Në 12 tetor 1978 u vu në shfrytëzim Hidrocentrali i Fierzës

1367
Sigal

Prof. Dr. Inxh.  Edmond  Nasi  Pinguli

Anëtar  i  Akademisë  së Shkencave  dhe Arteve  të  Evropës

Anëtar  i  Akademisë  së  Shkencave  të  Shqipërisë

Ndërtuesit shqiptarë janë krenarë për punën e tyre, të kryer në këto dhjetëra vite (1948÷2018 ) shumë të vështirë, por të lavdishëm të transformimit të vendit. Ata vijnë me një eksperiencë të pasur të së kaluarës të tyre, ku duhet veçuar me një respekt të madh “Hidroenergjitika”, sepse ndërtimi i veprave të saj, për nga rëndësia dhe teknika shkencore janë të kalibrit ndërkombëtar. Ato do të mbeten në vendin e parë si një simbol dhe do të jenë lokomotiva  e  trenit, e zhvillimit politiko-ekonomiko-shkencor dhe shoqëror për sot dhe në të ardhmen e vendit. Gjithashtu, ato do të mbeten gjithmonë si një “Histori Monumentale” e gjallë dhe e papërsëritshme, e potencialit energjitik të çliruar nga mendja e popullit tonë. Njëkohësisht, kjo do të jetë një busull e saktë orientimi për të gjithë ne, në aspektin, se si duhet të ndërtojmë Shqipërinë  moderne, e cila të  qëndrojë me dinjitet në familjen e madhe evropiane, si një vend i lashtë i këtij kontinenti.

“Lypësin nuk e do njeri, atë të gjithë e mëshirojnë”

Me këto vepra mund të mburret çdo shqiptar brenda dhe jashtë trevave kombëtare si edhe në arenën ndërkombëtare. Duhet ta kujtojmë, t’i bëjmë homazh dhe t’i përkulemi me nderim të thellë asaj pune të lavdishme, lufte të paepur dhe të papërsëritshme rreth 45 vjeçare, që do të mbetet në jetë të jetëve e patjetërsueshme, sa tekniko-shkencore, po aq edhe ekonomiko-shoqërore si dhe historike. Konkretisht bëhet fjalë për vënien në jetë të programit më madhështor, që kombi ynë ka mundur të realizojë gjatë ekzistencës së tij. Dhe pikërisht atë të studimit, projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit në kohë dhe cilësi shembullore, që do ta kishin zili të gjithë ndërtuesit e tjerë në këtë fushë jashtë vendit, të hidrocentraleve me diga të kaskadave të lumenjve Mat, Bistrica dhe Drin. Një rol të veçantë dhe të rëndësishëm në këtë drejtim, veçanërisht për “Hidrocentralet e Kaskadës së Lumit Drin”, i cili është lumi më i madh i Shqipërisë, kanë dhënë inxhinierët e talentuar dhe eruditë PROF. Petrit  Radovicka  ( Nën Kryetar i Akademisë së Shkencave ) dhe Dr. Emin  Musliu ( Drejtuesi Historik i Ndërmarrjes së Ndërtimit të Hidrocentraleve ). Ata që në vitin 1963 mbrojtën këtë ide me përmasa gjeniale, si edhe me mendimet, idetë, dhe punën konkrete të tyre më vonë në vazhdim, ja arritën të bëjnë realitet të kohës dhe aftësive perceptuese, në të cilën ndodhej vendi ynë në atë periudhë. Hegel thoshte se:

“Intelektual i vërtetë është ai, që i përkushtohet Kombit”

Dëshiroj, të ndalem këtu me këtë rast, për të shprehur konsideratat më të larta të të gjithë kolegëve tanë, për një ndër figurat më emblematike të fushës së hidroteknikës. Ky nderim sot është për Dr. Inxh. Emin  Musliu,  i cili më 28 Shtator 2018 mbushi 88 vjeç, duke i uruar jetë të gjatë dhe të gëzuar. Ai vuri në shërbim të popullit dhe atdheut të tij të dashur e të shtrenjtë, të gjithë potencialin e tij fiziko-mendor, tekniko-shkencor, shoqëror e politik. Ky shërbim i devotshëm duhet t’i shpërblehet sot me një nderim të tillë nga të gjithë ne kolegët dhe bashkëpunëtorët e punës së tij, të cilët jemi gjallë. Gjithashtu, veçanërisht ky nderim do të jetë nga të gjithë punonjësit dhe specialistët e armatës së studimit, projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentraleve në Shqipëri, një gëzim dhe frymëzim i madh. Inxhinier Emin  Musliu mund të quhet me të drejtë ikona, e shkëlqimit të arritjeve të papërsëritshme të Shkencës së Hidroteknikës në Shqipëri. Gjithashtu, Ai me të drejtë është konsideruar nga ne të gjithë punonjësit e saj si pionieri dhe një ndër udhëheqësit  dhe  drejtuesit  kryesorë të vënies në jetë të programit më madhështor, që kombi ynë ka arritur të realizojë gjatë ekzistencës së tij, që është:

“Dhënia e “Dritës së Syve” vendit, i cili ishte në errësirë të plotë”

Ai është për ne inxhinierët, që patëm fatin e madh të punojmë nën drejtimin e tij, simboli aftësive të tij gjeniale në drejtim ( në vitin 1977 dhe 1978 ndërmarrja arriti të ketë 11,000 specialistë me një staf prej 500 inxhiniero-teknikë), organizim dhe menaxhimin e punimeve të ndërtimit të tipit extra të rendit ndërkombëtar që njihet sot në Evropë. Të gjithë ne inxhinierët dhe kolegët e tij kemi mësuar nga aftësitë e këtij Profesori  të  madh. me ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, Ai arriti kulmin e sukseseve, që mund të arrijë një njeri gjatë punës në jetën e tij. Madhështia njerëzore ishte pjesë e botës së tij shpirtërore. Ky njeri inauguroi hidrocentralin e Fierzës para kohe në 12 Tetor të vitit 1978, duke vënë në punë nga një turbinë, që ishte parashikuar, dy turbina, nga katër që kishte hidrocentrali. Kjo ishte baras me fuqinë prej 250MW, që prodhonte hidrocentrali i VAU-DEJËS. Kjo u bë realitet me aftësinë e një inxhinieri drejtues, kompetent, të talentuar, larg pamës, si edhe udhëheqës i 11 mijë burrave, që punuan dhe luftuan, për të vënë para afatit shfrytëzimin e këtij hidrocentrali. Në këtë vepër kanë punuar rreth 55,000 specialistë në një periudhë kohore prej 10 vjetësh ( 1971÷1980 ). Napolon Bonaparti thoshte  “Njeriu lind nuk bëhet”.  Kjo shkollë e fortë dhe me tradita të gjata e : jetës, punës, luftës, sakrificës, vështirësive, eksperiencës dhe teknikës është ngritur dhe drejtuar nga “Ky Personalitet”. Kontributi i madh dhe i pallogaritshëm, që Ai ka dhënë me : dashuri, pasion, këmbëngulje dhe përkushtim, e udhëhoqi këtë vatër të madhe të farkëtimit të idealeve dhe koncepteve të punës shkencore bashkëkohore në stadin më të lartë ndërkombëtar. Kjo meritë e tij do të mbetet përgjithmonë, se ajo është një përvojë e madhe, për të mbështetur në çdo kohë me kompetencë, çdo lloj zhvillimi politik, tekniko-shkencor dhe ekonomiko-shoqëror të vendit. Konsiderata e lartë si edhe besimi i plotë mbetet, se ky inxhinier është përfaqësuesi më dinjitoz i shkollës tonë të hidroteknikës. Ai është bir besnik i atdheut të tij, luftëtar i paepur i arritjeve të larta të shkencës dhe teknikës në fushën e ndërtimit, mësues i shumë brezave të inxhinierëve, organizator dhe drejtues dinjitoz, i respektuar nga ne të gjithë ndërtuesit dhe kompetent i drejtimit të formacioneve të nivelit ndërkombëtar të punës si edhe një “Intelektual Erudit”. Ai vuri jetën, fuqinë dhe djersën e tij në shërbim të transformimit të Shqipërisë, duke e nderur atë në panteonin e arritjeve më të mëdha të punëve në arenën ndërkombëtare. Ai do të vendoset kështu me meritë të shkëlqyer në grupin e njerëzve të shquar, për kontributin e merituar e të papërsëritshëm të dhënë në fushën e tij.

“Njeriu duhet të jetë bir besnik i atdheut të tij, sepse jeta e tij duhet të jetë gjithmonë dhe në çdo moment e dobishme, si edhe ajo i përket plotësisht atdheut të tij të shtrenjtë”

Duke kujtuar mësuesin dhe drejtuesin të jetës dhe të punës, ne kemi nderuar të gjithë kolegët historikisht, që punuan në ndërtimin e hidrocentraleve për rreth një gjysmë shekulli. Me ndërtimin e tre hidrocentraleve të kësaj Kaskade të lumit Drin ( Vau – Dejës, 250MW, Fierza, 500MW dhe Komani 600MW ) me kapacitet 1350 MW, Shqipërisë iu dha një bazë e fuqishme, për të ngritur dhe mbështetur, çdo zhvillim industrialo-teknik në të ardhmen. Do të duhen rreth 500 vjet, që të pushojë së ekzistuari ajo Kaskadë, kur të mbushen me deluvione rezervuarët  ( liqenet ) e tyre dhe që të pushojë së ekzistuari hidrocentrali i fundit ai i Vaut – Dejës. Atëherë emri i të gjithë neve që kemi punuar dhe drejtuar punën, për ndërtimin e kësaj “KASKADE”, do të pushojë në jetë të jetëve. Pa prodhimin e energjisë elektrike nuk ka jetë, begati dhe zhvillim. Zoti na ka dhënë burime të bollshme ujore, të cilat ne i kemi shfrytëzuar rreth 40%, duke qenë ndër vendet e vetme në Evropë, që i kemi të pashfrytëzuara. Këtu mund të kujtojmë, se jemi gjithashtu vendi i privilegjuar, si për prodhimin e kësaj energjie të pastër, ashtu edhe për shfrytëzimin e kësaj pasurie për ujë të pijshëm të cilësisë së lartë ( sot ne vuajmë për pikën e ujit, kur duhet të lahemi në të ) si dhe për vaditjen e tokave bujqësore. Ndalemi këtu me dinjitetin legjitim, për të pohuar një të vërtetë të pamohueshme, se nuk do të bëjmë ndonjë punë të madhe, nga ç’kemi bërë për këtë qëllim në të kaluarën, për të cilën forcat e angazhuara për prodhimin e energjisë elektrike, mund të mburren me plot të drejtë, për atë punë dinjitoze dhe të lavdërueshme, por me nivel plotësisht ndërkombëtar, që kanë bërë në këtë fushë. Me sukses të madh e të plotë u ndërtuan tre hidrocentralet e kësaj “Kaskade” brenda kohës 20 vjeçare ( 1967÷1987 ). Por këtu duhet veçuar ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës, i cili është një model me përmasa reale në natyrë, me ndërtimin e së cilës, shkenca shqiptare e “HIDROTEKNIKËS” arriti kulmin e suksesit të saj, duke dhënë kontributin dhe përvojën e çmuar, se ne mund të ndërtonim çdo lloj vepre në madhësi dhe vështirësi në të ardhmen.

Në këtë hidrocentral duhet të veçojmë arritjet ndërkombëtare si :

  1. Diga me material vendi ( rrethanor ) e para e ndërtuar në atë kohë në Evropë, sipas eksperiencës së Japonisë. Lartësia e saj ishte 167m, duke qenë diga e katërt më e lartë në Kontinent edhe sot e kësaj dite. Ajo do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen, sepse janë ezauruar burimet ujore. Pra, me shumë të drejtë, si edhe krenari kombëtare, ndërtuesit e kësaj vepre mund të mburren dhe të vlerësohen në shkallën më të lartë të arritjeve të shkencës bashkëkohore edhe sot, sepse e kanë ngritur “Flamurin e  Shqipërisë” në këtë piedestal  monumental  historik.
  2. Digës me volum 8 milion m3, iu arrit të prodhohej e gjithë sasia e gurit prej 5 milion m3, që nevojitej për mbushjen e saj me shpërthime të mëdha me tunele, ku më i madhi ishte i rendit 700,000 m3 shkëmb kompakt, nga i cili u prodhua rreth 1.2 milion shkëmb i shkatërruar. U hapën 20 tunele me gjatësi totale rreth 3km dhe u vendosën 430 ton lëndë eksplozive. Ai ishte shpërthimi më i madh i kryer në karrierat e Evropës ( përveç Rusisë ) në atë kohë. Me këtë rast në Shqipëri u provokua një tërmet me fuqi 4.3 shkallë Rihter, që u njoftua edhe nga “Instituti  i Sizmologjisë” në Upsala – Suedi e deri në atë të Tuluzës – Francë. Pa futjen e kësaj teknologjie, do të duheshin dhjetëra vjet për të prodhuar sasinë e shkëmbit për mbushjen e digës me Sonda B. U., që kishte sjellë investitori kinez. Kjo teknikë u përdor pastaj në të gjithë Shqipërinë.
  3. Tuneli Nr. 3 i shkarkimit të ujit të tepërt të liqenit në raste të jashtëzakonshme të karakterit katastrofik, ishte ndër më të mëdhenjtë në Evropë, i krahasuar me atë të autostradës së Alpeve të Zvicrës, “Shën Godard”.
  4. Hidrocentrali i Fierzës është llogaritur si objekt extra për të përballuar një prurje uji katastrofik një herë në 10,000 vjet, me një vëllim 10,000 m3/sek, kur Kontinenti i Atlantidës supozohet se u zhduk nga një katastrofë planetare 11,500 vjet më parë.
  5. Hidrocentralit të Fierzës ndërtuesit e saj ( për 10 vjet ) i dhanë kontributin më të madh e të shquar, me vlera të çmuara të shkencës dhe punës së Shqipërisë, si edhe Kombit ShqiptarArenën e Evropiane.

Njëkohësisht, duhet të përmenden edhe shokët e sektorit të drejtimit politik të veprës për punën, përgjegjësinë, përkushtimin, ndihmesën e pakursyer dhe shpirtin njerëzor, që kanë treguar në momentet e vështira dhe të paparashikuara, që kanë ndodhur në këtë vepër gjatë ndërtimit të saj. Të gjithë ne i falënderojmë nga zemra dhe ju urojmë jetë të gjatë konkretisht: Shokëve Drejtues Politikë që ishin Nimet Cani dhe Ibrahim Hamza. Binomi udhëheqës politiko-ekonomik, mund të themi, se ishte në sinkron të plotë gjatë gjithë kohës dhe është për t’u marrë si shembull i një organizimi perfekt  në të tilla vepra ndërkombëtare, por që dilnin jashtë realitetit dhe mendësive të kohës në ato vite.

Vijon neser…