Në 18 shtator nisin regjistrimet për studime me kohë të pjesshme

524
Sigal

UDHËZIMI/Procedurat e pranimit dhe regjistrimit në bachelor të studimeve part-time, për vitin akademik 2013-2014

Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2013-2014. Sipas këtij udhëzimi, pranimi i aplikantëve në sistemin part-time bëhet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga IAL-të publike, sipas kritereve të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht. Nuk pranohen aplikime nga kandidatë të shpallur fitues me formularët A2 dhe A3, të regjistruar në listat përfundimtare. Kuotat e miratuara me vendimin nr. 674, datë 7.08.2013 të Këshillit të Ministrave do të përdoren: a) Në masën 70% për studentë që nuk janë regjistruar në asnjë program studimi ose nuk kanë përfunduar një të tillë në IAL-të publike me kohë të plotë ose të pjesshme; b) Në masën 30%, si program i dytë studimi, për kandidatë që kanë përfunduar një program studimi universitar. Institucionet publike të arsimit të lartë duhet të shpallin menjëherë hapjen e procedurës së aplikimit të kërkesave për kandidatët që dëshirojnë të studiojnë programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë. Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar. Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, të dorëzojnë në sekretaritë mësimore, përveç dokumentacionit, edhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar si të barasvlershme me të në Shqipëri. Këta kandidatë nuk kanë detyrim të dorëzojnë vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për provimet me zgjedhje. Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, përveç dokumentacionit duhet t’u nënshtrohen edhe kritereve të veçanta (konkurseve të pranimit), të vendosura nga ky institucion, për pranimet në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të bëra publike paraprakisht. Aplikimi dhe regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh, kryhet pas shpërndarjes nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, të kuotave të përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 1 të vendimit nr. 674, datë 7.8.2013 të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve në statutet dhe rregulloret e IAL-ve publike. Për kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilët do të aplikojnë direkt pranë IAL-ve publike, ndiqet e njëjta procedurë, si dhe për kandidatët brenda vendit. Institucionet publike të arsimit të lartë, duke filluar nga data 16.9.2013, të shpallin në vende të dukshme datat dhe oraret e veprimeve të aplikimit dhe të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe njoftime të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë. Aplikimi i kandidatëve në programin e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të zhvillohet nga data 18.9.2013 deri në datën 16.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të IAL-ve publike.

Dokumentacioni për regjistrim

a) Fotokopje të noterizuara të diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatës së notave ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme, së bashku me vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje. Në qoftë se kandidati nuk ka diplomë të maturës shtetërore apo dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të saj, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/zyra arsimore përkatëse ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, të dorëzojë edhe vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Provimeve që është kalues në provimet me zgjedhje.

b) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose e  pasaportës;

c) 2 fotografi;

d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjimit prej 1.600 lekësh, paguar në Postën Shqiptare.

e) Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme të institucionet e arsimit të lartë publik.

Shpallja e fituesve

Institucionet publike të arsimit të lartë të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 16:00 të datës 20.10.2013 të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 21.10.2013 deri në datën 24.10.2013, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë. Regjistrimi i kandidatëve fitues të bëhet vetëm me diplomën e Maturës Shtetërore dhe dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë udhëzim. Dokumentet e kandidatëve jofitues t’u kthehen personave kundrejt kërkesës. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar, për të marrë numrin e matrikullimit. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në IAL-të publike, nuk marrin numër matrikullimi. AKP-ja pas verifikimit u kërkon IAL-ve t’i çregjistrojë ata.