marrë shumë shpejt këmbët pas një lufte të rëndë dhe me pasoja, gjë që më shtyu të mendoja se ky popull nuk dorëzohet shpejt, dhe mundohet të ngrihet shpejt edhe pse rrëzohet shumë herë, dhe nëse mund të shpreh atë që më thotë zemra dua të them se populli shqiptar është popull që e shoqëron shpresa dhe ambicia e fortë.

    Kur do ta vizitoni sërish Kosovën?

    Unë jam shumë e kënaqur me këtë vizitë, dhe besoj se në një të ardhme shumë të afërt do ta vizitoj sërish Kosovën. Tani për tani nuk kam përcaktuar ndonjë vizitë, por vizita ime ose vizitat tona do të jenë të shpeshta në mënyrë që këto dy popuj të njihen sa më shumë nga afër me njëri-tjetrin, por gjithashtu edhe kosovarët me shumë kënaqësi i presim në Egjipt. Dhëntë Zoti të na vizitoni sa më shpejt, dhe besoj se shumë afër do ta vizitoj sërish Kosovën.

    -A mund të na thoni diçka për atë që na intereson ose na brengos shumë: Kur do ta pranojë Republika e Egjiptit Republikën e Kosovës?

    (Kur e pyeta për këtë pyetje, fytyra e saj nuk qeshi, por u vrenjt, sepse ndjeu një detyrë që ishte e vonuar ose një detyrë që ishte dashur të kryhej qëmoti!)

    Kjo pyetje më prek shumë, sepse shumë njerëz ma kanë bërë këtu në Kosovë. Vetë pranimi i emërimit të Prof. dr. Beqir Ismailit si përfaqësues i Kosovës në Egjipt është një nga hapat e parë që tregon se Egjipti do ta pranojë së shpejti Kosovën, dhe gjithashtu populli shqiptar i Kosovës duhet të dijë gjithmonë se Egjipti po kalon në një fazë tranzitore, një fazë të re e cila po e rikthen në një politikë të re dhe të mirëfilltë dhëntë Zoti, dhe sigurisht kjo nuk bëhet për një kohë të shpejtë, por kjo çështje ndodh të ketë qenë dhe është e ndaluar për një kohë, por besoj se do të triumfojë dhe nuk do të jetë më e ndalur rreth çështjes së njohjes së shtetit të ri të Kosovës. Këtu duhet të përfshihet edhe ajo se ka edhe çështje të tjera që kjo periudhë e këtij tranzicioni të një transformimi të ri është shkas që kjo të shtyhet për një kohë, por pas disa vizitave që do të bëhen nga përfaqësuesit egjiptianë dhe ata kosovarë, kjo çështje do të jetë e aktivizuar në mesin e çështjeve të tjera dhe në një të ardhme shumë të afërt do të bëhet njohja e Republikës së Kosovës.

    -Besoj se e dini se themeluesi i Egjiptit modern, Muhamed Ali Pasha është me origjinë shqiptare. Çfarë mund të na thoni për këtë burrë shteti tuajin dhe tonin?

    Sundimi dhe qeverisja e Muhamed Ali Pashës në Egjipt, dëshmon se populli egjiptian dhe ai shqiptar përveç fesë islame, janë të lidhur mes vete edhe me një kulturë dhe lidhje të ndërsjellë, që me shekuj të tërë i lidhi ata. Në Egjipt, Muhamed Ali Pasha njihet si themelues i Egjiptit modern, dhe ne jemi krenarë për këtë, por njëkohësisht edhe ju jeni krenarë për këtë. Ne hymë në një fazë të re përparimi dhe demokracie nga një shqiptar, ku me ndihmën dhe suksesin e tij ne u futëm në grumbullin e shteteve moderne. Kjo ndihmë na erdhi nga shqiptarët që gjithmonë i kemi çmuar dhe do t’i çmojmë si popull që na ngriti në periudhën e duhur. Modeli i Egjiptit u përhap në të gjitha vendet arabo-islame, skemën e së cilit e përpiloi shqiptari i cili do të përmendet me shekuj të tërë, madje dhe sot. Por kjo edhe një herë dëshmon për lidhjen tonë kulturore, një lidhje përmes fjalëve të gjuhës arabe që ende fliten në këto treva, civilizimit të përbashkët dhe të një historie të përbashkët civilizuese dhe kulturore e cila gjithmonë do të na lidhë me popullin shqiptar duke pasur parasysh këtë popull si një popull kreativ dhe me ide e ideale të shkëlqyera dhe të arta.

    -Dashtë Allahu që Egjipti shumë shpejt ta pranojë shtetin e Kosovës, dhe pas kësaj njohjeje ju si politikane çka mund të na thoni diçka për bashkëpunimin ndërmjet Egjiptit dhe Kosovës, kur themi kështu kemi për qëllim marrëdhëniet dhe bashkëpunimet politike, tregtare, ekonomike, arsimore, turistike, etj.?

    Po, patjetër, dhe atëherë gjërat do të ndryshojnë në bazën e tyre sepse tashmë nuk do të ketë synim për rregullim të marrëdhënieve politike, por do të fillojë rregullimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve mes dy popujve, sepse atëherë Kosova do të futet në mesin e shteteve të Siujdhesës Ballkanike, në mesin e së cilës është një popull shumë i gatshëm për veprim dhe aktivitet në çdo sferë dhe fushë veprimtarie, elan që do ta ndritë të ardhmen e këtij populli në një të ardhme shumë të shpejtë. Atëherë do të flitet më lirshëm, do të krijohen marrëdhënie që do të mundësojnë bashkëpunime të shumta në të gjitha sferat sepse dyert do të jenë të hapura, dhe nuk do të jenë vetëm marrëdhënie formale politike ashtu siç ishin dikur, sepse edhe në Kajro kanë ndryshuar gjërat meqë tani pas revolucionit të “Pranverës Arabe”, populli i Egjiptit është afruar shumë më shumë me vëllezërit e tyre të shteteve të tjera arabe, sepse çdo marrëdhënie që bëhet ndërmjet shteteve personifikon rregullimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, prandaj duhet të harrohet e kaluara meqë ashtu siç u hapën kufijtë me shtetet arabe ashtu do të hapen edhe me shtetet e tjera siç është fjala për Kosovën, sepse dihet se si kanë qenë në të kaluarën këto marrëdhënie që mund të themi se ishin marrëdhënie sipërfaqësore. Këtu po flasim për marrëdhëniet në të gjitha sferat si ato: politike, tregtare, ekonomike, arsimore, kulturore, e që nuk do të arrinin suksesin e tyre vetëm si marrëdhënie zyrtare, pra kjo është me shumë rëndësi e që në sferën politike e quajmë diplomaci popullore,  bashkim ndërkulturor, e që është një nga pjesët kryesore ose si vazhdim i një kulture që i ka rrënjët qysh nga kohërat e vjetra. Kjo do të mundësojë që ne të jemi dëshmitarë në të ardhmen dhe të shohim se si populli egjiptian dhe ai shqiptar i Kosovës do të ecin dhe do të bashkëpunojnë mes vete.

    Ju jeni profesoreshë në Universitetin e Kajros. A mund të na thuash diçka për bashkëpunimin e këtij universiteti me Universitetin e Prishtinës, meqë dihet se këto dy universitete kanë bërë marrëveshje bashkëpunimi mes vete. Cili është mesazhi juaj për studentët e Universitetit të Prishtinës?

    Mendoj se ky bashkëpunim është një hap shumë i mbarë. Kjo marrëveshje do të mundësojë që në të ardhmen të hapen dyert për një bashkëpunim më të thellë ndërmjet dy universiteteve, sepse do të mundësohet shkëmbimi i studentëve të të dy vendeve dhe të profesorëve të këtyre universiteteve, dhe kjo është një ndihmë në mes diturisë dhe kulturës e cila do t’i rimëkëmbë të dy shtetet por edhe do të mundësojë më shumë afrimin mes tyre.

    -Ju faleminderit doktoresha Pakinam! Ishte kënaqësi e veçantë t’ju intervistoja!

    Falënderimet e mia dhe për ju znj. Hatixhe, dhe ju dëshiroj t’ju shoh shumë shpejt në Kajro dhe unë dhëntë Zoti sa më shpejt të jem sërish në Kosovë.